Kristo Frashëri, njeriu që rrnoi me punue. Kujtimet dhe botimet e historianit

kristo_frasheri

Profesor Kristo Frashëri shënoi 96-vjetorin e lindjes më 4 dhjetor. Ai lindi në Stamboll me prindër shqiptarë. Është riatdhesuar familjarisht më 1927 duke u vendosur në Tiranë ku pas luftës e shkollimit iu përkushtuar shkrimit të Historisë së Shqipërisë. Dëshmitar në periudha të ndryshme të historisë, kujtimet e tij japin një panoramë që ai e ka njohur nga afër. “Qemal Stafa kur ra dëshmor ishte 21 vjeç. E kam pasur shok shkolle dhe isha moshatar me të. Ai kishte një inteligjencë të jashtëzakonshme aq sa vitet e fundit të gjimnazit, çdo vit kalonte dy klasë menjëherë. Kur mori dëftesën e maturës në gjimnazin e Tiranës dinte 5 gjuhë. Ajo që na habiste ne shokëve të tij ishte se ai kishte përvetësuar me një punë këmbëngulëse edhe latinishten. Jo vetëm për nga gjuhët, por edhe për nga kultura e përgjithshme ai shquhej mbi të tjerët. Kishte kulturë klasike dhe moderne”.

Kështu do ti rrëfente Kristo Frashëri kujtimet e tij për Qemal Stafën në një artikull të botuar në “Gazeta Shqiptare” tri vite më parë. Më poshtë, ai tregonte edhe gjyqin e mbajtur në sallën e ndërtesës së Bashkisë së kryeqytetit e cila ndodhej (sot e shembur) në sheshin “Skënderbej”. Në të tjera kujtime për kohën, Frashëri shkruan se “Qemal Stafa, i cili e vuante dënimin në burg në fshatin Mbrostar të Beratit dhe të cilin ato ditë e kishin sjellë në Tiranë për të marrë pjesë në varrimin e të vëllait Veli Stafës, në një pusullë që i dërgonte Ali Demit i thoshte afërsisht se kishte marrë vesh se Italia do të pushtonte Shqipërinë. Një lajm i tillë po e tmerronte për faktin se ndodhej në burg”.

Kreu i Akademisë së Shkencave Muzafer Korkuti, ka shkruar se “29 nëntori i 1944, e gjeti Kristo Frashërin, në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, si ushtar i thjeshtë, pa asnjë funksion, pa asnjë gradë. Me çmobilizimin nga ushtria lihej të kuptohej, se krijohej mundësia për të vazhduar studimet e larta, të cilat i kishte ndërprerë në vitin 1942”. Sipas Korkutit, në muajin gusht 1946 u botua në gazetën “Bashkimi” lista e studentëve që kishin fituar të drejtën për të ndjekur studimet universitare jashtë shtetit (në vendet e lindjes) në të cilën ishte përfshirë edhe emri i Kristo Frashërit. “Por gëzimi nuk vazhdoi gjatë. Dy ditë para nisjes së grupit të studentëve për studime jashtë, atij nuk i dhanë pasaportën, me motivacionin se kishte nevojë për të punuar në vend.(?!) As kjo goditje nuk ia theu atij vullnetin për të ecur përpara. Ai u rikthye në Bankën e Shtetit, ku ishte punësuar përkohësisht, e që vazhdoi të punonte deri në vitin 1951”, është shprehur Korkuti.

Ndërkaq, prof. Xhelal Gjeçovi në një artikull për prof. Frashërin ka shënuar se “ai përket brezit më të ri të luftës, që hallet e dertet e popullit i kishin pjekur para kohe; i përket brezit që mori në duart e veta kauzën e çlirimit nacional, të cilën e kishin braktisur ata që qenë vetëquajtur si ‘baballarë’ të kombit”. “Në këtë rrugë, që ishte rruga e vetme e çlirimit dhe e shpëtimit të vendit, ai do të njihej e do të lidhej ngushtë, në një miqësi që kishte në themel idealet dhe preokupimet e përbashkëta, me Qemal Stafen, me Themo Vasin, me Mihal Durin etj”,-shkruan Gjeçovi, duke shtuar se “në këtë proces ai do të njihet dhe me Enver Hoxhën, udhëheqësin e PKSH-së e të luftës, me Haxhi Lleshin, komandantin e njërës prej çetave të para partizane, ku do të inkuadrohej fillimisht edhe ai, si partizan; me të tjera figura të luftës, si dhe me krerët nacionalistë si Abaz Kupi, Mitat Frashëri etj”.

Në datat 6-7-8 prill 2014, Kristo Frashëri botoi në GAZETA SHQIPTARE “Kujtimet” rreth ngjarjeve që paraprinë në Tiranë fundin e pavarësisë kombëtare të atdheut. Pjesë të tyre po i risjellim në vëmendje: “Të hënën në mëngjes, më 3 prill 1939, kur u takuam në shkollë, Ali Demi ma dha letrën e Qemal Stafës ta lexoja. Ajo më nxiti të pyesja shokët e celulës sime se çfarë duhej të bënim. Jusuf Keçi më njoftoi se vendimi ishte marrë. Të gjithë ne së bashku me simpatizantët e grupit tonë duhej të blinim biletë në kinema teatër “Gloria” për të asistuar po atë mbrëmje në rishfaqjen e melodramës së V. Prendushit. Ai shtoi se na u dha porosi që kur në skenë të shpalosej flamuri kombëtar, të mos kufizoheshim vetëm me duartrokitje, por duartrokitjet t’i shndërronim në manifestim për mbrojtjen e atdheut. Këtë porosi kishte marrë dhe Ali Demi nga qendra e grupit të tij… Në Gjimnazin e Shtetit mësimet ishin ndërprerë, por nxënësit qëndronin në oborr. Po kështu ndodhte edhe në dy shkollat e tjera të mesme – në Shkollën Teknike dhe në Institutin Femëror. Në të tria këto shkolla po bëheshin përgatitje për të marrë pjesë në demonstratën e madhe që do të shpërthente pasdite. Në demonstratë do të merrnin pjesë edhe punëtorë e nëpunës. Për organizimin e demonstratës po punonin të dyja grupet komuniste. Ministri i Brendshëm, Musa Juka, u orvat të na bindte të hiqnim dorë nga demonstrata, mbasi në ato momente, theksoi ministri, ajo i sillte atdheut dëm”.

Përveç pjesëve të rëndësishme të hartuara e të redaktuara prej tij në veprën kolektive “Historia e popullit shqiptar”, vëll. I e II, botim i Institutit të Historisë të Akademisë së Shkencave (2002), si dhe një numër artikujsh, referatesh e kumtesash, po ashtu dhe një varg zërash në “Fjalorin enciklopedik shqiptar” në tre vëllime (2008-2009), në këta 15 vjet të shekullit të ri ai ka botuar edhe 26 libra studimorë të veçantë me rreth 8000 faqe shtypi, që janë fryt i erudicionit, i përvojës së tij të gjatë dhe dokumenteve e materialeve të grumbulluara e të sistemuara me kujdes e me durim vite e vite me radhë.

Studimet historike të Kristo Frashërit shquhen për pasurinë e informacionit, për arsyetimin rigoroz, për mbështetjen në dokumente të besueshme dhe për analizën kritike të dokumenteve, për vështrimin kompleks të dukurive historike në ndërlidhjet e tyre të shumanshme dhe me faktorët veprues të brendshëm e të jashtëm, për objektivitetin shkencor të trajtimit dhe qëndrimin parimor në vlerësimin e faktorit shqiptar në historinë e rajonit e më gjerë; ato dallohen gjithashtu për mbrojtjen e vendosur të së vërtetës historike dhe të interesave kombëtarë ndaj shtrembërimeve (të qëllimshme ose jo) të studiuesve të huaj dhe të bëjnë për vete me qartësinë e shtjellimit, me shprehjen dinamike, të rrjedhshme e të pastër, me stilin shkencor të përpunuar. Publiku shqiptar ka admiruar shkrimet e njëpasnjëshme të tij në shtypin masiv, me të cilat prof. Kristo Frashëri ka sqaruar me argumente bindëse të vërtetat historike rreth disa problemeve të mprehta kombëtare e shkencore, duke dhënë edhe një mësim të urtë për këdo se çfarë është shkenca e historisë, si duhen trajtuar e vlerësuar objektivisht dukuritë e ngjarjet historike, cilat janë përgjegjësitë qytetare dhe detyrat e historianit, si duhet luftuar me këmbëngulje për të mos lejuar që e pavërteta të errësojë të vërtetën, si duhet kërkuar me durim në burimet e ndryshme për të gjetur qoftë edhe ndonjë rreze të hollë drite në periudha të errëta, të padokumentuara, të historisë.

Tërë vepra shkencore e prof. Kristo Frashërit përshkohet gjithashtu nga ndjenja e dinjitetit të lartë kombëtar dhe nga besimi te aftësitë e popullit të vet për të qenë i barabartë ndërmjet të barabartëve në botën e sotme. Në veprën shkencore të Kristo Frashërit shpaloset një vijë e pamposhtur qëndrese dhe mbijetese e etnosit shqiptar, një synim i pandalshëm drejt konvergjimit kombëtar dhe bashkimit të fuqive intelektuale e të burimeve njerëzore e ekonomike. Në studimet e tij shpalosen ndeshje të mëdha të forcave dhe energjive pozitive të popullit shqiptar dhe njerëzve vizionarë të historisë së tij me forcat e huaja dhe me rrymat e brendshme që janë renditur në anën e gabuar. Prandaj vepra e tij është edhe një shkollë edukimi atdhetar.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *