Ervin Nezha
Ai quhej Malton, sapo ishte divorcuar dhe ndiqte autostradën për të mbërritur qytetin. Ishte i vetëm në makinë dhe ngaqë rruga ishte e drejtë, më tepër se rrugën, vështronte horizontin.
Natën, horizonti i kuq në rrafshinë duket sikur ka marrë zjarr ngaqë dielli ulet poshtë. Hapësira është e madhe dhe e rrafshët, sa vija e asfaltit, e ndan botën në dy gjysma. Përreth qe heshtje…Heshtje si në shkretëtirë. Dëgjohej vetëm era që lëvizte me zhurmë.
U ndje i vetmuar dhe hapi radion. I pëlqeu një këngë e Johnny Cash,- Ain’t No Grave,- dhe Maltoni zuri të këndonte pas këngës.
Aty ku harronte tekstin, vijën melodike e ndiqte me fishkëllimë.
Dikush që do ta shikonte do mendonte se ishte i lumtur, por ai nuk ishte. Ndjehej i çliruar, jo i lumtur. Kishte bërë mjaft kilometra, kur makina frenoi fort, sepse nga dritarja burri dalloi diçka anash rrugës. Zbriti të shihte. Qe kufoma e dikujt, brenda një thesi të bardhë.
Kjo gjë e befasoi Maltonin, por nuk e çuditi. Ky qytet ishte i egër, me vrasje, krime dhe kufoma të tilla ishin gjetur edhe më parë, sidomos brenda territorit të paanë të rrafshinës.
Deshi të komunikonte me policinë, por celulari nuk kishte valë. Kjo gjë e shqetësoi. Në fillim mendoi ta braktiste kufomën aty ku e kishte gjetur, më pas hoqi dorë nga kjo ide, pasi iu kujtua nëna, që gjithmonë i thoshte se çdo i vdekur, sado i ligë, meriton të ketë varr. Edhe ky i vdekur, s’kishte përse të bënte përjashtim, kushdo që të ishte. Kështu që vendosi ta hapte thesin, për t’i parë fytyrën. Mund ta njihte. Me siguri do të qe ndonjë nga anëtarët e bandave të plaçkitësve të qytetit. Ata zakonisht lanin hesapet me njëri-tjetrin.
Nuk doli ashtu siç mendonte, pasi gjeti brenda thesit kufomën e një gruaje. Fytyra e saj, qe e imët, e bardhë dhe e pastër.
I dukej e njohur ajo fytyrë. Duhej të qe e ndonjë prositute të qytetit, me të cilën, ndoshta, kishte shkuar në të kaluarën, mirëpo nuk qe i sigurtë, sepse kjo gjë nuk i kujtohej. Kështu që Maltoni, e mori thesin në kraha, si të qe me patate dhe e hodhi mbi shpatullat e gjera. Nga aty, e vendosi mbi karrocerinë e dystë të Toyotës, dhe vazhdoi rrugën.
Ndërkohë, nata bëhej më e errët. Një hënë e madhe qëndronte m’u në mes të rrafshinës, aq e ndritshme, sa dritat e makinës nuk shërbenin thuajse për asgjë. Makina ecte shpejt, dhe burri u ndërmend vetëm kur vuri re radion që ishte fikur. Nuk mbante mend ta kishte fikur dhe ky detaj i vogël po e bezdiste së tepërmi. Vendosi ta injoronte këtë gjë pa rëndësi, duke provuar ta ndizte përsëri.
Tanimë kënga “ Ain’t No Grave” kishte përfunduar dhe kanali radiofonik, po jepte parashikimin e motit. Nga mesnata priteshin stuhi ere me rrebeshe shiu, por burri nuk u shqetësua sepse qyteti ishte fare afër. Pas një jave të lodhshme, me pyetje, avokatë, grindje, ecejake nëpër zyra, më në fund do të kalonte një natë të qetë në shtëpi.
Puna e kallëzimit të kufomës nuk e shqetësonte, pasi do të ishte vetëm një formalitet, mirpo nuk përjashtohej mundësia që dikush ta merrte në pyetje dhe atëherë puna ndërlikohej, pasi duhet të qëndronte në komisariat disa orë më tepër dhe ai ishte i pangrënë.
Gjithçka mundej, pasi procedurat e policisë dreqi i merrte vesh. Për t’a paraprirë një situatë të tillë, vendosi të hante diçka në fast foodin e parë që hasi në rrugë.
Kjo qe një barakë e vogël si kërpudhë petashuqe, as 2 km larg qytetit, ku shërbente një burrë i shkurtër, i shëndosh, me kokë të rruar taze.
Porositi një sanduiç dhe e shoqëroi me një birrë. Bullafiqi që shërbente, e njihte dhe duke pastruar tryezën me një shami, e pyeti,
-Nga ke humbur Malton ?
-Rrugëve,-Gordon.
-Po tani nga po vjen ?- e vazhdoi bisedën burri ishëndoshë që quhej Gordon.
-Sapo i dhashë divorcin asaj kuçkës, -u përgjigj thatë, – tani le të pallohet sa të dojë me atë pronarin e rrobaqepsisë. Atë kaqolin, Terrin !
Bullafiqi qeshi me gjithë shpirt, aq sa e mbyti kolla dhe nuk foli më. As tjetri nuk foli.
Pagoi paratë dhe iku, makina u shkul nga vendi duke xhiruar gomat. Tymi dhe rëra u ngritën shumë lart dhe bullafiqi shau nëpër dhëmbë.
Kur mbërriti qytetin qe vonë. Burri e voziste makinën me një lehtësi të madhe pasi rrugët ishin bosh. Pikat e para të shiut kishin nisur të binin, kur mbërrite në oborrin e komisariatit. Fiku makinën, fiku dritat, doli jasht dhe u drejtua për nga karroceria. Dy policë e vunë re makinën brenda rrethimit, ndezën elektrikët e dorës dhe po afroheshin. Ndërkohë, Maltoni vështroi edhe njëherë brenda thesit, si për t’u siguruar se ajo ndodhej aty. Hëna që qe zmadhuar shumë, tani lëshonte më shumë dritë dhe burri u rrëqeth nga fytyra që pa këtë herë brenda thesit.
Ndjeu një pendesë të thellë që kishte ardhur, por nuk kthehej dot pas. I dukej sikur policët, tanimë i dinin të gjitha. Kështu duhet të ishte. Fytyrat e tyre ishin të vendosura dhe serioze. Dy policët po afroheshin edhe më shumë dhe ai nuk guxonte ta zbulonte kufomën.
Njëri nga policët i drejtoi një pyetje, të cilën edhe pse e dëgjoi, përsëri nuk mundi të belbëzonte dot një përgjigje. Lëshoi vetëm një psherëtimë.
Duhej ta kishte mbaruar punën atje, në mes të rrafshinës, por nuk e dinte se ç’kishte ndodhur që gjendej në atë komisariat të mallkuar. Ende pa u afruar policët, drejtoi duart para instiktivisht dhe priti ashtu për një kohë të gjatë. Ndjeu prangat e rënda dhe dëgjoi fjalën “je i arrestuar”.
Pastaj eci qetë, i lidhur, përgjatë një korridori të ngushtë, duke fishkëllyer me vete melodinë e këngës ” Ain’t No Grave”, që nuk i shqitej nga mendja, pa u shqetësuar aspak për kufomën.
Qershor 2021