Yasmin Ahmed, The Independent
Sërish Europa u trondit nga impakti i sulmeve terroriste- dhe, edhe njëherë, ajo iu përgjigj në një mënyrë që e kemi parë si një rutinë tragjike.
Në rrjetin social Facebook ne bëmë check-in për të treguar që ishim të sigurtë, hashtage në Twitter dhe postera të tjerë. Në jetën reale flamuri belg do të ngrihet apo do të projektohet mbi monumentet kombëtare të vendeve fqinje. Përgjigjet kanë marrë ritualin morbid të një funerali. Dhe ndoshta, ato janë të rëndësishme për të na ndihmuar në procesin e tmerrit të pashpjegueshëm dhe duke na dhënë disa mjete me të cilat të komunikojmë përballë terrorit.
Kryetari i Bashkisë së Parisit shkroi në Twwiter se Kulla Eiffel do të ndriçohej me ngjyrat e flamurit belg, Downing Street ngriti flamurin belg dhe BBC ka raportuar se fjala “Bruksel” ka dominuar Twitterin në gjuhë të ndryshme në mbarë botën.
Megjithatë, ekziston një shqetësim, kur ne shpërndajmë karikatura nga Plantu që tregojnë solidaritetin e Francës me Belgjikën. Ku ishin posterat tanë për ata që kanë vdekur në Turqi në duart e terroristëve? Pse nuk e ngriti Downing Street flamurin turk pas mizorive në Ankara?
Javën e kaluar tre vdiqën dhe 36 u plagosën; në shkurt 28 vdiqën dhe 60 mbetën të plagosur; në janar dy sulme lanë 18 të vdekur dhe 53 të plagosur. Në vitin 2015 një valë sulmesh lanë 141 të vdekur dhe 910 të plagosur.
Pesha e një sulmi terrorist nuk duhet të matet në aspektin e numrave në të plagosur dhe të vdekurëve. Çdo jetë që merret për të provuar një pikëpamje politike është një shkelje, një krim. Por shifrat qëndrojnë. Kishte kaq shumë jetë të humbura në Turqi dhe sërish Evropa mbeti memece.
Duket se ka kufij në solidaritetin tonë dhe këta kufij janë të pakëndshëm, ashtu si vet harta e Evropës Perëndimore. Turqia thjesht mbetet jashtë sferës sonë të kujdesit, jo aq afër të meritojë dhimbjen tonë.
Turqia është një vend diku, ekzotik, diku ku ne kalojmë pushimet, por jo diku ku ne mund të kuptojmë apo të shprehim solidaritetin tonë.
Indiferenca jonë dhe dyshimi ynë tek Islami është duke nxitur organizatat terroriste si Isis. Si një myslimane dhe si një e mbijetuar e terrorizmit, Malala Yousafzai kohët e fundit u shpreh kundër ndarjes së viktimave të terrorizmit në Perëndim dhe në Lindje duke thënë: “Në qoftë se qëllimi juaj është që të ndaloni terrorizmin, mos u përpiqni të fajësoni gjithë popullsinë muslimane për të, për shkak se [kjo] nuk mund të ndalojë terrorizmin”.Ne duhet të dëgjojmë paralajmërimin e saj të fundit;” Kjo do të radikalizojë më shumë terroristë”.(Pasqyre.al)