Kumbaro rikthehet në Përmet për Ditën e Verës: Stacion i pashmangëshm, potencial turistik për gjithë vendin!

Festimi i ditës së verës në Përmet tashmë po kthehet në traditë. Qyteti i trëndafilave ka pritur sot vizitorë të shumtë, jo veç nga zonat rreth e qark po edhe nga Tirana e qytete të tjera për të shijuar disa nga veccantitë që ky qytet ofron sidomos sa i takon kulinarisë e natyrës.  E pranishme në qytet për Ditën e Verës ishte edhe Ministrja e Kulturës dhe deputetja e zonës, Mirela Kumbaro e cila u shpreh se Përmeti po tregon vit pas viti se ka potenciale turistike jo veç për qarkun e Gjirokastrës, po për gjithë Shqipërinë.
“Rikthehemi në Përmet ku tashmë është bërë traditë festimi i Ditës së Verës dhe ku me kënaqësi konstatojmë se pas suksesit të vitit të kaluar, sërish Përmeti  përforcon vatrën e Ditës së Verës si një  ndër stacionet e pashmangshme dhe që ia vlen jo vetëm në Elbasan, por gjithnjë e më shumë edhe këtu. Me projektet që po zhvillohen dhe me të gjithë potencialin agroturistik që ka, Përmeti do të ofrojë mundësi të shumta për çdo ditë tjetër të vitit për turizëm.  Panairi i Ditës së Verës tregon që vet Përmeti ka potenciale për vete, ka potenciale për qarkun e Gjirokastrës, por edhe për gjithë Shqipërinë për të zhvilluar turizmin”, tha Kumbaro, e cila shoqërohej nga deputeti Flamur Golemi, prefekti i Gjirokastrës, Astrit Aliaj, kryebashkiaku i Këlcyrës, Klement Ndoni.
Ministrja Kumbaro pas vizitës së zhvilluar në Panairin e Ditës së Verës, mori pjesë në mbjelljen e trëndafilave, simbol i qytetit të Përmetit.
14 marsin e kaluar, deputetja dhe ministrja, Mirela Kumbaro premtoi se Dita e Verës në Përmet do të kthehej në traditë, falë promovimit te potencialeve të jashtëzakonshme që ky qytet ofron e që ende nuk njihen nga të gjithë. Veç Elbasanit, Dita e Verës tashmë ka stacion dhe Përmetin!


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *