Krist Maloki: Idealet e orientalit shqiptar janë kolltuku dhe llokma

Muzeu Historik Kombëtar organizoi veprimtarinë “Një pasdite në muze” me temë: “Kritiku letrar Krist Maloki, Oriental apo oksidental”. Qëllimi i këtij programi shkencor periodik, është sensibilizimi i shoqërisë shqiptare mbi çështje të ndryshme të historisë, kulturës dhe trashëgimisë kombëtare shqiptare por dhe ndezja e një debati profesional në disiplina të ndryshme. Stefan Tetollari, kurator pranë Muzeut Historik Kombëtar, mbajti kumtesën “Kritiku letrar Krist Maloki, Oriental apo oksidental”. Tema e përzgjedhur pati si qëllim të njohë pjesëmarrësit me figurën e kritukut letrar Krist Maloki.
Kritiku dhe publicisti Krist Maloki lindi më 8 prill 1900, në Prizren të Kosovës dhe vdiq më 1972. Në vendlindje kaloi fëmijërinë dhe kreu ciklin e ulët shkollor, pranë shkollës së kishës katolike, ku arriti rezultate të larta. Në këtë kohë tërhoqi vëmendjen e konsullatës austro-hungareze, e cila i nxori një bursë për të vazhduar studimet e mesme në Vjenë, Salsburg e Graz. Ai ndoqi studimet e larta për filozofi dhe muzikë. Më 1929 u doktorua për Filozofi dhe më 1934 për Shkencat Juridike. Gjatë viteve 1929-1934 punoi si mësues e instruktor privat. Në vitet 1940-1966 drejtoi si profesor i letërsisë shqipe e Ballkanike, katedrën e Studimeve të Europës Juglindore në Universitetin e Gracit, ku ishte titullar i lëndëve juridike në Akademinë tregtare të Gracit. Në vitin 1966 doli në pension me titullin kryekëshilltar arsimor. Krist Maloki mbajti një seri konferencash mbi poezinë popullore shqiptare në Radion e Austrisë. Ai ka botuar në periodikë të ndryshëm në vitet ’30-’40 (“Djalëria”, “Përpjekja shqiptare”, “Shqipnia”etj.). Krist Maloki ka shkruar edhe në organet e emigracionit shqiptar të pasluftës, si dhe në shtypin shkencor austriak e gjerman. Ai dha një kontribut të çmuar për përpunimin e bazave teorike, konceptuale e terminologjike të kritikës letrare shqiptare. Profesor Krist Maloki është një emër i njohur si kritik letrar. Mund të themi pa frikë se ai është i pari kritik shqiptar, që e përdori atë me art letrar e metodë introspektive. Krist Maloki ishte një intelektual me orientim perëndimor, ku vinte në pah veset orientale në jetën politike e shoqërore shqiptare. Ai do të botonte më 1937 tek revista “Hylli i Dritës” shkrimin e tij të titulluar “oriental apo oksidental”, i cili kishte në thelb, progresin dhe emancipimin, kundrejt prapambetjes e shtypjes kombëtare e sociale. Krist Maloki do të shprehej se: në Shqipëri s’ka të vjetër e të rinj, por oriental e oksidental dhe në këta bëjnë pjesë dhe të rinjtë dhe të vjetrit. Lufta që e pret djalërinë shqiptare sipas Krist Malokit është lufta e mendësisë krijuese me mendësinë destruktive. Ajo është luftë botëkuptimi drite kundra një botkuptimi errësirë, është lufta e oksidentalizmit shqiptar me orientalizmin shqiptar. Idealet e orientalit shqiptar janë kolltuku dhe llokma, ku për to do vinte në dispozicion çdo mjet, bëhet kur e do nevoja patriot e tradhëtar, monarkist, republikan, përparimtar e reaksionar. Krist Maloki e cilëson oksidentalizmin shqiptar shumë larg oksidentalizmit të vërtetë. Djalëria e shkolluar e kupton gabim atë, pasi ai nuk përmbahet vetëm në veshje evropiane, apo të ndenjurit plot kotësi nëpër sallone, apo edhe me kryerjen e ndonjë detyre pro forma sa të marësh një rrogë të majme etj. Oksidentalizmi i vërtetë duket pikësëpari në kryerjen e një detyre të ndershme fund e krye, pa u tunduar nga përfitimi material. Krist Maloki thotë se heroizëm s’kërkohet prej askujt, por lartësia morale e një oksidentali matet me gradën e vetëmohimit dhe vetëflijimit të një ideje të lartë, rreth një ideje që s’ka punë me kolltuke e llokma. Një kontribut të shquar ka edhe në fushën e muzikologjisë, ku është autor i një elegjie për violinë e pianoforte, kushtuar Avni Rustemit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *