Kur e fyeu Pacolli amanetin e Ibrahim Kodrës?

pacolli2

Entela Hoxha

Përmes një postimi në facebook, Behgjet Pacolli ka deklaruar sot se amaneti i Ibrahim Kodrës ishte që të varrosej në Tiranë. Si një njeri shumë i afërt me Kodrën, që ka qëndruar pranë tij deri në çastet e fundme, Pacolli, biznesmen, politikan dhe president vetëm për pak ditë, doemos di shumë mbi dëshirat për jetën dhe vdekjen të mjeshtrit të pikturës. Veçse askush më shumë se Pacolli nuk duhej ti respektonte ato as atëherë kur qe gjallë Kodra, as tani që ai ka vdekur dhe eshtrat e tij janë bërë objekt debati. Nëse Kodra kish lënë amanet të varrosej në Tiranë, Pacolli dubej ta kishte varrosur  në Tiranë. E nëse pati probleme koordinimi, sikurse sot pretendon, atëherë kur u varros së pari, Pacolli duhej ta kishte thënë se amaneti ishte të varrosej në Tiranë por përkohësisht po e lëmë këtu. Ai sqarim i munguar po i kthehet sot në bumerang, Pacollit e vetë shtetit shqiptar, që artistët që nuk di ti vlerësojë së gjalli i fyen edhë së vdekuri. Por nëse shteti është shtet, e shtet si ky i yni, Pacolli si mik, nuk duhej të ishte Pacoll, duhej të ishte mik. E ky mik, ose e ka fyer amanetin e Kodrës kur e varrosi në Ishëm, ose po e fyen sot; por që e ka fyer, dhe madje rëndë, është dhimbshëm e qartë.

Në kohën që eshtrat e Kodrës do të vinin në Tiranë, u ngrit një komision shtetëror i kryesuar nga Bujar Leskaj, ministër kulture. Asnjërit prej anëtarëve të atij komisioni Pacolii nuk i ka thënë se amaneti është që të varroset në Tiranë Kodra. Përtej, kësaj  në një kohë që i gjithë shteti, president, kryeministër e ministra ishin ngritur në këmbë për ta varrosur siç e donte amaneti i tij, çdo moskoordinim do të ishte koordinuar.

Në fund një këshillë: amanetet e miqve nuk janë as si biznesi as si politika, ndaj mos i trajtoni amanetet as si marrëveshje biznesi as si pazare politike.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *