Kulti i lumturisë së detyruar po shkatërron vendet tona të punës

Nga André Spicer

Në nismën e tyre për t’i bërë punonjësit më të lumtur, kompanitë kudo në botë kanë nisur vendosjen e pajisjeve argëtuese në vendet e punës. Google ka vendosur rrëshqitëse në zyrat e tij në Zyrih, në mënyrë që inxhinierët të mund të rrëshqasin ndërmjet kateve. Shitësi i këpucëve online, Zappos, i inkurajon punonjësit të vishen si kafshët e tyre të preferuara në ditë të caktuara. Lojëra kompjuterike, figurina filmash aksion dhe skutera, janë kthyer në diçka të përhershme në disa vende pune…
Distanca që kompanitë zgjedhin të përshkojnë për t’i bërë punonjësit të lumtur, teksa kalojnë orë gjithmonë e më të gjata në punë, nuk përfundon këtu: Tony Hsieh, shef ekzekutiv i Zappos, njihet për gotat e vodkas që kthen me punonjësit gjatë intervistave. Ndërsa, Expedia, e renditur edhe si vendi i punës më i lumtur në Mbretërinë e Bashkuar, e ka modeluar zyrën e vet në Londër, sipas një lokali nate, me bare falas, zona qetësimi dhe simulatorë të Formula 1…
…Por, pavarësisht gjithë këtyre përpjekjeve, puna mbetet sërish e mërzitshme. Sipas një sutimi të fundit nga “London School of Economics,” puna është vendi ku ne ndihemi më të trishtuar. Madje, i vetmi vend, apo rrethanë që na bën të ndihemi më keq, është të qëndrojmë të sëmurë në shtrat.
Synimi për t’i bërë punonjësit më të lumtur, është nxitur përherë nga një prej klisheve më të vjetra në manualin e manaxhimit të burimeve njerëzore: se, një punonjës i lumtur, është një punonjës më i mirë. Ashtu siç Ëilliam Davies tregon në librin e tij “Industria e Lumturisë,” kjo ide ka qenë pjesë e teorisë së manaxhimit qysh në vitet 1930-të. Problemi është se, pas dekadash kërkimesh në lidhje me lumturinë e punonjësve dhe produktivitetitn, rezultatet mbeten jobindëse…
…Lumturia në punë mund të jetë diçka e mirë për disa profesione – si punët ku duhet të përballesh me klientët, në të cilat duhet t’i bësh edhe ata të ndihen mirë – por, ekzistojnë prova se lumturia mund të jetë në fakt një pengesë në role të tjera. Një studim, përshembull, zbuloi se njerëzit e zemëruar priren të arrijnë rezultate më të mira gjatë një negociate, në krahasim me ato të njerëzve të lumtur. Njerëzit, që ishin në humor të mirë, gjithashtu e kishin shumë më të vështirë të pikasnin rastet e mashtrimit, krahasuar me ata, të cilët nuk ndiheshin edhe aq në humor…
…Por, lënia e hapësirës për një sërë emocionesh në vendin e punës, mund të jetë nga ana tjetër e rëndësishme për organizatën në tërësi. Kjo ilustrohet edhe në studimin e fundit, në lidhje me arsyet se përse Nokia, prodhuesi i telefonëve celularë, dështoi. Në 2007-ën, viti kur iPhone u hodh për herë të parë në treg, Nokia ishte prodhuesi kryesor i celularëve në botë. Ata, gjithashtu kishin informacione të mjaftueshme në lidhje me nismën e Apple dhe për këtë arsye duhej të kishin qenë në gjendje ta sfidonin me sukses.
Për më tepër, kompania finlandeze kishte investuar shumë në një sistem shfrytëzimi të quajtur Symbian, që në fakt nuk po funksiononte siç duhej. Manaxherët e ndërmjetëm në kompani e kishin kuptuar, por kishin frikë të komunikonin më lartë në hierarki lajmet e këqija, pasi nuk donin të dukeshin negativë. Ata e kishin marrë mesazhin: nëse donin që postet e tyre të mbeteshin të hapura, ishte thelbësore të tregoheshe vetëm në humor dhe të përcillje vetëm lajmet pozitive. Meqenëse manaxherët e lartë morën vetëm lajme pozitive, iu desh shumë kohë të braktisnin Symbian, dhe të kalonin në sisteme të tjera shfrytëzimi, për të prodhuar një smartphone për të qenë. Në këtë pikë, Apple dhe Samsung e kishin lënë mjaft pas Nokia-n dhe tashmë, ajo nuk prodhon më celularë…
…Dëshira për të qenë të lumtur në punë, është mëse e drejtë. Por, të detyrohesh të jesh i lumtur aty, mund të jetë shqetësuese. Nëse organizatat do të ishin vërtetë të interesuara për t’i bërë punonjësit të lumtur gjatë punës, atëherë ndoshta do të hiqnin dorë nga përpjekjet qesharake dhe do të kërkonin për zgjidhje shumë më të lehta. Një hap i thjeshtë do të ishte t’i lejonin punonjësit, të paktën një pjesë të kohës, të punonin nga shtëpia. Një studim eksperimental, tregoi se kënaqsia e punonjësve dhe produktiviteti ishin shumë më të larta, kur iu lejohej të punonin nga shtëpia.
Një hap tjetër jo i vështirë, do të ishte t’iu jepnin fund ndërhyrjeve tek punonjësit për shumë kërkesa të pakuptimta, si email-e të stërzgjatura, formularë burokratikë dhe inicativa të detyrueshme lumturie. Një studim i “Harvard Business School,” zbuloi se punonjësit ndihen shumë të kënaqur, ditët kur janë në gjendje të përqëndrohen thjesht në një punë të rëndësishme, duke bërë një progres të mirëfilltë në të.
Së fundi, heqja e një pjese të pasigurisë endemike që krijohet në shume vende pune, do të qe një hap i shkëlqyeshëm drejt bërjes më të lumtur të punonjësve. Në fakt, dihet se shumë nga ristrukturimet organizative dhe iniciativat për ndryshim, arrijnë fare pak, për të mos thënë se thjesht i bëjnë punonjësit më të trishtuar, duke rritur reputacionin e disa manaxherëve, e duke mbushur xhepat e këshilltarëve.
Një mënyrë se si organizatat mund t’i bëjnë punonjësit e tyre më të lumtur, përveç kthimit me fund të gotave me vodkga? Të mendohen gjatë dhe mirë, përpara se të bëjnë ndryshime të pakuptimta./Përshtati në shqip Bjorn Runa/ The Guardian


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *