A është, vallë, njeri…?” është libri i parë i Primo Levi-t, shkruar e botuar më 1947-ën menjëherë pas daljes nga kampi i përqendrimit në Aushvic.
Në këtë libër, ai rrëfen përvojën e një viti të tërë, nga shkurti 1944 deri më 27 janar 1945, të kaluar në lagerin e Buna-Monovicit. Buna ishte një ndër 44 kampet satelitë të Aushvicit, në Silezinë e Sipërme, në territorin polak. Historia fillon me internimin e
autorit në kampin për hebrenj në Fosoli dhe përfundon me çlirimin e kampit të Aushvicit nga ushtria ruse. Levi arriti të mbijetonte falë ushqimit shtesë, që një punëtor italian, Lorencoja, arrinte t’ia kalonte fshehurazi.
Përvoja e Levi-t si një ndër të mbijetuarit e këtij Lageri famëkeq shpërfaqet në një prej librave më realistë e të thellë mbi ferrin që përjetuan gjithë bota e sidomos hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Me stilin e zhveshur të një kronike, ai sjell dëshmi tronditëse të asaj mbijetese deri në çnjerëzim. Ky është libri i dinjitetit, i zvetënimit dhe i tëhuajzmit të njeriut përballë mekanizmave të pamëshirshme të shfarosjes në masë. Peripecitë e
turmës, që tashmë s’ka emër, por veç një numër të vulosur si tatuazh i përjetshëm mbi parakrahun e majtë, rikujtohen pa asnjë fije retorike, duke ia lënë komentet në dorë vetë
realitetit lebetitës.
Mbi autorin
PRIMO LEVI është shkrimtar italian me origjinë hebreje, një prej të mbijetuarve të kampeve të përqendrimit hitleriane. U diplomua si kimist në vitet e para të vendosjes së
regjimit fashist, i cili, më 1938 shpalli ligjet racore, që sollën diskriminimet e rënda ndaj qytetarëve italianë “të racës hebreje”. Të gjitha këto e shtynë Levin të hynte në radhët e
antifashistëve dhe të merrte pjesë në disa çeta partizane. U arrestua në dhjetor 1943 dhe, prej shkurtit 1944 deri më 27 janar 1945, përjetoi tmerrin e pafund të kampit të shfarosjes
në Aushvic. Përvoja në kampin e përqendrimit e tronditi si fizikisht, edhe psikologjikisht dhe e shtyu të hidhte në letër makthin e jetuar prej tij e miliona njerëz të tjerë, përmes
shkrimesh të paharrueshme si “A është, vallë, njeri…?”, “Armëpushimi” dhe “Të
mbytyrit e të mbijetuarit”.