Prishtinë– Komisia Letrare Shqipe ishte institucioni i parë shkencor në rrafshin albanologjik tek shqiptarët. Themelimi i Komisisë në shtator të vitit 1916 është konsideruar hap i madh i intelektualëve shqiptarë të kohës.
Të martën, një tryezë diskutimi i është kushtuar Komisisë në 100- vjetorin e themelimit, në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare.
Studiuesi Tomor Osmani ka thënë se para 100 vitesh, Shkodra shquhej si qytet në disa rrafshe shoqërore. Osmani, i cili është autor i librit “Shekulli i Komisisë Letrare Shqipe në Shkodër”, ka thënë se Komisia Letrare Shqipe është institucioni i parë shkencor për albanologji.
“Organizimi i tillë pasqyronte potencialin intelektual të kohës. Iniciues apo nismëtar ishte Luigj Gurakuqi. Komisia Letrare nuk ka qenë kongres. Kongresi nuk mund të jetë me vite. Komisia kishte statutin e rregullores së brendshme. Do të caktoheshin bazat dialektore të gjuhës së përbashkët dhe hartimi i një kodi drejtshkrimor, gjë që është e vështirë edhe sot”, ka thënë Osmani.
Profesori universitar Imri Badallaj ka thënë se problemi me të cilin është marrë Komisia Letrare Shqipe është varianti dialektor i gjuhës shqipe. “Ishin dy alternativa. Propozimi i Gjergj Pekmezit që të merren parasysh dy dialektet. Nga kjo del që duhej punuar dy ortografi. Alternativa e dytë ishte ajo e Luigj Gurakuqit që kjo gjuhë duhet ta ketë për bazë dialektin që është përdorur në Elbasan. Qëllimi kryesor i Komisisë ishte që të çonte përpara problemet e gjuhës letrare”, ka thënë Badallaj derisa ka shtuar se Komisia mori elbasanishten.
Sipas tij, gegërishtja jugore ishte shumë më e afërt me toskërishten.
“Rregullat e propozuara nga Komisia Letrare Shqipe janë përdorur deri më 1945”, ka thënë ai teksa ka vlerësuar lart punën e Komisisë. Në mbledhjen e parë themeluese të këtij institucioni morën pjesë Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Mati Logoreci, Ambroz Marlaskaj. Ndër pjesëmarrësit dhe të ftuarit të tjerë të Komisisë Letrare Shqipe në mbledhjet e mëvonshme qenë edhe Gjergj Pekmezi që ishte bërë kryetar i Komisisë, Hilë Mosi, Anton Paluca, Hafiz Ali Korça, Aleksandër Xhuvani e albanologu Aleksander Lambertz.
Profesori universitar Rrahman Paçarizi dhe studiuesja Mimoza Priku kanë folur për librin e Tomor Osmanit “Shekulli i Komisisë Letrare Shqipe në Shkodër”.
Kjo vepër është konsideruar si punë me vlerë që zbardh veprimet dhe studimet e Komisisë Letrare Shqipe. Në kuadër të edicionit XXXV të Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, të martën profesori i Universitetit të Prishtinës, Milazim Krasniqi, ka ligjëruar mbi temën gjendja aktuale e medieve në Kosovë.(Koha)