Koha e anatemave ndaj Marksit ka mbaruar

«Vetëm një idiot mund ta bëjë Marksin përgjegjës për gulagun” –

Francis Wheen, analist anglez dhe editorialist i gazetës The Guardian.

Nga Luan Rama 
Disa vite më parë, në disa botime të reja në Francë, krahas atyre të botuara dhe në vende të tjera perëndimore, nga analistë dhe ekonomistë të njohur botërorë, kisha pikasur se pikërisht ithtarët e kapitalizmit dhe të neo-liberalizmit, i bënin elozhe mendimeve dhe profecive të Karl Marx-it (Marksit) rreth kapitalizmit. I nxitur nga ato, shkrova një artikull rreth Marksit dhe shpërdorimit të figurës së tij nga ata që në Shqipërinë e kohës së Enver Hoxhës, apo në Europën e Lindjes, e vendosnin në krye të klasikëve, siç i quanin ata vazhduesit e veprës së Marksit, duke rreshtuar pas tij Engelsin, Leninin, Stalinin, dhe diktatorin e vendit të tyre fill pas Stalinit. Ndoshta mund të ishte hera e parë të guxohej të shkruhej në një gazetë shqiptare, ndryshe nga imazhi i trashëguar nga e kaluara nën thirrjet kundër «imperializmit amerikan», «revizionizmit sovjetik» dhe kapitalizmit botëror. Me rënien e «Murit të Berlinit» dhe shpërbërjen e «kampit socialist» me në krye Bashkimin Sovjetik, me rënien e totalitarizmave, shoqëritë e reja dhe intelektualët e kuptuan shpejt shpërfytyrimin që i ishte bërë Marksit dhe teorisë së tij rreth kapitalizmit, dhe se ai s’kishte asgjë të përbashkët me ideologjinë totalitare. Por ndryshe nga ky evolucion i mendimit në vëndet e ish Lindjes evropiane, e njëjta gjë nuk ndodhi në Shqipëri. Marksi kishte mbetur dhe ka mbetur ende një simbol i dhunës, i frymëzuesit të turmës, i anti-kapitalit, etj.
Sikur Marksi të ngrihej nga varri
Duke rilexuar Marksin dhe jetën e tij, duke lexuar studimet perëndimore rreth tij, siç ishte para disa vjetësh dhe botimi i një prej analistëve të njohur francezë Jacques Attali, ekonomist dhe ish drejtor i bankës së BE-së për Zhvillimin (BERD), imagjinova për një çast se çdo të kishte ndjerë Marksi sikur të ishte ngritur nga varri dhe të udhëtonte në Shqipërinë totalitare, të shikonte atë planet të izoluar nga bota dhe të quajtur Shqipëri, që vetquhej «atdhe» i Marksit dhe mishërimi i idealit të tij; të shikonte burgjet, kampet e përqëndrimit apo të internimit, mijra të burgosur politikë (ku nuk mungonin dhe librat e tij të cunguar që u jepeshin të burgosurve), bunkerët e paranojës dhe shkatërrimin e marrëdhënieve në prodhim, mjerimin e skajshëm të popullsisë dhe interpretimin e shëmtuar të veprës së tij. Sigurisht, ai do të ishte llahtarisur me idenë se si ishte e mundur ta bënin idhull të paranojës, të dhunës dhe arbitraritetit. Por edhe me ndryshimet politike në Shqipëri në fillimin e viteve 90’, kjo «burgosje» e Marksit me të kaluarën totalitare, tek politikanët e rinj shqiptarë do të vazhdonte ende; Marksi do të linçohej me fjalët më të ndyra në sheshet publike dhe askush nuk guxonte ta mbronte, pasi menjëherë do të linçohej edhe ai. Dhe mund të imagjinoni tronditjen e Marksit, i cili po të ngrihej sërrish nga varri, do të llahtarisej duke parë linçimin e tij nga njerëz që as e kishin lexuar dhe as nuk e njihnin teorinë e tij.
Anatemat shqiptare dhe elozhet e Perëndimit
Edhe pse ka kaluar një çerek shekulli pas përmbysjes së totalitarizmit dhe fitores së demokracisë në Shqipëri, çuditërisht Marksi anatemohet ende dhe kur ndonjë është kundër politikës së liderit, ai cilësohet si një «marksist», duke simbolizuar kështu të keqen dhe kohën e Enver Hoxhës. Kjo nuk është vetëm për të qeshur, por dhe një diçka tragji-komike, pasi ata që e anatemojnë Marksin akoma dhe që janë në rradhët e politikës, nuk kanë mundur ta kuptojnë asnjëherë atë madje dhe botën e sotme intelektuale të këtij rruzulli, i cila e ka renditur Karl Marksin si një nga figurat më të mëdha të mendimit njerëzor. Kjo mund tu duket atyre e habitshme, por le të habiten, pasi kështu mund të mësojnë diçka. Kjo padyshim ka të bëjë me nivelet e kulturës dhe të njohjes, me atë që quhet «gnosos», por edhe me atë që jo pak politikanë të sotëm shqiptarë, që janë rritur në kohën e «viteve të plumbit», pra në kohën totalitare, kanë mbetur ende robër të asaj fantazme që lidhet me fotografinë e Marksit që çdo 1 maj parakalonte në bulevardin «Dëshmorët e Kombit», krahas fotografive gjigande të Leninit, Stalinit, Mao Ce Dunit dhe të Enver Hoxhës. Eshtë e vërtetë që Lenini dhe veçanërisht Stalini e interpretuan si deshën teorinë e Marksit dhe vetë Marksin, duke e paraqitur atë si një «mesi» të proletariatit, ndërkohë që ai ishte një borgjez i vogël “renan”, i mbytur nga borxhet, i cili sistemin kapitalist, nga një anë e shikonte si një sistem revolucionar të zhvillimit, dhe nga ana tjetër i bënte një kritikë radikale, pasi ai çonte drejt polarizimit të shoqërisë në të pasur dhe të varfër. «Vetëm një idiot mund ta bëjë Marksin përgjegjës për gulagun, – shkruante i zëmëruar analisti anglez dhe editorialist i gazetës The Guardian, Francis Wheen, i cili është një nga studjuesit e jetës dhe teorisë së Marksit dhe autor i një libri mbi të. Ai shkruan se «gjatë Luftës së Ftohtë, konservatorët perëndimorë e kishin bërë Marksin një autor demoniak i të gjitha të këqiave». Madje shumë libra u shkruajtën kundër tij gjatë «Luftës së Ftohtë», por jo nga ekonomistë e filozofë, (madje filzozofë dhe të djathtë, si Raymond Aron, jepnin leksione në Sorbonne rreth marksizmit). Një nga këto libra anti-marksistë të kësaj periudhe, që nisi me «gjuetinë e shtrigave» të makartistëve kundër komunistëve apo simpatizantëve të majtë amerikanë (gjer dhe aktorët dhe regjisorët e Hollivudit), ishte dhe ai i reverendit amerikan Richard Wurmbrand, i titulluar A ishte Karl Marksi një satanist?, i cili në këtë libër shkruante se «që në vogëli të tij, Marksi ishte mbrujtur në një kishë satanike tepër të fshehtë». Sigurisht, gjithçka ishte një fantazi e tij. Madje si shëmbull, ai sillte dhe mjekrën e tij satanike, duke harruar se në Angli, në kohën kur jetonte Marksi atje, mjekra ishte në modë dhe shumë lordë e mbanin atë. Por mjerisht, meqë në vitet e fundit të jetës së tij, Marksi i varfër ishte i sëmurë dhe i ranë flokët, ai u detyrua ta rruante mjekrën dhe mustaqet, por askush nuk e ka përdorur fotografinë e fundit të tij. Pra koha e «Luftës së Ftohtë» ishte koha e satanizimit të Marksit, por kjo erdhi si rrjedhojë e asaj që Stalini do ta bënte si frymëzuesin e dhunës revolucionare, duke e kthyer Marksin kokëposhtë, duke u kapur nga teoria e «diktaturës së proletariatit», e cila ishte rezultat i revolucioneve të vitit 1848 nëpër Evropë. Por dihet se më vonë, Marksi e zhvendosi luftën nga rruga në lëmin politik, pra të ndryshimeve shoqërore e politike përmes zgjedhjeve.
Pas rënies së «Murit të Berlinit», shumë konservatorë perëndimorë vunë re se krimet dhe dhuna totalitare nuk kishte asnjë lidhje me Marksin, por ishte rrjedhojë e drejtpërdrejtë e paranojës së diktatorëve ndaj pushtetit dhe fundit të tyre, pasi Marksi, siç dihet, në fundin e jetës së tij, ndryshe nga Manifesti Komunist, i jepte përparësi ndryshimit të sistemeve politike përmes votës së lirë. Në një letër të shkruar në vitin 1872, kohë kur ai ndjeu se teoria e tij nuk po kuptohej siç duhej, meqë projekti i tij ishte për shoqërinë globale, pra botërore, e cila do të vinte pas një kohe të gjatë, ai i shkruante një mikut të tij belg, Cesar de Paepe: «Me vështirësi pres kongresin e ardhshëm (të Internacionales). Do të jetë fundi i skllavërisë time. Pas kësaj do të bëhem një njeri i lirë dhe kurrë nuk do të pranoj përgjegjësi administrative.” Marksi largohej i ndërgjegjshëm nga kjo botë për vlerat e mëdha të kapitalizmit, i cili do të paralajmëronte një sistem të ri ekonomik, social e politik në sajë të globalizmit. Kjo ishte dhe utopia e Marksit, në vazhdën e utopive të mëparshme të Thomas More, të Campanelas me «Qytetin e Diellit», Furier, etj. Një utopi që kishte kufizimet dhe gabimet e veta. Marksi nuk ishte kampioni i perfeksionit filozofik.
Siç shkruan analisti i sotëm francez, Pascal Bollon, «Sa herë që kapitalizmi njeh kriza ekonomike, financiare, sociale apo politike, Karl Marksi ringjallet dhe gjen një rini të re». Interesante është se kriza e sotme financiare dhe ekonomike, solli përsëri në debatin intelektual perëndimor edhe vizionin e Marksit mbi kapitalizmin, aq sa dhe ministri gjerman i Ekonomisë, në një nga intervistat e tij në shtyp, do të pohonte para disa kohësh se disa nga analizat e Marksit rreth kapitalizmit mbeteshin aktuale dhe të sakta. Sipas studjuesit francez Christian Laval, «Marksi jo vetëm na jep çelësat interpretuese të dinamikës së shoqërive tona, por ai është aktual sepse lufton konceptin liberal të «njeriut ekonomik», edhe pse vetë ai e pranonte këtë. Me një fjalë, Marksi kritikonte rendjen e njeriut pas fitimit, duke u bërë rob i tij dhe duke u shpërfytyruar, çka e shohim sot në shumë nga kronikat e shtypit të përditshëm. «Njeriu ekonomik» i «alienuar» nga pushteti i parasë, siç e konsideron Marksi, mbetet po ai që ka përshkruar ai, dhe ky është një realitet, po aq sa dhe tri premisat e historisë njerëzore që Marksi përcaktonte në teorinë e tij, ku shkruante: – «Njeriu si qënie e gjallë ka nevojë që për të bërë historinë ai duhet të jetojë, pra prodhimi i jetës materiale, i mjeteve të prodhimit që do i lejojnë atij plotësimin e nevojave që të mund të jetojë; – Plotësimi i nevojave të para shtyn në plotësimin e nevojave të reja; – Riprodhimi dhe krijimi i familjes».
Marksi si një referencë e detyrueshme
Alain Minc është një nga ekonomistët më të njohur francezë dhe analist kritik i ekonomisë liberale. Në librin e tij Profetët e lumturisë, një kapitull më vete ai ia kushton Marksit, duke i bërë elozhe largpamësisë së tij dhe studimit të ingranazheve të sistemit kapitalist. «Ajo që më ka tërhequr, – pohon ai në një intervistë në Magazine Littéraire të këtyre kohëve, – është një lloj loje intelektuale me Marksin, pasi autori i Kapitalit mbetet një teoricien spikatës i kapitalizmit, madje një analist i shkëlqyer i Ekonomisë së Tregut. Por përveç këtyre arsyeve teorike, ajo që më ka çuar te ai janë «krisjet, interesi për ambivalencat (e mendimit të tij) intensiteti romanesk i jetës së tij… Për shumë arsye Marksi është një referencë e domosdoshme për të kuptuar kapitalizmin e kohës sonë. Sigurisht, disa parashikime të tij ishin të gabuara. Po kështu dinamika e klasave që ai kishte imagjinuar, sot nuk është po ajo. Por klasat sociale, për të cilat shkruan ai, ekzistojnë… Klasat sociale janë në thelb të refleksionit bashkëkohor…»
Sigurisht, Marksi gaboi në profecinë e tij mbi fundin e kapitalizmit, luftën e klasave dhe ardhmërinë e parajsës socialiste. Marksi ishte një utopist që shkonte në vazhdën e utopistëve të tjerë europianë për krijimin e “shoqërisë së lumturisë së përbashkët», të «barazisë dhe vllazërisë» dhe në këtë kuptim ai ishte gjithashtu në vazhdën e ndikimit të filozofisë së Lumière-ve dhe të Revolucionit Francez. Madje ekonomisti francez Minc, shkruan se “Nëse Marksi kurorëzoi më mirë se kushdo dimensionin prometian të kapitalizmit, ai nënvleftësoi forcën e adaptimit të tij, aftësinë e tij të rinovimit. Marksi nuk e pranonte idenë që krahas faktorit të punës prodhuese, mund të ishte faktor produkti dhe vetë kapitali dhe se prodhimi global rezulton nga bashkëpunimi i këtyre dy fenomeneve. Pra kursi drejt prodhimit nuk është një shkarje iluzore që e çon kapitalizmin në një vdekje të paralajmëruar, por përkundrazi, është lufta për jetën.”
Duke pohuar karakterin revolucionar të kapitalizmit, Marksi shkruante dhe në manifestin e tij se «Gjatë historisë, borgjezia ka luajtur një rol të shquar revolucionar. Kudo ku ka marrë pushtetin ajo i ka shkelmuar marrëdhëniet feudale, partriarkale, idilike… Borgjezia nuk mund të ekzistojë pa revolucionarizuar vazhdimisht prodhimin, që do të thotë raportet e prodhimit, gjithë raportet shoqërore. Kjo metamorfozë e vazhdueshme e prodhimit, ky konstatim i tronditjes së gjithë sistemit social, ky shqetësim dhe kjo pasiguri e vazhdueshme, e dallojnë epokën borgjeze nga gjithë sistemet paraardhëse.»
«Paradoksi i këtyre rradhëve, – shkruan Alainte Minc, – është se në to kombinohet një kritikë radikale e kapitalizmit me apologjinë që ai i bën vetë kapitalizmit. A mund ta përshkruajmë kaq mirë dhe me një peshë të tillë lirizmi ecjen triumfuese të globalizmit sot?… » Siç e thonë disa analistë të sotëm, Marksi diti të veçojë tre faktorë të prodhimit dhe që janë: kapitali, puna dhe besimi. Por edhe pse shkruante për forcën revolucionare të kapitalizmit në zhvillimin e shoqërisë njerëzore në një shkallë më të lartë, ai e kuptonte forcën «demiurge», pra të errët, të vetë këtij sistemi dhe që lidhej padyshim me shfrytëzimin e egër, varfërimin, polarizimin dhe frakturën e madhe sociale midis disa njerëz shumë të pasur dhe miliona apo miliardave të varfërve. Ekonomisti Joseph Schumpeter, analizën e “kapitalizmit-demiurg” e lidhte me formulën «destruction creatrice» pra me “shkatërrimin krijues”.
“Në kohën e mondializimit, shumë nga analizat e Marksit tingëllojnë të kohës dhe moderne”, – thotë analistja franceze Anne Vidalie. Në fakt, në Azi, Afrikë, Amerikë Latine, pabarazitë për të cilat fliste dikur Marksi, janë tepër të mëdha. Varfëria po shtohet. Pasuria përqëndrohet gjithnjë e më shumë në një grup njerëzish dhe në çdo fushë prodhimi lindin e zgjerohen “grupime të mëdha multinacionale”. Kjo është dhe bindja e historianit mjaft të njohur të teorisë marksiste, anglezit Eric Hobsbawn apo dhe e ekonomistit të njohur francez Jacques Attali, ish këshilltar i presidentit Mitterand, ish president i Bankës Evropiane të Zhvillimit (BRED) apo president i “PlaNet France”, një organizatë në mbështetje të mikro-krediteve. “Eshtë e habitshme, – thotë Hobsbawn, – që Karl Marks po ngjall kaq shumë interes në kohën tonë. Sot influenca e tij është e pabesueshme. Fundi i “marksizmit zyrtar” në Bashkimin Sovjetik, e çliroi Marksin nga identifikimi me teoritë leniniste dhe regjimet që e pështatën me politikën e tyre. Sot përsëri thuhet: “Ah, paska gjëra interesante në filozofinë e Marksit”. Ky konstatim na çon në shpjegimin e dytë dhe më interesant: bota e kapitalit e shfaqur në vitet 1990, çuditërisht në dia drejtime përshkruhet që në Manifestin e Partisë Komuniste të vitit 1848… Soros një ditë më tha: “A e di? Sapo kam lexuar librat e Marksit dhe gjeta në to një pasuri të madhe”…
Në të njëjtat ide me Hobsbawn është dhe ekonomisti e politeknicieni Jacques Attali, i cili së fundi ka shkruar dhe një libër për Marksin: Karl Marksi – ose shpirti i botës. “Me lëvizjen socialiste internacionale, – thotë Attali, – Karl Marksi lançoi një tentative të jashtëzakonëshme në konceptimin e botës në tërësinë e vet. Eshtë një mendimtar tepër modern, pasi tekstet e tij nuk përshkruajnë konturet e një shteti socialist të organizuar, por atë të kapitalizmit në të ardhmen. Ndryshe nga karikatura që i është bërë marksizmit, Marksi ishte një admirues i kapitalizmit”. Për Marksin, kapitalizmi ishte sistemi më i mirë i të gjitha kohrave, të cilat ai i quante obskurantiste. Ishte Marksi ai që tha se proteksionizmi ekonomik është gabim dhe se liria e shkëmbimeve është një kusht për progresin. A nuk është ky motori lëvizës i zhvillimeve më të fundit botërore? Si mund të kesh progress me një ekonomi të mbyllët, autarkike, të planizuar e çentralizuar, të konceptuar perms nacionalizmit ekonomik në një kohë të globalizmit, ku kushti i parë i mbijetesës është pikërisht konkurenca e lirë dhe tregu i shkëmbimeve të lira? Për Marksin, kapitalizmi duhej të ngrihej në shkallë botërore dhe pastaj të mendohej për socializmin. Marksi ishte një mondialist, i cili vëzhgonte tendencën e lëvizjeve të kapitaleve, të zhvillimit të prodhimit, të shkëmbimit, e cila një ditë do të kapërcente caqet e sistemit kapitalist. Mendimi i tij ishte njëherësh mendim filozofik, sociologjik, analizë ekonomike dhe politike e kapitalizmit por dhe një projelt politik për të ardhmen. Marksi nuk merret thjesht me Gjermaninë apo Britaninë e Madhe. Jo! Ai mendonte për ardhmërinë e botës, për zhvillimin e hapjen e tregut në shkallë botërore, për solidaritetin dhe barazinë e popujve. Ja pra Marksi i vërtetë, Marksi liberal, Marksi partizan i hapjes së tregjeve dhe të shkëmbimit të lirë. Marksi që proklamonte se « komunizmi do të vinte nëse kapitalizmi, në mënyrë universale do të merrte fund si sistem ». Por a do të marrë fund ? Sigurisht, një ditë po kur ?…
Përse vallë në tekstet e shkollave tona këto të vërteta të Marksit nuk u thanë kurrë? Përse Marksi u çenzurua në një formë të tillë aq sa t’i thuash sot tjetrit në Shqipëri “marksist” tingëllon si sharje, apo sikur t’i thuash se është një adhurues i diktaturës, se në teorinë e Marksit është fara e “krimit”? Kur bustet e Marksit shkriheshin në fonderitë shqiptare, presidenti francez Mitterand e thoshte me mburje se “ishte marksist dhe jo leninist”, shprehje të cilën e tha më vonë dhe kryeministri francez Jospin, apo dhe politikanë të tjerë të majtë apo dhe të djathtë. Presidenti Sarkozy përmendi gjate fushates elektorale te tij emrin e Gramshit, një prej pasuesve të denjë të fizolozofisë marksiste dhe nuk e akuzoi askush per idolatri ndaj një marksisti. Marksi në Perëndim nuk është një gogol por një filozof i madh, ashtu siç rradhiten filozofë të tjerë të mëdhenj të botës nga Sokrat e Platon tek Spinoza, Pascal, Hegel, Shopenhauer e të tjerë gjigandë të mëdhenj të mendimit njerëzor. Madje sipas një sondazhi të fundit, Marksi rezulton si autori që ka shkruar tekstin (jo fetar) më të lexuar në të gjithë botën! Pra si mund ta hedhin Marksin në koshin e plehrave politikanët tanë të sotëm?!
Çuditërisht, shekulli që jetojmë nuk është larg shekullit të Marksit, edhe pse bota ka ndryshuar shumë në parametrat e vet ekonomikë, politikë, kulturorë e të komunikacionit. Demografikisht bota atëherë dominohej nga Azia dhe ekonomikisht nga bota anglo-saksone, siç është edhe sot. Ashtu si atëherë, pabarazitë janë tepër të mëdha; teknologjitë e reja pa sjellin revolucionarizime të mëdha, duke paralajmëruar një punë më pak të lodhëshme dhe një përdorim më të pakët të punës së krahut. Njerëzit shpresojnë në një jetë më solidare, më vëllazërore dhe të çliruar nga shfrytëzimi i njeriut nga njeriu. Tek Marksi nuk gjen as gjurmën më të vogël të nacionalizmit, pasi ai ishte shëmbulli më pikant i internacionalizmit dhe i botës së përbashkët. Pikërisht pse Marksi është “përkthyer” si një instrument për pushtetin e atyre që u hoqën si pasues të tij, ai u keqkuptua, u identifikua me njerëz që patën kultin e dhunës. “Teorinë e tij, – thotë Attali, – e bënë për vete armiqtë e tij më të mëdhenj si Lassal, Bismark, Hitler apo vetë Lenini…Pra është një tragjedi e tmerrëshme. Tek Marksi asnjëherë nuk ka ekzistuar ideja e një partie të vetme, unike. Por ai kishte idenë e një partie të proletariatit në një rend botëror. »
Lajmëtari i globalizmit
Pothuaj të gjithë ekonomistët liberalë janë të një mendimi: Marksi paralajmëroi epokën e ardhshme të globalizmit. Duke studiuar sistemin kapitalist, shtimin e vazhdueshëm të prodhimit, zgjerimin e tregjeve, të tregtisë dhe shtimin e nevojave për burime natyrore përtej territoreve kombëtare, ai gjykoi se monopolet e para do të çonin drejt një globalizimi të tregjeve, parave, ekonomive, teknologjive, pra drejt asaj që po përjetojmë sot, ku një uzinë gjigande ka filialet e saj në disa skaje të globit tokësor. Si të thuash, Marksi pati meritën që paralajmëroi globalizmin si një rezultante të zhvillimit kapitalist. «Me zbulimin e Amerikës, – shkruante Marksi, – industria e madhe ka krijuar një treg botëror. Tregu botëror do të përshpejtojë në mënyrë të mahnitshme zhvillimin e tregtisë, lundrimit, rrugëve të komunikimit. Përmes shfrytëzimit të tregut botëror, në të gjitha vëndet borgjezia i jep prodhimit një karakter kozmopolit. Industritë e vjetra kombëtare vjetërohen e shkatërrohen çdo ditë, duke u zëvëndësuar nga industritë e reja. Në vënd të nevojave të mëparshme që kënaqeshin nga prodhimet kombëtare, lindin nevoja të reja, që kërkojnë prodhime të zonave të largëta. Dhe ajo që është e vërtetë për prodhimet materiale është po aq dhe për prodhimet e shpirtit.» A nuk po e përjetojmë dhe ne këtë fenomen çdo ditë, kur dhe të tjerë larg metropoleve, përdorin produkte materiale apo shpirtërore (filma, libra, internet, etj) që vijnë nga metropolet? Në fakt, po të vëzhgosh ndryshimet e bëra gjatë epokës viktoriane kur jetoi Marksi në Angli dhe mondializimit, pra globalizmit që ka nisur tashmë veçanërisht që nga vitet 1990, mund të pikasësh po ato analogji: revolucioni teknologjik i internetit, zhvillimi i paparë i telekomunikacioneve, fluturimet supersonike, deshifrimet genetike, i mikrokozmosit dhe makrokozmosit, etj, të cilat të kujtojnë revolucionet e dikurshme të shpikjes së hekurudhave, telegrafit, makinës së avullit, etj. Pikërisht pse jetojmë në një botë globale, krizat financiare apo ekonomike, “recession”-i, etj, nuk lënë pa prekur dhe periferitë e këtij globalizmi. Edhe lëvizjet që ekzistojnë sot nuk janë anti-globalizëm, por alter-mondialiste, d.m.th. ato janë kundër një mondializimi konkurencial dhe tregtar dhe jo një globalizim solidar e social.
Pas njëzetë e pesë vjetëve ndryshime politike në Shqipëri, ka ardhur koha t’i jepet fund anatema kundër Marksit. Sigurisht, ndokush mund të të cilësojë si marksist, por pak rëndësi ka. E rëndësishme është që mendimi intelektual shqiptar të ecë në një hap me mendimin perëndimor, që filozofët shqiptarë dhe historianët e mendimit politik, të mos kenë frikë të thonë atë që mendojnë për Marksin dhe të pohojnë se vërtet ai ishte një nga mendimtarët e mëdhenj të njerëzimit.
Marksistë, marksianë dhe marksologë…
Çlirimi i Marksit nga vargonjtë e shtetit totalitar të tipit stalinist dhe të regjimeve të tjera që ngrinin ngado portretet e tij, ka sjellë sot dhe shfaqjen e shumë marksistëve të rinj, marksianë apo marksologë që merren me « galaksinë Marks », për të shpjeguar të vërtetën mbi Marksin dhe për të vënë në vënd teorinë e tij për të ardhmen e shoqërisë botërore, pra planetare. Gjysëm shekulli më parë Raymond Aron, një nga studjuesit me të famshëm të kohës sonë për sistemin demokratik, jepte kurse në Sorbonë mbi Marksin dhe filozofinë e tij. Edhe pse nuk ishte marksist, ai thoshte se « Të lexosh Kapitalin, është një nga metodat më të mira të formimit ekonomist». Filozofë të tjerë të mëdhenj të shekulit XX deklaroheshin pasues të filozofisë marksiste si Louis Althuser, Henri Lefebre apo në fillimet e tij dhe Michel Foucault. Pas Luftës së Dytë Botërore, filozofët modernë si Marcuse dhe Adorno i u rikthyen studimit të mendimit marksist. «Eshtë një banalitet të thuash se Marksi është një komunist», – thotë sot studjuesi i njohur Francis Kaplan, – edhe pse tema unike e tij ishte bota e krijimit të një shoqërie pa pronë private ». Dhe më tej ai vazhdon : «Marksi na propozon tri lloj shfaqjesh të komunizmit : Së pari një komunizëm humanist, si realizim i natyrës njerëzore ; së dyti, një komunizëm etik, pra si një kërkesë morale ; dhe së treti, një komunizëm historik materialist, parë si një domosdoshmëri historike ». Por ç’duhet të kuptojmë sot me komunizmin si një «realizim të natyrës njerëzore». Në Dorëshkrimet e vitit 1844, të botuara shumë vonë, mund të zbulosh konceptin e Marksit për thelbin e njeriut. « Komunizmi është zotërimi real i thelbit njerëzor», shkruan Marksi, duke theksuar se veprimtaria e njeriut nuk duhet të zhvillohet kundër natyrës së tij, por duhet të zhvillohet në një mënyrë humane. Ai ishte kundër « alienimit të natyrës njerëzore nga pushteti i parasë», pra shpërfytyrimin e njeriut nga pushteti i parasë, çka e shohim tashmë ngado. Marksi do të ngrihej i tmerruar nga varri po të dëgjonte se ata që parakalonin me portretin e tij, kishin krijuar apo vazhdojnë të mbajnë gulagët dhe kampet e përqëndrimit në emër gjoja të krijimit të një shoqërie të re. Lenini i referohej Marksit, por në fakt predikonte të kundërtën. Stalini nga ana e tij nxorri teorinë e triumfit të komunizmit në në vend të vetëm të botës, e cila nuk ekziston në teorinë marksiste. Ndërsa Hitleri kërkonte ta agjësonte marksizmin pasi Marksi kundërshtonte teorinë e predominimit të racës ndër popujt e botës. Për Marksin, të gjithë njerëzit, në të katër anët e botës ishin njëlloj, ishin njerëz. Për të nuk kishte “popuj të zgjedhur” të cilët duhej të udhëhiqnin të tjerët. Ja pse në turrat e druve ku digjeshin filozofët e mëdhenj progresistë të botës, ndër librat e parë që flakeshin drejt zjarrit ishin veprat e Marksit.
Cili është Karl Marks ?
Karl Marksi, i lindur në vitin 1818 në Trëves të Prusisë « rhenane » rridhte nga një familje çifute. I jati i tij Hirschel Marx, ishte avokat dhe ai e nxiti të birin të bënte studime, fillimisht në Bon. Në rininë e tij, Marksi ishte një njeri gjaknxehtë dhe aventurier : një herë bëri një dyel dhe një herë tjetër e burgosën për dehje dhe rrahje, por kjo nuk do ta pengonte të adhuronte filozofinë. Pas doktoraturës së tij në filozofi me studimin « Filozofia e natyrës tek Demokriti dhe Epikuri », ai vazhdoi studimet në Berlin. Autorët e tij të preferuar në atë kohë ishin Adam Smith dhe Ricardo, për çka shumë filozofë të mëvonshëm do ta cilësojnë atë si një « dishepull » të Ricardo-s. Atëherë në Gjermani mbizotëronte filozofia e Hegelit, i cili në një farë mënyre ishte mbrojtësi i shtetit Prusian dhe i Fesë. « Hegelianët e majtë », ku bënte pjesë dhe Marksi, filluan ta interpretojnë në mënyrë kritike teorinë e Hegelit mbi Shtetin dhe Fenë. Një nga ata ishte Foeurbach (Fojerbah), i cili thoshte se «feja është një lloj alienimi, pra shpërfytyrimi, ku njeriu projekton tek Zoti atribute që nuk janë tjetër veçse ato të llojit njerëzor ». Pra shkrimet e para të Marksit janë të një lloj humanizmi ateist. Pas mbylljes së Gazetës Renane, (Rheinische Zeitung), të cilën ai e drejtoi për një farë kohë, Marksi u detyrua të emigrojë në Francë, ku u njoh me mendimtarë të tjerë progresistë si francezin Proud’homm, rusin Bakunin apo bashkëpatriotin e tij Heinrich Heine. Ai vazhdoi më pas në Bruksel ku dhe deklaroi veten si komunist. Në vitin 1848, kur Evropa ziente, ai kthehet në Gjermani, por me dështimin e revolucioneve në Francë, Gjermani e gjetkë, detyrohet të emigrojë përsëri drejt Londrës, nga ku nuk do të kthehet më. Ai tashmë është martuar me mikeshën e tij të fëmijërisë, vajzën aristokrate Jenny von Westphalen. Një miqësi e re e ka lidhur ngushtë me « alter-egon » e tij, Frederik Engels. Më 1864, ai pati idenë gjeniale të krijimit të « Shoqatës Ndërkombëtare të Puntorëve » dhe pikërisht në këtë moment ai do të lançohej në aventurën e utopisë së tij : transformimit të botës në një shoqëri të re humaniste.
Marksi, ky filozof nga më të varfërit dhe më të mjerët e botës (vitet e tij në emigrim, në Londër, ishin vite të një varfërie të skajshme) botoi në të gjallë të vet vetëm vëllimin e parë të Kapitalit. Vëllimi dytë dhe i tretë u botuan nga Engelsi ndërsa i katërti nga Kautski. Bota e Marksit ishte bota e ekonomisë dhe e punës, e kapitalit, e vlerës e mbivlerës, bota e kritikës ekonomike. Për Marksin, historia e shoqërisë njerëzore ishte një histori e mbarsur me luftë klasash. Kalimi nga skllavëria në feudalizëm e pastaj në kapitalizëm, të zhvilluara në epoka disa shekullore, u zhvillua nëpërmjet një lufte klasash. Marksi ngulte këmbë se zhvillimi i mënyrave të prodhimit ndryshon kushtet ekonomike, të cilat nga ana e tyre çojnë në një tjetër perceptim të botës, duke sjellë në pushtet klasa të reja që ndryshojnë raportet dhe mënyrat e prodhimit. Pikërisht kjo po ndodh dhe me zhvillimin e sistemit kapitalist, ku teknologjitë e reja dhe shkëmbimi i lirë në rang botëror po krijojnë raporte të reja. Shoqëria e sotme botërore është në evolucion dhe kapitalizmi nuk është i njëjtë në të gjitha vëndet e botës. Pra do të duhet ende kohë. Si do të jetë bota në shekullin e XXII ? Cili do të jetë roli i shtetit nacional dhe i atij super-nacional. A do të udhëhiqet bota nga një lloj OKB-je moderne dhe të pushtetshme që të mund të përmbushë aspiratat e popujve për liri dhe zhvillim dhe për të mbi-ekzistuar në një botë me miliarda e miliarda njerëz? Në çfazë do të jetë shkenca dhe globalizmi dhe a do të ketë vërtetë një ditë një rreze shpresë për utopinë?
Po, mundet që Marksi të kthehet në një referencë dhe ndryshe nga ajo që mendohet në Shqipëri, pasi teoria e Marksit ishte një teori humane, ajo e barazisë, solidaritetit dhe e zhvillimit, kërkimi i një sistemi të ri për banorët e nesërm të këtij rruzulli. A nuk i referoheshin atij dhe politikanët perëndimorë, Mitterand-i që thoshte me mburrje se «unë jam marksist, por jo leninist», apo ish kryeministri Jospin, i cili jo rrallë i referohej dhe Marksit në debatet filozofike? Në fakt që në vitin 1997, duke iu kthyer figurës së tij, në revistën New Yorker, Marksi përcaktohej si një mendimtar i madh, «i cili mund të na mësojë shumë për korrupsionin, monopolizimin dhe pabarazinë e tregjeve». Në shumë anketa, deri para dy vjetësh, Marksi renditej si një nga mendimtarët më të mëdhenj të historisë botërore. Në një anketë të revistës gjermane Spigel, ai renditej si figura e dytë e botës filozofike. Francezi Alain Minc, e përcakton atë si «një nga analistët më të mirë të shoqërisë së Tregut». «Marksi, – shkruante ai, – është i vetmi që ka menduar ekonominë dhe shoqërinë në të njëjtën kohë. Askush nuk e ka bërë ashtu si ai, para dhe pas tij. Keynes ishte një ekonomist i jashtëzakonshëm, por nuk i bëri një përshkrim të hollësishëm shoqërisë».
Marksi dhe ka gabuar
Edhe Marksi, si të gjithë filozofët e tjerë të botës, nuk është perfekt. Dhe ai ka kufizimet e veta, që lidhen me kohën kur jetoi dhe shkallën e njohjes, të shkencës dhe zhvillimit. Po të jetonte në shekullin tonë, Marksi do të fliste padyshim me një gjuhë tjetër. Por sidoqoftë ndër kufizimet e tij parësore është thënia e famëshme e tij «Feja është opium për popullin», të cilën Enver Hoxha e çoi në kulmin e vet, duke e nxjerrë fenë jashtë ligjit dhe duke rrafshuar vëndet e kultit. Eshtë e vërtetë se Marksi ishte ateist dhe nuk besonte tek Zoti. Por sigurisht, duke qenë ateist, ai e mendonte shprehjen e besimit si një çështje të së drejtës njerëzore të pamohueshme, edhe pse e paragjykonte këtë. A nuk është besimi një nga gjërat elementare të së drejtës ?… Dy herë në jetën e tij, Marksi mendoi se kapitalizmi ishte i dënuar të dështonte shumë shpejt, por pastaj ai e kuptoi se nuk mund të ndodhte kështu, sepse tregu kishte një të ardhme të madhe para tij. Për të, kapitalizmi do të zhdukej vetëm kur të transformohej në shkallë botërore, kur kombet të zhdukeshin dhe teknologjia e re do të jepte mundësinë e zhdukjes së rraskapitjes së njeriut si dhe mundësinë e kontributit gratis.
Edhe kur flet për diktaturën e proletariatit, Marksi flet në një kontekst tjetër, jo në atë të dhunës së shtetit ndaj njeriut, apo të njeriut nga njeriu. Edhe pse flet për diktaturën e proletariatit në Manifestin e tij, ai vë theksin për fitoren përmes zgjedhjeve, që sot është një nga shtyllat bazë të demokracisë. Termin « diktaturë e proletariatit », Marksit ia detyroi koha e revolucioneve në Europë gjatë vitit 1848, si në Francë, Gjermani, e gjetkë. Ishin kushtet ekonomiko-sociale ato që kërkonin një zgjidhje radikale. Por në fund të jetës së tij, kjo tezë filloi të largohej nga ky projekt dhe Marksi tashmë mendonte « për një formë paqësore të zhdukjes revolucionare të kapitalizmit ». Zëvendësimi i kapitalizmit me shoqërinë e re nuk do të bëhet automatikisht, thekson Marksi, dhe kjo nuk është e pashmangshme Por kushtet ekzistojnë : do të varet nga njerëzit nëse do e bëjnë apo jo. Ja pse ai udhëzonte luftën politike, pra luftën në mjedisin e politikës dhe jo në rrugë me dhunën revolucionare, siç ishte shprehur më parë.
Sidoqoftë, bota moderne dhe e qytetëruar di të vlerësojë dhe t’i shohë me një sy kritik rrymat filozofike në historinë e mendimit njerëzor Pas mjergullës së madhe të shekullit XX dhe gëlimit të habitshëm të shteteve totalitare, figura e Marksit është vendosur në vëndin që i takon. Marksi nuk është më i keqkuptuar, as i kryqëzuar. Marksi është një referencë e vlefshme në rrugën e konceptimit të ardhmërisë së botës dhe utopisë. Ta mbash Marksin ende të kryqëzuar, siç e mbajmë ne shqiptarët, është injorancë, por edhe shprehje e konfuzionit dhe frikës që ekziston ende në mendimin filozofik shqiptar për të mos u etiketuar si…”marksistë”.
Dhe më së fundi, kemi të drejtë ndoshta të themi: po ne shqiptarët, a do ta anatemojmë akoma Marksin?…

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *