Ku i kam eshtrat….

NGA: RIKARD LJARJA
Të gjithë kemi histori, problemi është si ta tregojmë historinë. Timen, apo historinë tënden. Mënyra e të treguarit është thelbi i aftësive, i talentit. Po ka edhe një problem të vogël: Çfarë do të themi dhe pse, se nuk mjafton vetëm historia. Se që hamë, nuk përbën ndonjë çudi. Çudi bën që s’hamë. Pse nuk hamë! A kemi ushqim! Kush na e ka marrë bukën?! Pse na e kanë marrë? Se po s’hëngre vdes… etj., etj. Para disa ditësh Pluton Vasi na mblodhi në sallën e Muzeut Kombëtar dhe na tregoi një histori. Nuk ishte historia e tij. Ishte historia e Rokut. Në dyzet e pesë minuta na u shpalos historia e Rokut. Shkallë-shkallë morëm vesh se kush ishte Roku. Çfarë e gërryente Plutonin që e kishte vënë në qendër të filmit Rokun dhe çfarë të veçante kishte Roku? Apo Roku nuk kishte ndonjë gjë të veçantë, se si ai, sot e kësaj dite ka me dhjetëra e qindra. Po a duhet të ketë më njerëz me hallet e Rokut? Në vend të Rokut a mund të ishte një i njëjtë? Pa dyshim që po. Plutoni nëpërmjet historisë së Rokut donte të thoshte shumë gjëra të tjera. Po a i tha?! Unë mendoj se i tha.

Bile i tha mirë, shumë mirë. Egër. Fort. Rokut, fitimtarët menjëherë sapo morën pushtetin, i pushkatuan të atin. Se që ta mbanin pushtetin që morën, duheshin spastruar ata që mund të përbënin rrezik. Dhe sipas mendjes se tyre, i ati i Rokut mund të ishte i rrezikshëm. (Si shumë e shumë të tjerë). Kjo nuk na çudit. Na çudite tjetër gjë: Çudia është se kanë kaluar kaq vite, është ndërruar rrëgjimi, nuk ka më diktaturë dhe Roku nuk ka një varr ku të ulë kokën dhe të lutet për shpirtin e tij. E ata që e vranë janë gjallë dhe prapë se prapë nuk ia tregojnë Rokut ose të njëjtit si Roku ku janë hedhur eshtrat, ku gjenden kokallet, që t’i mbledhin, t’i bëjnë një varr, t’i bëjnë një ceremoni ndoshta edhe me një prift, e në krye të varrit të vënë një kryq. Mjetet e përdorura nga Plutoni për të na e shpalosur këtë histori janë shumë interesante, kuptimplota. Së, pari Plutoni Rokun e ka vendosur në breg të liqenit të Shkodrës, në Shirokë. Roku në Shirokë. Koincidencë? Dyqind vite përpara, a më shumë a më pak, në Shirokë ra murtaja e bëri kërdinë.

Shumë vdiqën e shumë ikën. (Ndër ta edhe të parët e nanë Terezës). Ata që shpëtuan, besuan se duke iu lutur Shna Rokut shpëtuan. (Pavarësisht se edhe sot e kësaj dite të gjitha gratë e Shirokës rrinë me brushë me gëlqere në dorë e lyejnë muret e shtëpisë, kalldrëmin o çimenton e oborrit. Ishte e vetmja mënyrë desinfektimi dhe që me kalimin e viteve u bë traditë, zakon. Edhe sot e kësaj dite, pajtori i Shirokës është Shna Roku, që festohet më 15 gusht të çdo viti. Pra, Roku i dëshmisë në film – te vendi ku pajtori është Shna Roku. Nuk ju duket interesant, nuk ju pëlqen? Mua po, më pëlqen. Diku aty në një qoshe pa rënë shumë në sy, gjatë dëshmisë së Rokut, janë dy peshkatarë që rregullojnë rrjetat. Janë si kot, si pa dashtë. Në sfond. Rregullojnë rrjetat që të kapin peshk. Ë? Peshk?! Si pa dashtë?! Gjatë dëshmisë së Rokut pa u futur në kuadër bëhen prezente të çjerrat e pulëbardhave. Kur futen në kuadër janë një tufë e egër, e frikshme, e uritur që vërsulen drejtë ujërave të qeta që të gllabërojnë peshq të pafajshëm. E Roku vazhdon të na tregojë për babën që ia pushkatuan dhe nuk i tregojnë që nuk i tregojnë se ku i kanë përfunduar eshtrat e të atit. (Kurse disa bizantinëve, jo që i tregojnë se ku i kanë eshtrat e njerëzve të tyre në tokën tonë, po u thonë pritni t’u japim edhe ca eshtra nga të tanëve meqë nuk ju del hesapi. Pra, eshtra në tokën tonë.

Ata që i kanë dalë zot të na drejtojnë, le të bëhen një herë burra e t’i thonë ejani e merrini e çojuani familjarëve të tyre, të prehen në tokën e tyre, t’u bëjnë nga një varr, a një të përbashkët ushtarëve të panjohur që ranë në tokën e huaj për të mbrojtur atdheun e tyre, t’u bëjnë edhe një kryq dhe t’ua venë në ballë, më të madh se atë që kanë bërë në tokën tonë, o t’i marrin me gjithë kryq. Nuk do votoni që ne të hymë në Europë? E pastaj?! S’duam të hymë! E kush po ju pyet ju a duhet apo s’duhet të hymë ne në Europë?! … Dhe pulëbardhat çirren. Dhe Roku tregon se nuk ia tregojnë vendin ku ia kanë hedhur kokallat e të atit. Dhe gjithçka është bardh e zi. Aty buzë ujit. Aty ku pajtor është Shna Roku. Pa pritur në ekran (gjithmonë bardh e zi) shfaqet një auditor në Fakultetin e Drejtësisë sot. Lektorja jep leksion mbi të drejtën romake, mbi të drejtën zakonore, me elokuencë. Studentët dëgjojnë me vëmendje… Më vjen shumë keq për profesoreshën që lodhet me seriozitetin më të madh t’i shpjegojë brezit të ri të drejtat dhe detyrat e qytetarit. Po a i hynë në kokë studentëve leksionet për të drejtën kur janë të bombarduar nga të gjitha anët me vrasje, vjedhje bankash, vjedhje pronash, vjedhje nderi… lakuriqësi në të gjitha kuptimet… E kujt po i duhet e drejta romake e ajo zakonore?! Ç’punë kemi ne me këto të drejta?! Ne kemi të drejtat tona, të drejtat e kohës sonë! Apo jo!? Ne kemi të drejtë të fshehim krimin dhe kriminelin.

Kemi të drejtë të vrasim vëllain për dy gisht tokë. Kemi të drejtë të përdhunojmë në mënyrë kolektive vajzën e komshiut. Kemi të drejtë që të mbledhim e të shesim kanabis. Kemi të drejtë që motrat tona të kopjojnë njëfarë Kimi. Kemi të drejtë të marrim identitetin një të panjohuri… Kemi të drejtë për gjithçka, përveç të bëjmë drejtësi e të kërkojmë drejtësi. E Roku vazhdon të kërkojë eshtrat e të atit. A është në vete ky Roku? Në gjithë këtë kaos, ky Roku duket absurd! Vërtetë absurd. Pastaj vjen karrigia. Karrigia që shfaqet mes njerëzve. Karrigia që është e vetmuar. Që është kudo. Që nuk e dimë kush ka qenë i ulur në të. Lajtmotiv që përsëritet e gërshetohet me gjetjet e tjera. Dhe s’mbarojnë gërshetimet. A thua kjo karrige është e fajtorit? Po cilit? Kush është fajtori që ka qenë i ulur në atë karrige? Ai që dha vendimin për ekzekutimin e babës së Rokut? Apo turma që bërtiste me histeri “armiqtë në litarë”, se edhe ata ishin të ulur në karrige.

Apo baba i Roku? Se edhe ai u ul në karrige. Apo në fund të fundit Roku si trashëgimtar direkt i të pushkatuarit. Po a mund të çohet sot në pushkatimore Roku se kërkon një të drejtë fare të thjeshtë: Eshtrat e të atit? Ai s’po kërkon të vras njeri – thjeshtë: eshtrat e të atit, një grumbull kockash ku të ketë një vend ku të ulu kokën, të derdh dy pika lot, në qoftë se i kanë mbetur, të vërë një kryq në krye dhe të lutet për shpirtin e tij të pafajshëm. Dhe unë besoj se në atë lutje do të kërkojë falje edhe për ata që e çuan të atin në pushkatimore. Por absurdi vazhdon. Roku dënohet. Dënohet sepse edhe ai është fajtor, kërkon një gjë që s’mund t’i jepet. Dënohet me përzanje. Ai ikën përfundimisht nga kjo tokë që siç duket nuk pati vend për të. Dhe kur të vdes një ditë, se të gjithë të vdekshëm jemi, do të varroset larg, shumë larg dhe atij do t’i hup varri. Pluton Vasit dhe gjithë bashkëpunëtoreve të tij i uroj sukses./Gazeta Shqiptare/BalkanWeb

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *