Nga Elvin Nuri
Kjo është një nga kinematë më të vjetra në Shqipëri. “Majestic” ka një sallë 90-vjeçare, e cila e ka humbur tërësisht origjinalitetin e saj për shkak të një zjarri që e shkrumboi në vitin 2001. Pasi u rikonstruktua me fonde private dhe pas një aktiviteti të shkurtër, Majestic mbeti i mbyllur për shumë vite. Tani kjo kinema është tërësisht e hapur për cinefilët e qytetit. Madje, edhe nëse nuk ke blerë biletë dhe në sallë nuk po shfaqet ndonjë film, ti sërish mund ta vizitosh. Mund të ulesh në një nga poltronat e brand-uara “Vodafone” dhe të imagjinosh për pak sekonda se si ndiheshin korçarët e viteve 30 kur në ekran performonte Chaplin. Kush e di sa habiteshin ata me skenografitë e ekspresionistëve gjermanë. Po Mussolinin e merrnin seriozisht kur e shihnin nëpër “newsreel-et” që shfaqeshin në Majestic?
Kinema nuk ka në Pogradec, as në Bilisht, madje as në Ersekë, por Kinema “Majestic” rrezikon të braktiset nga kontraktori aktual. Pra, mund të mbyllet. Sepse korçarët nuk e vizitojnë, pogradecarët dhe ersekasit jo e jo. Këtë gjë ma tha një nga gratë e sjellshme që shërbejnë në atë sallë. Në fytyrën e saj lexova një lloj dorëzimi. Ishte e dorëzuar sepse sallën e kishte parë gjysmë plot vetëm katër ditë gjatë gjithë ketij viti. Vetëm kur u shfaq filmi me makina dhe krisma, “Fast and Furious”. “Majestic” e vizitova dje. Sot bëra qokën që u premtova atyre grave që vrasin kohën duke i rrëfyer turisteve fatin e trisht që e pret Kinema “Majestic”. Sot, bleva dy bileta dhe vajta të shoh një film horror në kinemanë e veteme në të gjithë Shqipërinë Jug-Lindore. Në sallë ishin edhe një dyzinë adoleshentësh të zhurmshëm. Nga ata që nuk lënë skenë pa komentuar. U mërzita shumë me ta por i fala, sepse dukeshin që ishin të pamësuar me “eksperiencën” e kinemasë. Pra qepe gojën dhe lëri komentet t’i bëjë shfaqja. Më erdhi keq sepse vura re që nuk ishin të mësuar edhe me elementet më magjike të kinemasë: suspansa, tensioni dhe misteri i asaj që pritet të vijë. Aq të rinj e aq të pamësuar me kinemanë.
Sot në Korçë është një tjetër ditë kremtimi i “Festës së Birrës”. Ashtu si mbrëmë, me siguri, nga podiumet e kësaj feste do të dalin shumë artistë “trash” që do i thurin elozhe qytetarisë korçare. Mirë, por kinema “Majestic”, rrezikon të mbyllet. Tmerri i një qytetari është birra e keqe në qytet apo një qytet pa kinema? Me siguri të dyja, sepse korçarët nuk preferojnë të shkojnë më në kinema. Ekziston edhe një mit, i cili thotë se kinemaja (si eksperiencë) nëpër botë po perëndon. Statistikat e biletave dhe ato të fitimeve në box office flasin ndryshe. Serenatat janë të shenjta, ikonat janë të shenjta, birra e shenjtë, por një qytet pa kinema është tmerrsisht i trisht në profanitetin e tij dhe pa histori magjie.
Po shkruaj nga ambientet e një lokali, i cili është plot. Ndërsa salla e “Majestic” me siguri është bosh, sepse korçarët nuk e preferojnë. Jo pa faj, mund të ndihen edhe të tradhëtuar nga kinemaja bashkohore shqiptare, e cila prodhon filma “indie”, me shpresë mos kap ndonjë çmim, në ndonjë festival të dorës së tretë. Filma që s’i pamë kurrë. Por ska gjë, ky filmi horror që pash sot te “Majestic” nuk ishte keq si limonadë. Fliste për një demon që zhdukej e harrohej nga të gjallët për vite të tëra dhe më pas shfaqej duke i tmerruar me kukulla. Jo, nuk ishte keq, sepse në fund fitoi demoni.