Klementina Cenkollari
Ruajtja e historisë dhe trashëgimisë na kujton se nga kemi ardhur. Por përballë kërkesave për modernizim dhe zhvillim duhet gjetur ekuilibri i duhur. Kështu shprehet në një intervistë për MCN TV kryebashkiaku i Brukselit, Filip Klose. Ndër qytetet me menaxhim model, kryeqendra e BE-së po u jep më shumë hapësirë alternativave të reja të transportit, për të pakësuar trafikun dhe rrjedhimisht edhe ndotjen. Në funksion të kësaj, për transportin publik, Klose thotë se janë investuar 2 milionë euro.
Zoti Close, së pari një pyetje lidhur me pandeminë, meqenëse na ka prekur të gjithëve njëlloj; ndërsa Belgjika ishte një nga vendet më të goditura. Si është gjendja tani dhe cilat janë planet tuaja për vjeshtën e ardhshme?
Është fat i madh që vaksinimi po përparon shumë shpejt. Ne jemi një nga vendet me më shumë banorë të vaksinuar. Kjo na jep mundësi të mbrojmë njerëzit tanë. Mesazhi kryesor që do të doja të përmendja është vaksinimi si domosdoshmëri për të përballuar këtë pandemi. Por, krahas nxitjes së popullsisë sonë për t’u vaksinuar, ne duam të tregojmë dhe solidaritetin me vendet e tjera.
Një nga sfidat e kohës në të cilën jetojmë është planfikimi urban dhe reduktimi i ndotjes. Të paktën nga të dhënat e publikuara, Brukseli konsiderohet qytet me nyje trafiku, me një raport ndërmjet transportit publik dhe atij privat në favor të këtij të fundit?
Është shumë e rëndësishme që së pari të zhvillohet transporti publik, krahas llojeve të tjera alternative, si lëvizja me biçikleta dhe ecja. Këtu në Bruksel ne duam që kjo çështje të ketë përparësi. Ndaj, në transportin publik janë investuar fonde të mëdha, pothuajse dy miliardë euro, që njerëzit të lëvizin por dhe të mësojnë të lëvizin, duke përdorur makinat sa më pak të jetë e mundur. Natyrisht, kur nuk ka zgjedhje tjetër, do të përdoren dhe ato, por gjithsesi duke pakësuar trafikun. Së pari, për të mos humbur kohë në bllokime të trafikut, por edhe për të pakësuar ndotjen e ajrit.
Përveç trafikut dhe ndotjes që vjen prej tij, është dhe tematika e ngrohjes, energjisë elektrike dhe izolimi i ndërtesave. Ne duam të sigurojmë kushtet për shëndet më të mirë për qytetarët tanë duke luftuar ndotjen.
Si është zgjidhur në Bruksel raporti midis nevojës për të mbrojtur trashëgimisë, godinat dhe zonat historike dhe kërkesave për zhvillim dhe modernizim?
Kjo është e vështirë! Ja, këtu jemi në mes të një objekti historik, që është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s; është ky shesh madhështor (Grand Place) dhe godina e Bashkisë së qytetit. Është një ekuilibër kompleks, mbasi qyteti duhet të lëvizë, por dhe të ndryshojë në të njëjtën kohë! Puna në një qytet nuk mbaron kurrë, se dalin gjithmonë gjëra të reja! Shpesh pyesin kryebashkiakët se kur do të mbarojnë punët në qytet! Përgjigja ime është: Asnjëherë! Sepse një qytet që ka përfunduar punën është një qytet që po “vdes”.
Në të njëjtën kohë, ruajtja e historisë dhe trashëgimisë sonë na kujton se nga kemi ardhur. Pra, ne duhet të gjejmë ekuilibrin e duhur.
Zoti Klose, këtu në Belgjikë jeton një komunitet shqiptarësh, të cilët shpesh tërheqin vëmendjen e medias me aspekte nga “kronika e zezë”. Si është gjendja e këtij komuniteti në Bruksel dhe a ka stigmatizime ndaj shqiptarëve?
Jo, unë nuk mendoj kështu! Po, ka patur imazhe të tilla, por pjesa më e madhe e komunitetit shqiptar në rajonin tonë është jashtëzakonisht e integruar në të gjitha nivelet. Ne kemi festuar Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, kemi vendosur flamurin shqiptar në majë të ATOMIUMIT; gjithashtu, i kemi vendosur kapelen e vogël shqiptare “Manneken Pis” duke e quajtur “Manneken PLIS” të veshur me kostumin shqiptar; këto janë momente që na sjellin shumë ngrohtësi. Kështu që, ndonjëherë mund të ketë stigmatizime ndaj elementëve të caktuar, por krimi ekziston kudo. Unë mendoj se komuniteti shqiptar përfaqëson një migracion shumë të vjetër këtu në Bruksel, që i takon viteve 50, ai është shumë i integruar dhe një forcë shumë e madhe në mbrojtje të Belgjikës. Ky komunitet është mjaft i pranishëm dhe në Bruksel, duke treguar shumë solidaritet dhe dukuri pozitive në qytet.
Përse shkojnë aq pak turistë belgë në Shqipëri dhe çfarë mund të bëhet për të ndryshuar këtë situatë?
Shqipëria është një vend fantastik, kam patur fatin ta vizitoj.
Shqipëria ka male dhe bregdet të mahnitshëm. Por, duke qenë vend i mbyllur për një kohë të gjatë, në ndonjë rast shfaqet ende ky imazh. Kam patur shumë kontakte me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, e cila është gjithashtu një qytet në zhvillim të plotë. Ai erdhi këtu, kur Shqipëria ishte “ Mysafiri ynë i Nderit” në Panairin e “Kënaqësive të Dimrit 2017” ku ndodhet dhe Tregu i Madh i Krishtlindjeve. Ka aq shumë gjëra për të zbuluar në vendin tuaj; ndaj, mendoj se Shqipëria duhet të tregojë më shumë se çfarë po bën.
Kur shohim se si është zhvilluar turizmi në Kroaci, për shembull, në të vërtetë ka shumë ngjashmëri me ju. Gjithashtu, është jashtëzakonisht interesante kur sheh Maqedoninë apo dhe vendet te tjera që lagen nga Deti Adriatik.
Si me bregdetin dhe me malet, kam bindjen se Shqipëria është një vend që mbetet për t’u zbuluar; ka dhe avantazhin se nuk është “kolonizuar” ende plotësisht nga turizmi. Shqipëria duhet ta ruajë këtë autenticitet natyror dhe të të joshë për ta vizituar.
Jam i sigurt se kur njerëzit ta zbulojnë Shqipërinë, ata do të dëshirojnë të kthehen sërish atje.
Jam shumë i sigurt për këtë.
Dhe një fjalë e fundit, të gjithë shqiptarët janë të mirëpritur në Bruksel!!
Faleminderit!