Kritiku i artit Josif Papagjoni, kujton njiohjen më Françesk Radin, kur të dy ikishin degdisur në Fushë-Arrës gjatë komunizmit.
“Sa mësova lajmin e hidhur të vdekjes së kantautorit Françesk Radi. Ishte një mik i vyer i rinisë sime, kemi fjetur së toku në një dhomë në Fushe-Arrës asaj kohe të acartë pas plenumit të IV të PPSH (1973-1974), fillimisht në një barakë druri vrima-vrima e pastaj në një studio në prapaskenë në Pallatin e Kulturës. Shkëmbenim dëshpërimet tona, por dhe shpresat, energjinë, humorin, artin. Madje dhe kënduam bashkë disa këngë të tij, deri në TVSH, duke marrë unë përsipër rolin e “garantuesit” të daljes në skenë, pasi ia kishin ndaluar. Dhe aty, mes borës dhe erës, në gjithë vështirësite e menduara të asaj kohe, me gjithë frikërat dhe pasiguritë, ai merte kitarën dhe këndonte në dhomë këngë të Adriano Çelentanos e këngëtareve të tjerë italiane. Ende e kam në vesh zërin e tij paksa të ngjirur, krejt origjinal, dhe atë tipin e njeriut të urtë, babaxhan, me kokeën varur mbi tastierë, në një përhumbje të bukur. Dhe ky imazh, me ate miqësi e respekt gati të shenjtë të krijuar atëherë, në vitet e vështira të rinisë sonë, më ndoqi gjithë jetën, duke mbetur një adhurues i muzikës së tij, por dhe i miqësisë që kam pasur. Ngushëllime familjes, Teftës dhe fëmijëve, si dhe gjithë adhuruesve të tij”, -shkruan ai në një status në Facebook.