Kostoja e mundësisë tjetër

Shkëlqim Çela
 
Shikon një vjershë të dobët të promovuar përsëri në median shoqërore, në median e shtypur si dhe pamore. Një qerthull sikleti, një gur në këpucë me të cilin pothuajse të detyrojnë të ecësh, me paradigmën e vjetër: Askush nuk të detyron të lexosh gjëra që nuk të pëlqejnë. Ndërsa pjesa komformiste e trurit, ajo që ka marrë përsipër të të ruajë, thotë: “E kush je ti, pëlqesa e të cilit na u dashka të ketë ndonjë farë rëndësie?” Është pikërisht pyetja e dytë që e mbyll debatin imagjinar, por nuk zgjidh asgjë.
Si mund të dallohet një vjershë e dobët? Për dreq, nuk ka matës cilësie. Ka vetëm krahasim. Dhe krahasimi midis gjërave të pamatshme është po aq i pamundur – këto janë stërthënë tashmë. Madje, në qoftë se në botë do të kishte vetëm një vjershë, ajo do të ish e përkryer, pasi asgjë nuk do ta pengonte në të qenët e tillë. Ndaj i marrë vetmevete, çdo krijim artistik është i paqortueshëm. Edhe vjersha e n-ëtë mediokre që pashë. Ndërsa i krahasuar me një tjetër, i relativizuar, mund të flitet për raport pëlqese. Mund të thuhet që krijimi A është më i mirë se krijimi B. Sikur edhe për kaq, letërsia e mirë i detyrohet mediokres, madje, duke qenë se letërsia e mirë është perceptim i relatives, ajo rezulton e pamundur pa letërsinë mediokre, ngaqë kjo e fundit shërben si benchmark. Mirëpo letërsia mediokre nuk kënaqet me këtë status dhe vlerë. Letërsia mediokre ka gjithnjë mëtime për më shumë, është arriviste në thelb, si çdo parvenu (ajo ka ardhur në një qytet ku nuk përket), dhe e gjen si regull gjithnjë mediumin e shpërhapjes, siç një parvenu gjithnjë ia del dikur. Këtë gjë e realizon me atë që quhet “ligji i numrave të mëdhenj”. Sepse për hir të së vërtetës, jo çdo krijues mediokër promovohet, ka një aradhe të pafund shkrimtarësh të tillë të mbetur në orvatje, në faza nga më të ndryshmet të procesit të gjatë të krijimit, nga të shkruarit në blloqe intimë e deri në botimin e parreshtur të punëve të tyre – por numri i tyre i madh materializon probabilitetin e vogël të promovimit duke e bërë këtë një ngjarje të sigurt. Hidhni një sy në median tonë dhe do të bindeni për këtë.
E gjitha kjo bën kuptim nëse krahas mediokres, do të shikoje, sikur edhe tek-tuk, diçka të mirë, për të qenë. Mirëpo, si në një jerm të frikshëm, gjërat e mira shfaqen rrallë, shumë më të rralla nga ç’janë në të vërtetë, dhe vjen një çast paniku kur të duket si e pamundur të shikosh të promovuar, të kujtuar, ose edhe të shenjuar veç me një vëmendje të përkorë diçka për të qenë.
Ndërkaq edukimi i shijeve mediokre me letërsi mediokre është vetëm njëri problem, edhe pse i stërkeq në dëmin e vet. Problemi tjetër është ai që quhet kosto e oportunitetit, e mundësisë tjetër, së cilës iu zu vendi nga realja, faktualja e pocaqisur. Pra, fakti që në hapësirën mediatike dhe në vëmendjen kushtuar asaj, – të dyja këto madhësi të fundme, – krijimi mediokër i zë vendin një krijimi më të mirë, i cili nuk promovohet kurrë.
Nuk po hyj në zonën e rrezikshme të të dhënit të shembujve konkretë, mund të shikoni lehtësisht në çdo organ që promovon letërsi, në çdo faqe virtuale që e bën këtë, kapni poezinë më të fundit të dhënë aty, dhe silleni këtu, në vend të retishencës:
Me gjasë 99.99% është një krijim që nuk ia vlen ta kapje me dorë, duke ditur se ka një tjetër ku e ku më të mirë që nuk e zuri njeri për bishti në mënyrë sistematike. Ndërkaq kurrkush nuk ka një cilësimatës, ndonjë lloj termometri që t’ia vërë në sqetull a kudo tjetër vargëzimit të sjellë tek retishenca e mësipërme, dhe siç përsiat Kadareja tek “Ftesa në studio”, një jashtëtokësori teksti më lart do t’i dukej i njëjtë me çdo krijim tjetër, edhe me të parapëlqyerit e tu, të gjithë një bashkësi germash për të bërë fjalët si mjet shprehjeje. Mirëpo puna është se jemi ende tokësorë. Unë ia përcaktoj vlerën, duke e krahasuar me të tjera poezi, që nuk e shikojnë si rregull dritën e promovimit. Nuk e shikojnë. “Me-a-za-llah!” Sikur të ngasin këmbën. Promovuesi ynë i letërsisë më kollaj e ka të heqë një dhëmballë, se sa të sjellë një krijim për të qenë. Saqë është bërë gati si një provë mediokriteti: po u promovua me këmbëngulje, dije që s’bën një lek.
I dokëndisur kësisoji, nga leximi i gjësë së shpëlarë, i çmeritur se si njerëz që merren me letërsi përditë, nuk arritën të mprehin kurrë shqisën e dallimit dhe spikatjes së gjësë së mirë, bëj një rrekje shpëtimi, sjell një poezi shpëtuese, si për të thënë se jeta ekziston, është e mundur, sjell një poezi që nuk do ta shikojë kurrë dritën e promovimit prej promovuesve tanë aktualë mediokër në cilëndo media të doni, promovimet e të cilave të habisin me shijen e tyre të drunjtë e vulgare gjykuar nga prurjet, lëvdatat dhe analizat e tyre. Është si e bërë me plan e kast: një autori edhe kur është i mirë, i përmendin veprën më të dobët, dhe brenda saj venë e zgjedhin për citim pasazhin më të pavlerë, më kot, atë që kap radari hormonal i mbetur në një pubertet të përjetshëm dhe në një ajër gjimnazi që nuk mbaron kurrë. Duket një mekanizëm i çuditshëm dhe i përjetshëm i mediokres është në punë pa pushim. Poezia që po sjell nuk do të hyjë kurrë në zgjedhjet promovuese, atë shpresë e kam humbur, ai tren është nisur, përpos rastit hipotetik kur autori, Ervin Hatibi, të ftohej në ndonjë studio zulmëmadhe televizive në emisione me emra kumbonjës dhe idiotë në të njëjtën kohë, apo të jetë pjesë e ndonjë gurguleje të pavlerë mediatike, apo fundja të bëhet heroi i ndonjë shkuma party me “dixhej” për së mbari, apo pjesë klani dhe tryeze me fërnet dhe taraf. Është vjersha e parë e “Gjashtës” hatibiane, e cila të tregon se nga ky benchmark, paritur gjërat fillojnë të marrin një tjetër perspektivë, zgjedhjet bajate të me nder poezive të promovuara të gjithfarë myteberësh me status e influencë në kasabanë e provincës sonë me emrin Tiranë, ose të pranuar si “djem e vajza të mbara”, bëhen të këputura sa s’ka ku i kap as qeni, dhe me vete thua fjalën parazite “shyqyr”: Shyqyr që ka edhe gjëra që nuk i kap flama e promovimit.
Too drunk to…
(Dead Kennedy’s)
Tani disponoj edhe seksin tënd
jam i lejuar ta prek
i lutur ta hukas.
E ke të thjeshtë ti,
Thjesht rri shtrirë në krevatet e mija
dhe urdhëron të pushoje muzika,
të fiket drita,
E qesh pertej mjekrës tënde me dhëmbë
si edhe përtej
Amfiteatreve të fytit
sytë e shtrirë, e bardhë, e bardhë…
Pastaj barku yt me faje tërheq
vrraga të trasha
ajri,
Ti po e punon me shate ajrin e dhomës sime,
unë sillem nëpër dhomë si Lenini,
bythët e mija të zhveshura në terr
janë dy o-të tek fjala alkool,
E ty të këputet shpirti,
qesh,
Me cicat e tua prej qeni, kur unë të them
se lipset të kesh një palë të tjera si këto,
Cica qeni që i kanë varur sytë njëra djathtas
tjetra majtas
si në flamur,
(pushon e qeshura, ato pushojne se duartrokituri, cicat)
(behet heshtje)
ti kërkon pa u ngritur cigaret
Që i mban në çantë,
ku ka edhe plot gjëra të panjohura grash,
Zhurma e çakmakut tremb barkun tim të vdekur,
fshin shpejt figurën tënde nga rëra e syve të mij,
atëhere unë shtrihem pranë teje
kjo cigarja si fëmijë pleqërie, ose si ndonjë gjë
tjetër më e saktë që i lidh dy vetë,
edhe po s’qenë ata të dy,
fjalët e tua janë rrethuar nga një zë i padëgjuar
ti më thua mes tingujve se s’duhet të të thërres më
– Kur je i pirë… – shton
Asnjë e dhënë tjetër pastaj
për trupin tënd, a je shëndoshur më,
a i ke krejt vetullat,
Thonjtë e mi
rriten
janë ngulur në djersë,
në Viet-Namin tënd të rruar pa napalm
Ti qesh megjithatë me tym
Dhe unë ta di emrin
E ti nuk do që unë të trishtohem
ndaj
më pickon herë-herë
në një nga bythët e mija të ligura
si mollëzat e poetit me tuberkuloz
E asgjë
s’më ndalon të qaj vetë,
mos lër të ulen sytë e mij.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *