Komisioni Europian Propozon Vitin Europian të Trashëgimisë Kulturore në 2018

Dita e 19 Prillit 2016 do të shenjohet si historike për konsolidimin e lëvizjes europiane për trashëgiminë kulturore. Gjatë sesionit hapës të Forumit të Kulturës Europiane në Bruksel, Tibor Navracsics, Komisionieri Europian për Edukimin, Kulturën, Rininë dhe Sportet, lajmëroi publikisht se Komisioni Europian do t’i propozojë Këshillit të Bashkimit Europian dhe Parlamentit Europian qe viti 2018 të shpallet si Viti Europian i Trashëgimisë Kulturore. Kjo pas një shkëmbimi idesh me Presidentin e Komisionit Europian Jean-Claude Juncker dhe Presidentin e Parlamentit Europian Martin Schultz.

 Në fjalën e tij në Forum, ndër të tjera, Komisioneri do të theksonte se në këto kohë sfiduese “identieti europian është shprehja më e fuqishme e e kulturës europiane”. “Ndaj kultura ka rol kaq jetik në shpartallimin e sfidave me të cilat përballemi. Kultura na jep hapësirë për lirinë. Mund të drejtojë ndryshimin. Ndërsa dialogu ndërkulturor na mëson si të jetojmë së toku”.

“Trashëgimia kulturore është shprehje e identiteteve tona, si europianë, por edhe si qenie njerëzore. Ndaj është shumë e rëndësishme ta ruajmë atë. Nëse ne humbasim pjesë të historisë sonë, si do të mundemi të ndërtojmë të ardhmen? Kemi një detyrë të madhe në Europë, të ruajmë trashëgiminë dhe, thelbësisht, të sigurohemi që njerëzit ta rizbulojnë atë, të mësojnë për të, dhe ta shohin si pjesë e tyre”, u shpreh Navracsics.

Propozimi për Vitin e Trashëgimisë Kulturore 2018 u pasua nga një fjalim mbresëlënës i euro-parlamentares Silvia Costa, e cila drejton Komitetin për Kulturën dhe Edukimin në Parlamentin Europian. “Kultura dhe trashëgimia kulturore duhet të jenë shpirti i ri dhe identiteti i ri për një Europë të re”, do të theksonte ajo. Më pas do të ishte ministri italian i Kulturës,  Dario Franceschini, që do të shprehte mbështetjen e plotë të qeverisë së tij për Vitin Europian të Trashëgimisë Kulturore 2018.

Parë nga perspektiva jonë kombëtare, por edhe në planin rajonal, ky zhvillim është tejet i rëndësishëm dhe përbën një arritje për të gjithë “qëndrestarët” e trashëgimisë kulturore. Gjithaq është një përgjegjësi e madhe. Shqipëria, organizatat e shoqërisë civile, të gjithë ne, duhet ta kuptojmë Vitin e Trashëgimisë Kulturore 2018 si një çast ideal për të fituar momentum dhe për ta shndërruar atë në një platformë që ndërlidh dhe amplifikon nisma të shkëlqyera lokale, kombëtare, pse jo edhe pan-Europiane në dobi të ansamblit të vlerave të trashëgimisë sonë kulturore. Po ashtu, ky vit, do të jetë një mundësi e mirë për të rritur ndërgjegjësimin dhe promovuar edukimin për trashëgiminë tonë kulturore.

Në një kohë kur Bashkimi Europian përballet një numër sfidash politike, ekonomike dhe sociale; kur projekti Europian është i rrezikuar nga format e ndryshme të ekstremizmit apo euroskepticizmit, vendimi për të deklaruar 2018-n si Vitin Europian të Trashëgimisë Kulturore përçon një kuptim të veçantë si për institucionet e BE-së dhe vendet anëtare, ashtu edhe për mbarë komunitetet dhe qytetarët që besojnë dhe ndajnë vlerat europiane.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *