Kultura si pasaportë është slogani i Ministrisë së Kulturës, edhe në bashkëpunimet e saj me Austrinë – një axhendë e pasur dhe përgjegjësi të reja midis Vjenës dhe Tiranës. Viti Kulturor 2018 Shqipëri – Austri
Ministrja Mirela Kumbaro ishte e ftuar nga homologu i saj, Ministri Federal për Çështjet e Artit, Kulturës, Kushtetutës dhe Medias i Austrisë, Z. Thomas Drozda për takime dypalëshe dhe për të konkretizuar veprime të bashkëpunimit kulturor, në vijim të rinovimit, vitin e kaluar, të Marrëveshjes midis dy qeverive në fushën e kulturës, arsimit dhe shkencës.
Ministrat Kumbaro dhe Drozda, ranë dakord të nxisin dhe shtojnë numrin e kandidatëve shqiptarë në programin “Artist in Residence” që zhvillohet çdo vit duke përgëzuar kandidaturën më të fundit nga Shqipëria, Olson Lamaj që përfiton qëndrim artistik në Vienë për vitin 2017 falë këtij programi.
Një projekt i rëndësishëm tashmë për të dy vendet është Pavijoni shqiptar në Bienalen e Artit në Venecia 2017, ku puna fituese e artistit Leonard Qylafi do të kurohet nga Vanessa Joan Müller, njëkohësisht nëndrejtoreshë e Kunsthalle Vienë.
Të dy ministrat shprehën vullnetin dhe u koordinuan për mbështetjen e plotë të kësaj ngjarje të madhe të botës së artit dhe të pjesëmarrjes së Shqipërisë në të.
Për këtë ministrja Kumbaro me cilësinë e Komisioneres së Pavijonit shqiptar në Bienalen e Artit, zhvilloi dhe një takim të posaçëm në Kunsthalle me drejtorin e këtij muzeu Nicolaus Schafhausen dhe me kuratoren Vanessa Joan Müller për të përcaktuar kalendarin e aktiviteteve të përbashkëta midis Venecias, Tiranës dhe Vjenës, si dhe partneritetet që do të mbështesin këtë pavijon.
Ministri Drozda ofroi gjithashtu mbështetjen për artistët austriakë që do të marrin pjesë në Bienalen e Artistëve të Rinj të Mesdheut. Ai u angazhua për të koordinuar më mirë punën midis institucioneve shqiptare dhe atyre austriake të Kulturës për ngritjen e rrjeteve për organizatat që marrin pjesë në programin europian Europa Krijuese.
Një tjetër mbështetje u ofrua nga kreu i Kulturës në Austri edhe në fushën e Teatrit të Operas dhe Baletit. Për bashkëpunime me Teatrin e Operas dhe Baletit, Ministrja Kumbaro zhvilloi gjithashtu edhe një takim pune më të detajuar me drejtorin e Staatsoper të Vienës, z. Dominique Meyer, I cili ofroi mundësi bashkëpunimi për trupën e Baletit dhe dirigjimin e Orekstrës të Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë. Zoti Dominique Meyer i cili ka qenë edhe anëtar i jurisë ndërkombëtare të Festivalit Marie Kraja, komplimentoi dy solistët shqiptarë Enkeleda Kamani dhe Klodjan Kacani si fitues të Konkursit europian për zërat e rinj lirikë ASLICO dhe këngëtarë operistikë premtues.
Në fund të qëndrimit të saj në Vienë, Ministrja Mirela Kumbaro zhvilloi gjithashtu takime në Ministrinë e Jashtme të Austrisë me Ambasadoren Teresa Indjein, Drejtore e Përgjithshme për Politikat Kulturore. Kjo mbledhje u përqëndrua në iniciativën e Ministrit të Jashtëm të Austrisë, Sebastian Kurz për të organizuar Vitin Kulturor Shqipëri – Austri që do të organizohet në 2018 nga dy Ministritë e Jashtme dhe nga dy Ministritë e Kulturës të të dy vendeve. Filloi kështu puna për përgatitjen e kalendarit dhe të përmbajtjes së vitit kulturor që do të përfshijë artistë e dhe njerëz të kulturës nga të dy vendet dhe shkëmbime reciproke.