Pasqyre.al
Një tren i vjetër, me udhëtarë të pazakontë u nis mesditën e 30 prillit nga Tirana drejt Shkodrës. Ndryshe nga sa mund të parapërfytyrohet në këtë tren të vjetër, me vagona të vjetër, blerë nga trenat e perëndimit po të vjetër, njerëzit që e populluan ishin të bukur, të rinj, të qeshur.
Një pjesë e pasgjerëve u nis me autobus nga qendra e Tiranës deri në Kashar, tek stacioni. Disa të tjerë kishin ardhur me mjete të tjera. Në ajër endej një atmoferë elektrizuese për kthimin pas në kohë. Po. Ishte vërtetë një kthim pas në kohë, një udhëtim me trenin që bënte çaf-çuf, drejt viteve jazz. Zonjusha të veshura me fustane të zinj me thekë dhe pupla në kokë, djem të rinj që të kujtonin filmat bardhezi, me tiranda e kapele të një epoke tjetër, veçse me ngjyrat e një rinie që ka dëshirë për argëtim, për jetë, për vallëzim.
Ishte një ide brilante ajo e Heminguej Club, që në ditën ndërkombëtare të Jazz, të organizonte një event të tillë në Shqipëri. Treni rrëshqiti në shina pak a shumë në orën e planifikuar, u dëgjua boria dhe zërat e njerëzve në tren u përzien me muzikën që nisi të luhej:Jazz. Udhëtarët u ulën si fillim në sediljet e tyre, pastaj jo më. Të gjithë ndryshuan vendet dhe shumica e udhëtimit me tren kaloi në këmbë. Biseda që shkëmbeheshin, këmbë që luanin sipas muzikës, të qeshura, flirte, rum dhe birrë sipas dëshirës. Dikush shijonte peizazhin e mrekullueshëm të një natyre tjetër shqiptare përmes dritareve me xhama të hapur apo të krisur të vagonave. Të gjithë kishin veshur rrobat, buzëqeshjen dhe lirshmërinë e një kohe tjetër, të një brezi tjetër, të një shekulli tjetër. Muzika endej në të gjithë vagonat e mbushur plot. Alkooli që ç’tendoste fytyrat edhe të më stoikëve, të cilët atypëraty i harruan kostumet e zyrave, hijet e profesioneve të tyre dhe e lanë shpirtin të lirë për disa orë. Treni ndali në çdo stacion nga Tirana në Shkodër për të marrë udhëtarë e tjerë, të cilët përtej xhamave shihnin me habi pasagjerët e çuditshëm, të cilët dukej sikur kishin dalë nga ekrani i një kinemaje të vjetër.
Të ishe pjesë e këtij treni “swing” veç kënaqësisë dhe detajeve perfekte të organizmit, nuk mund të të mos bënte përshtypje uria e një shoqërie për argëtim, për muzikë, për kulturë, po qoftë dhe për të shkëmbyer me njerëz të panjohur biseda, të qeshura apo thjesht, një kërcim. Një dalje nga Tirana jonë e mbytur me formalizma, me inate, me një lloj indiferentizmi ndaj tjetrit, i cili shtohet e shtohet përditë. Nga jeta e Tiranës, ku të gjithë dalim nëpër bare e lokale për tu ndjerë edhe më të vetmuar, për të mos folur me “të huajt”, për të mos ndarë një gotë apo një vallëzim. Pas rreth katër orësh treni u ndal në Shkodër. Njerëzit me veshjet e çuditshme “pushtuan” qytetin, disa në këmbë dhe të tjerët me biçikletat që ishin vendosur tek stacioni i trenit për udhtarët e pazakontë. Dy djem në një servis makinash lanë punën pasi panë turmën që po mbushte rrugicat e qyetit të tyre dhe përshëndetën femrat me pupla në kokë në gjuhë të huaj. “No, non ci sono albanesi, apo jeni vajza”?
“Njerëzit e trenit” vijuan rrugën deri tek “Kafja e madhe” e qytetit të Shkodrës, aty ku festa vazhdon me bandat që luajnë live dhe njerëz të ndryshëm i bashkohen atmosferës së gëzueshme, ku çdokush mund ta ndjej veten në sallat e kërcimit të fillim shekullit të kaluar.
Mbrëmja u mbyll në Teatrin Migjeni me magjinë e tingujve që endeshin në ajër nga bateria e Alberto Botta-s apo nga performanca e trombetistit dhe kompozitorit të njohur Michael Supnick e saksofonistit Fabiano “Red” Pellini.