Komodifikimi i jetës – A është njerëzimi në hapat e fundit të mposhtjes së brutalitetit të jetës dhe krijimit të një bote më të drejtë?

Nga Bjorn Runa për GazetaPasqyre.al

“Ka fusha, Neo. Fusha të pafundme, ku ne, qeniet njerëzore nuk lindim më, por thjesht rritemi.”
– The Matrix

Ky është momenti kur Neo, personazhi kryesor i serisë filmike “The Matrix” mëson për herë të parë rreth realitetit të botës në të cilën gjendet. Skena paraqet një fermë kapsulash, brenda të cilave rriten embrionet e fëmijëve që ushqehen përmes materialit të lëngëzuar të paraardhësve të vdekur. Me gjithë gjenialitetin kinematografik dhe tendecën profetike për ta parë botën e së ardhmes përmes një lenteje të errët, “The Matrix” nuk ka qenë krejtësisht i suksesshëm. Në fakt, filmi në ditët tona i përngjan më tepër një kritike moraliste sipërfaqësore për nga zymtësia e atmosferës me të cilën përpiqet të paraqesë gjendjen e njerëzimit. “The Matrix,” ashtu si të tjerë filma, romane dhe tregime distopikë, dështon pikërisht këtu, tek paraqitja e fenomeneve të ndryshme të së ardhmes si diçka e zymtë. Kjo, pasi nuk ka asgjë të errët apo të zymtë në zhvillimet teknologjike, shkencore apo sociale të jetës postmoderne, apo post-postmoderne. Përkundrazi, zhvillime të tilla vijnë si zgjidhje e problemeve të natyrës dhe të së shkuarës. Në realitet, ato nuk vijnë në formën e një reje të zymtë që do të shkatërrojë njerëzimin, por në formën e dritës, të prakticitetit dhe të mposhtjes së natyrës. Nëse ndërmjet shekujve 19-20-të njerëzimi mundi të mposhtte Zotin, atëherë në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të dhe pjesës së deritanishme të shek. 21, njerëzimi duket se po luan minutat e mbetura të rebelimit në përpjekje për të zëvendësuar mjeshtrin e dikurshëm.

Në vitin 2017 u publikua për herë të parë lajmi se një grup mjekësh dhe kërkuesish shkencorë të Spitalit të Filadelfias në SHBA kishin mundur të krijonin për herë të parë një mitër artificiale e madje edhe të rritnin embrionin e një qengji për 111 ditë. Krejtësisht i shkëputur nga trupi i nënës, embrioni pluskon brenda një qeseje plastike e të tejdukshme, i ushqyer në mënyrë ndërvenoze përmes një rrjeti tubash që bashkë me gjakun përçojnë edhe oksigjenin dhe lëndët ushqyese që i nevojiten.  (An artificial womb successfully grew baby sheep and humans could be next)

Dy vite më pas, në 2019 u bë e ditur se shkencëtarë dhe mjekë në Holandë kishin nisur punën për krijimin e një mitre artificiale të përshtatshme për foshnjet njerëzore, që mund të zgjidhë problemin e lindjeve ekstremisht të parakohëshme. Ndërsa projekti nuk ka përfunduar ende, studiuesit dhe mjekët thonë se kjo do të jetë e mundur në dhjetë vitet e ardhëshme. (The worlds first artificial womb for humans)

Nëse ka diçka që vihet re qartë deri këtu është se po flasim për të shkuarën. Megjithatë, puna për krijimin e një sistemi të tillë nuk ka nisur dy e as katër vite më parë. Në fakt, projektet e para të kësaj natyre janë të dokumentuara rreth fundit të viteve ’50-të dhe fillimit të viteve ‘60të në Suedi dhe Kanada. Madje, sipas Matt Kemp, drejtues i laboratorit perinatal  të Women & Research Foundation në Australi, projekte të tilla janë të pamundura të patentohen, pasi ekzistojnë prej disa dekadash në vende të vende të ndryshme. (Parents can look at their foetus in real time: are artificial ëombs the future?)

Këtu kthehemi sërish në pikën dështimit profetik të “The Matrix.” Do të ishte e lehtë që pasojat negative të zhvillimeve tekonologjike të së ardhmes të ndaloheshin sikur këto zhvillime të paraqiteshin vërtetë të zymta. Çështja është se ato vijnë si zgjidhje dhe në këtë fjali nuk asgjë ironike

Brutaliteti i natyrës

Nuk duhet shumë mund për të kuptuar se, pavarësisht përpjekjeve për idealizimin e natyrës, ajo mbetet e egër dhe brutale. I vetmi aspekt harmonik i natyrës është harmonia e dhunës dhe mundimit të përjetshëm për mbijetesë. Vuajtja, dhimbja dhe papastërtitë janë baza e natyrës, për sa kohë me natyrë nuk nënkuptojmë parqet e krijuara artificialisht nga dora e njeriut. Prej kohësh, në fakt kocepti i vuajtjes dhe dhimbjeve ka qenë parakusht i krijimit, qoftë në aspektin shpirtëror ashtu edhe në atë fizik. Pyetja që ngrihet këtu është se, nëse njerëzimi është në gjendje që t’i tejkalojë vuajtjet dhe mundimin, atëherë përse duhet të vazhdojë t’i nënshtrohet brutalitetit të natyrës? Është e vërtetë se zhvillimet teknologjike mund të kenë pasoja që aktualisht nuk jemi në gjendje t’i parashikojmë. Është e vërtetë gjithashtu se këto zhvillime mund të çojnë drejt krijimit (jo lindjes) të një tjetër lloj krijese njerëzore, por kush mund të thotë kjo është diçka negative? A mund të jetë njeriu i sotëm standardi i të mirës dhe pozitives? Përgjigjet mund të jenë të ndryshme, por tejkalimi dhe mposhtja e brutalitetit të natyrës mbetet një ide joshëse për pjesën më të madhe të njerëzimit.

Le të kthehemi sërish tek projekti i krijimit të mitrës artificiale dhe ektogjenezës (rritja e një organizmi në një ambient artificial, jashtë trupit të nënës). Me gjithë mrekullinë e ngjizjes dhe sjelljes së një jete të re, ka diçka barbare në natyrën e shtatëzanisë. Nëse një sëmundje do të shkaktonte të njëjtat probleme që shtatëzania shkakton në trupin e njeriut, gjendja e pacientes do të konsiderohej serioze. Ektogjeneza do të ofronte një zgjidhje në tejkalimin vuajtjes dhe rrezikut që shtatëzania paraqet si për foshnjen, ashtu edhe për nënën. Ndërsa nevojitet ende kohë dhe punë për krijimin e një sistemi të tillë të përshtatshëm dhe funksional për njerëzit, problemet këtu nuk janë më shkencore e as teknologjike, por morale dhe etike. Është e qartë se, nëse teknologjia na ofron mundësinë e shmangies së vuajtjeve dhe rrezikut fizik, pengesat që risi të tilla të përqafohen janë fare të pakta. I vetmi problem real këtu, ështe se nëse në të ardhmen do të mund të krijojmë jetë pa vuajtje, atëherë do të na duhet të rishikojmë rëndësinë morale që njerëzimi i ka dhënë vuajtjes përgjatë historisë, sidomos në botën judeo-kristiane. Nëse në botën e së ardhmes, vuajtja nuk do të jetë më origjina e jetës, atëherë një pjesë e madhe e koncepteve të tilla si mëshira, ‘mbajtja e kryqit,’ etj do të duhet të rivlerësohen dhe për disa prej tyre ndoshta ekziston edhe rreziku i zhdukjes. Por, kjo jo domosdoshmërisht na çon në një botë distopike. Mund të jetë një tjetër botë, një tjetër jetë dhe një tjetër lloj njerëzimi. Për mirë apo për keq, kjo mbetet për t’u parë.

Nga ana tjetër, prej kohësh ka patur një listë të gjatë grash, për të cilat shtatëzania e suksesshme ishte pamundur, për shkak të ç’rregullimeve të ndryshme shëndetësore. Epilepsia, ç’rregullimet bipolare apo kanceri nënkuptojnë rrezikimin e jetës qoftë të nënës apo edhe të foshnjes. Ektogjeneza do t’iu jepte atyre, ndoshta për herë të parë mundësinë për të patur fëmijë. Një e drejtë e mohuar nga natyra, ju rijepet aytre përmes zhvillimit teknologjik dhe triumfit ndaj brutalitetit të vetë natyrës. Gjithashtu, ektogjeneza do të mundësonte të paturit e një fëmije biologjik edhe për persona, që e duan këtë, por që nuk kanë lindur femra.

Komodifikimi i jetës

Me nisjen e Revolucionit Industrial, por ndoshta edhe më herët, njerëzimi duket se gjendet në një kërkim të vazhduar të komfortit dhe komodifikimit të jetës. Kjo nisi fillimisht me punën dhe profesionin. Ndërsa makineritë kryejnë proceset monotone, njeriut i jepet koha dhe mundësia të përqëndrohet në probleme më komplekse. Por, sigurisht që gjërat nuk mund të qëndronin me kaq. Nevojitej një zgjidhje për procesin e radhës shtypës dhe të parehatshëm, siç është dashuria. Paparashikueshmëria, rreziku dhe vuajtjet që ajo mund të shkaktojë, gjetën zgjidhje në botën e online dating. Këtu, duket se kemi mundur të përllogaritim ose matim të vetmen gjë, që gjer më tani ka qenë e pamatshme. Ndërsa ka vend për t’u diskutuar nëse kjo mund të quhet ende dashuri, nga ana tjetër duket se kemi zgjidhur problemin e mospërshtatjes. Ti prezanon tipare të personalitetit, thënë ndryshe një imazh të vetes tënde siç mendon se të shohin të tjerët me shpresën se, falë disa përllogaritjeve komplekse matematikore, mund të ekzistojnë persona të përshtatshëm për të marrë parasysh një lidhje. Madje, për një brez të caktuar njerëzish sot, është gati-gati perverse ideja e të pëlqyerit të dikujt jashtë botës së online dating. Ja kemi dalë kështu, që të komodifikojmë procesin e dashurisë, duke eleminuar anën e paparashikueshme të saj.

I vetmi aspekt i jetës, që ende nuk i është nënshtruar plotësisht procesit të komodifikimit është shtatëzania dhe sjellja në jetë e fëmijëve. Nëse në të shkuarën një familjeje të re i duhej të riorganizonte jetën me ardhjen papritur në jetë të një fëmije, gjërat nisën të ndryshojne me lindjen e planifikimit familjar. Shtatëzanitë e paplanifikuara janë tanimë shenjë e njëfarë primitiviteti social dhe e varfërisë. Njeriu nuk ka përse të heqë më dorë nga mundësia e realizimit të pasioneve, ëndrrave apo edhe dëshirës për një plotësim në karrierë sepse papritur në jetën e tij është shfaqur një qenie e re, që ka nevojë për kujdesin e tij të vazhdueshëm. Sidoqoftë, planifikimi familjar nuk mund ta shmangë probelmin për një kohë të gjatë.

Le të rikthehemi këtu, sërish tek projekti i ektogjenezës dhe mundësitë që ai ofron për një komodifikim të mëtejshëm të jetës. Përmes saj, njeriu mund të ngjizë embrionin në moshë të re, ta ruajë atë dhe ta rritë në mitrën artifciale në një periudhë, kur për të mund të jetë më e përshtatshme për të patur fëmijë. Përballë një komforti të tillë, a do të mbetej ndokush që të dëshironte ende një shtatëzani natyrale, duke patur parasysh gjithë pasojat që ajo sjell?

Shkenca që tejkalon imagjinatën e fantashkencës

Ektogjeneza do të jetë padyshim një teknologji e re dhe mjaft e fuqishme. Se si do të zhvillohet kjo në të ardhmen, varet nga kërkesat, përparimi, kontrolli dhe financimi kësaj teknologjie. Procesi i një ektogjeneze të plotë është ende larg dhe do të duhen ndoshta edhe disa dekada kërkimi dhe pune. Ndërsa kjo do të thotë se kemi ende kohë, gara për risi teknologjike premton se pikërisht koha nuk do të jetë e mjaftueshme.

Dikur, një projekt i tillë do të ishte cilësuar si fantashkencë, por disa vite punë dhe zhvillime në fushën e teknologjisë, duket se e kanë lënë pas edhe imagjinatën e shfrenuar të fantashkencës. Nëse njeriu do të jetë në gjendje të sjellë në jetë fëmijë pa vuajtje fizike dhe duke eleminuar ndoshta krejtësisht rrezkimin e jetës së nëns apo edhe të foshnjes, atëherë kush do të dojë më të lindë fëmijë sipas metodës së vjetër, duke ju nënshtruar brutalitetit të natyrës?

 

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *