Kundër shamisë!

Në Kuran lista e rregullave të veshjes për një grua është shumë e shkurtër. Profesori Reinhard Schulze nga Instituti i Shkencave Islame dhe i Filologjisë Orientale në Universitetin e Bernës ka theksuar në një referat se shamia në traditën e Profetit nuk ka domethënie religjioze. Në Kuran shkruan se besimtarët duhet t’i bartin «rrobat e devotshmërisë». Kjo, sipas profesor Schulze, domethënë: «Besimtarët duhet t’i mbulojnë vendet e turpshme». Tani mund të pyesim: a është koka pjesë e turpshme e trupit? Në Librin e Shenjtë po ashtu thuhet se gratë duhet të bartin një lloj shalli apo mbulese mbi gjoksin e tyre, me fjalë të tjera: nuk mund të ecin me gjinj përjashta. Ky rregull i veshjes dallon nga periudha para-islame, kur femrat bartnin pak rrobe.

Nga Enver ROBELLI
Duhet të jemi tolerantë – ndaj besimeve, vlerave, ideve, mendimeve të ndryshme. Tolerantë edhe ndaj mënyrës se si vishen njerëzit. Tolerantë ndaj atyre që hanë mish kaprolli, por edhe ndaj atyre që hanë mish lepuri. Tolerantë ndaj atyre që bartin shami dhe ndaj atyre që janë kundër shamisë. Në Kosovë sërish qenkësh ndezur një debat për shaminë. Kësaj radhe një mësuese e matematikës nga provinca u bë temë kombëtare, sepse bart shami ndërsa u jep mësim fëmijëve, nxënësve.

Mbrojtës të vetëshpallur të të drejtave të njeriut do të thonë se lirinë e besimit e garanton Kushtetuta e Kosovës, andaj mësuesja e nderuar mund të ushtrojë profesionin e saj me mbulesë. Këta mbrojtës të vetëshpallur të lirive qytetare do të citojnë ligje e rregulla të shteteve europiane. Do të përmendin gjyshe e teze që po ashtu kanë bartur shami, por do të heshtin me këmbëngulje faktin se ato në rastin më të mirë nënshkruheshin me gisht, pra ishin analfabete të trajtuara si kafshë nga burrat me tirq, që pinin duhan e raki dhe kur u turbullohej mendja e ngatërronin pelën me gruan. Fundja, a s’thuhet në Kuran se gruaja është njëfarë are, ku burri mund të hedhë farën sa herë të dojë. A duhet ta kuptojmë këtë fjalë për fjalë në vitin 2016? Kurrsesi. Sepse është shkruar para gati 1500 vjetësh. Sepse edhe nëse ka zbritur nga qielli kjo porosi, sot mbase zoti do të mendonte ndryshe.

Që të dihet njëherë e mirë: mbulimi i grave është kërkesë e burrave, duke keqinterpretuar Kuranin. Burrat (super-myslimanë) thonë: gratë duhet mbuluar, përndryshe ne s’mund t’i kontrollojnë epshet tona. A mund të kërkojmë nga burri (qoftë ky edhe mysliman) që afër 1500 vjet pas shpalljes së Kuranit të jetë në gjendje të kontrollojë instinktet e mëzatit? Të jetë njeri! Ta shikojë gruan si qenie të barabartë. Dhe jo si objekt seksual.

Se si vishet një njeri – është punë e tij, në fund të fundit. Por aty ku njeriu, në rastin tonë, mësuesja ka funksion të shembullit qytetar para nxënësve, atëherë shamia nuk duhet lejuar. Siç nuk duhet lejuar as kryqi në klasë. Edhe një e vërtetë tjetër: është rrenë e burrave të egër myslimanë se Kurani kërkon mbulimin e grave.

Në Suren 24 të Kuranit thuhet vetëm se gratë duhet t’i mbulojnë pjesët joshëse të trupit, konkretisht gjoksin. Kurani jep edhe një arsyetim pse gratë duhet t’i mbulojnë pjesët joshëse: «Kështu ato nuk ngacmohen». Ky definicion atëbotë, para gati 1500 vitesh, është bërë me qëllim që gratë të mbrohen nga ngacmimi dhe nga dhuna seksuale e burrave. Nëse burri mysliman nuk është emancipuar për 15 shekuj dhe ende e sheh gruan vetëm si objekt seksual, atëherë problemi nuk qëndron te gratë, por te burrat!

Është e tmerrshme që burrat mysliman duan t’i mbështjellin gratë në atë mënyrë që kur ato të ecin nëpër qytet të mos dihet a janë njerëz apo pinguinë.

Kërkesa për mbulim të grave është pasojë e leximit ideologjik dhe politik të Kuranit dhe jo interpretim i saktë i Librit të Shenjtë dhe i rrethanave të kohës. Historikisht burrat vështirë janë pajtuar me emancipimin e grave. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me botën islame, por edhe me atë perëndimore. Zvicra tek në fillim të viteve ‘70 u ka dhënë grave të drejtën e votës. Para 110 vjetësh mjeku gjerman Paul Julius Möbius në veprën e tij «Mbi budallallëkun fiziologjik të gruas» (botuar në Leipzig) shkruante se është e pavërtetë që gratë e arsimuara i edukojnë më mirë fëmijët e tyre se sa «gratë e natyrshme». Möbius kërkonte mbylljen e shkollave për vajza, largimin e grave nga puna, sepse, siç thoshte ai, «çfarë është lodhje masive për kokën e burrit për kokën e femrës është stërmundim». Këto konstatime përfunduan në bërllokun e historisë dhe nuk u morën seriozisht nga shoqëria gjermane.

E vërteta është se shamia ka shumë pak të bëjë me traditën islame. Në Kuran lista e rregullave të veshjes për një grua është shumë e shkurtër. Profesori Reinhard Schulze nga Instituti i Shkencave Islame dhe i Filologjisë Orientale në Universitetin e Bernës ka theksuar në një referat se shamia në traditën e Profetit nuk ka domethënie religjioze. Në Kuran shkruan se besimtarët duhet t’i bartin «rrobat e devotshmërisë». Kjo, sipas profesor Schulze, domethënë: «Besimtarët duhet t’i mbulojnë vendet e turpshme». Tani mund të pyesim: a është koka pjesë e turpshme e trupit? Në Librin e Shenjtë po ashtu thuhet se gratë duhet të bartin një lloj shalli apo mbulese mbi gjoksin e tyre, me fjalë të tjera: nuk mund të ecin me gjinj përjashta. Ky rregull i veshjes dallon nga periudha para-islame, kur femrat bartnin pak rrobe. Sipas profesor Schulze në ilustrimet e para nga shekulli i ‘10 valltaret e Profetit Muhamed shihen gjysmë lakuriq. Në Kuran tërthorazi kërkohet që të mbulohen ato pjesë të trupit të gruas, të cilat mund të ngjallin ndjenja erotike te meshkujt, por askund nuk bëhet fjalë për mbulimin e fytyrës apo kokës. Nëse vahabistët dhe selafistët e sotëm, pra nëse këta përfaqësues të rrymës ekstreme të islamit, kërkojnë mbulimin e grave nga frika se nuk mund t’i kontrollojnë epshet e tyre, atëherë ky është problem i tyre moral, fetar, social dhe kulturor.

Shkurt dhe shqip: çdo grua mund të vishet si të dojë, edhe të bart shami, por jo në institucione të shtetit. Aty të gjithë duhet të jenë të barabartë. Dhe barazia arrihet nëse të gjithë respektojmë disa rregulla elementare të shtetit laik apo sekular, quajeni si të doni. Ç’të bëjmë nëse nesër një mësuese e biologjisë fillon të japë mësim lakuriq? Për këtë arsye janë vendosur disa rregulla./dialogplus

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *