Nga Fatos Daci
Unë kam shkuar dhjetëra e dhjetëra herë në qytetin e Kukësit. Kam qëndruar disa orë, kam qëndruar ditë të tëra, kam bujtur në atë qytet. Pra, kam pasur kohë që Kukësin ta shëtis rrugë më rrugë e rrugicë më rrugicë, si dhe në pjesët kryesore, ta vështroj në të gjitha anët. Gjëja që më ka mbetur në mendje e nuk me shqitet asnjëherë, ajo më kryesorja, është se në asnjë rrugë kryesore e në asnjë skutë të tij, unë, në asnjë rast nuk kam parë një lypës, nuk kam gjetur një njeri që të shtrijë dorën. Kështu, me siguri ka ndodhur me të gjithë ata që kanë vizituar Kukësin. Jam i sigurt, se as banorët e këtij qyteti karakteristik, më të veçantit, këtë gjë nuk e kanë parë asnjëherë dhe asnjëherë nuk janë përballur me lypës.
Ndofta, dikujt i duket se Kukësi është qyteti i lumturisë, qyteti i begatisë, qyteti i mirëqenies. Ndofta, dikush mendon se në këtë qytet njerëzit jetojnë përmes bollëkut dhe askush nuk është në nevoje. Por, nuk është kështu. E vërteta është se qarku i Kukësit renditet ndër qarqet me varfëri ekstreme. Në shkallë vendi, qarku i Kukësit, qarku i Dibrës dhe qarku i Lezhës, janë tri qarqet me varfërinë më të madhe në vend. Megjithate, në të gjitha qytetet e vendit, ku më shumë e ku më pak, ka lypsa. Në Kukës , jo!
Në qytetin e Kukësit, niveli i papunësisë është shumë i lartë. Moshat e reja, djem e vajza janë të papunë e të pashpresë. Rinia është e shkolluar dhe e kualifikuar, por nuk ka asnjë hapësirë për t’u punësuar. Ndaj, djem e vajza i kanë hedhur sytë nga emigracioni. Ma do mendja se kuksianët janë komuniteti më i madh i emigrantëve shqiptarë në Britaninë e Madhe. Po kështu, si zogjtë e korbit janë shpërndarë në të katër anët e botës, ku jetojnë me dhimbjen në zemër për njerëzit që kanë lënë në Kukës, për të dashurit e tyre, që kanë njëmijë e një halle.
Në anën tjetër, fshatarësia jeton keq e më keq. Kukësi ka fare pak tokë bujqësore dhe ajo tokë që është prodhon pak, nuk ka ujë për vaditje dhe sjell vetëm pak të ardhura në vit, aq të ardhura se nuk mbulohen shpenzimet.
Ndihma ekonomike, apo thjeshtë ndihma sociale, është fare e ulët, nuk mjafton as për të paguar ujë e drita, ilaçe apo gjera të tjera të domosdoshme. Pensionet e fshatit janë shumë të ulëta, aq sa nuk garantojnë të zgjidhin asnjë nga hallet e shqetësimet e tyre të përditshme. Pra, Kukësi, jeton në varfri ekstreme.
Po, si mundet që në këtë qytet askush nuk shtrinë dorën? Argumentuam se Kukësi nuk është qyteti i lumturisë, përkundrazi është qyteti i skamjes migjeniane. Por, kuksianët janë njerëz me virtyte të larta morale, janë qytetarë me sedër të madhe, janë krenarë për veten dhe vendin e tyre. Krenaria e burrit të malësisë së Kukësit dhe krenaria për veten e tyre kanë qenë armët me të cilat kuksiani, brez pas brezi ka përballuar sfida edhe më të mëdha.
Ka bërë luftëra të pabarabarta dhe i ka fituar. Ka ra ngushtë ekonomikisht, por askujt nuk i është ankuar, ka sfiduar veten dhe varfërinë. Ka vënë fëmijët në gjumë pa bukë, e kush vesh s’e ka marrë. Një grusht miell misri ka pasur në magje, e mikun pa bukë s’e ka përcjell. Kafe nuk ka pasur e mikun pa kafe s’e ka përcjell. Një mijë halle i kanë vluar në shpirt, por mikut i ka buzëqesh sikur ai nuk ka patur asnjë hall e asnjë shqetësim.
Hasmi e ka lodhur, por nuk e ka nënshtruar. Armiqtë e kanë shqetësuar, por kurrë nuk kanë arritur për ta dorëzuar. Kuksianët kanë rezistuar, kanë luftuar, nuk janë mposhtur. Kanë sfiduar të papriturat dhe vështirësitë dhe përmes tyre janë kalitur më fort e janë bërë më të pamposhtur.
Ja përse Kukësi nuk ka lypsa. Kukësi nuk ka lypsa se kuksianët janë njerëz të besës, njerëz të fjalës; njerëz që janë rritur e kalitur përmes vështirësish. Kuksiani, historikisht nuk e ka ulur ndonjë herë kryet. Kuksiani nuk është përlotur, dhe kur duhej. Kuksiani nuk është qullur, edhe kur mundej të qullej. Kuksiani nuk ia ka shtrirë dorën kujt, edhe kur mundej. Kuksiani është kafërdisur brenda vetes, të keqen e ka gëlltitur e lot nuk ka nxjerrë. Të mirën e ka ndarë me të tjerët, dhe thë tjerëve s’ju ka kërkuar asgjë.
Kuksianët, kurrë nuk i janë servilosur ndokujt. “Këmbën e vetë kanë ngrenë”, e krenarinë s’e kanë shitur lehtë. Ka ndodhur kështu se kuksianët janë krenarë për veten e tyre, krenarë për vendin e tyre, të cilin e duan aq shumë, edhe pse në atë vend, jeta ka qenë e vështirë dhe nuk iu ka afruar gjithë të mirat e domosdoshme për të jetuar normalisht. Por, asnjëherë vendit të tyre nuk ia kanë kthyer shpinën. Asnjëherë Kukësin nuk e kanë ndërruar me vend tjetër.
Mund t’i ketë përdorur politika, por kuksianëve s’ka arritur t’ua ulë kokën, asnjëherë politika nuk ka arritur t’i poshtërojë dhe asnjëherë politikës kuksianët nuk i kanë besuar verbërisht.
Ja pra, përse Kukësi nuk ka lypsa. Kukësi nuk jyp, por Kukësi kërkon dhe e merr atë që i takon. A s’është kjo një vlerë e shtuar e kombit dhe e vendit tonë?!