Këtu ku bullizëm ka kudo, por vetëm Kristi dhe Xheni ia ndiejnë lezetin

Nga Iva Tiço 

Mikesha ime, këtë vit u ndërroi shkollën fillore fëmijëve; nga një shkollë private i çoi në një tjetër, sepse kishte dëgjuar shumë histori me paraadoleshentë, që vuanin për shkak të sulmeve të moshatarëve të tyre (tashmë e kemi mësuar të gjithë që ky fenomen quhet bullizëm). Nëse nuk do kisha shoqe me fëmijë që po rriten, me siguri do mendoja që kjo puna e bullizmit është diçka që shihet vetëm në filmat amerikanë. Por, edhe pse nuk ia kemi përdorur kurrë emrin në anglisht, bullizmin e kemi pasur gjithmonë mes tonë. Madje edhe para ’90-ës, atëherë kur mendohej që të gjithë ishim të barabartë, sërish nuk kemi qenë ashtu.

Sot ndihem shumë keq të kujtoj se si një vajzë “me ngjyrë” (nuk di nëse i takonte komunitetit rom apo egjiptian, në atë kohë thirreshin të gjithë me një emër përbuzës, që përveçse në media, sot e gjithë ditën thuhet kudo me zë të lartë) rrinte vetëm në bankë të fundit dhe kjo ishte gjëja më normale për të gjithë, madje edhe vetë mësuesja, kur na kontrollonte flokët të hënave për parazitë, atë nuk e prekte me dorë si gjithë ne të tjerët, por me vizore apo stilolaps… Fëmijët edhe atëherë ishin të pamëshirshëm: ushtronin atë që sot quhet bullizëm ndaj atyre që ishin më keq, që visheshin me arrna, që vinin nga fshati, që shkruanin me dorën e majtë, që kishin syze, që kishin morra, që bënin çiçin pa dashje, që nuk dinin të kapërcenin kaluçin… Nuk ishte e lehtë as atëherë të pranoheshe, kërkonte luftë të pëlqeheshe, vuaje nëse përqesheshe dhe mbi të gjitha nuk e thoje askund dhe askush nuk merrej me këtë punë. Madje, ekzistonte dhe frika se nëse prindërit apo mësuesit e merrnin vesh, të bënin ty me faj. “Nuk të duan shoqet dhe shokët? Atëherë korrigjohu dhe bëhu i denjë”.

Sot ndodh e kundërta, jo vetëm që të dëgjojnë nëse flet, por merren dhe masa për të edukuar fëmijët që në shkolla për të pranuar të ndryshmit nga ata. Dhe çdo gjë që bëhet nuk është asnjëherë e tepërt, asnjëherë mjaftueshëm. Por ja që gjithë përpjekja e mirë për të zhvilluar fushata sensibilizimi kundër bullizmit nëpër shkolla ka përfunduar në debatin që ka në qendër komunitetin LGBTI dhe dy aktivistët e tyre të flaktë, Kristi Pinderi dhe Xheni Karaj. Për dritshkurtësinë e medias apo për zgjuarsinë e aktivistëve, në vend që të flitet për bullizmin, sërish të gjithë e gjejnë veten në deklarata të vjetra dhe të reja pro dhe kundër komunitetit “gay”. A thua se në Shqipërinë që zjen nga mëngjesi deri në darkë në një zinxhir bullizmi në çdo cep, halli i vetëm i adoleshentëve janë të kuptuarit apo të moskuptuarit e marrëdhënieve brenda gjinisë dhe asnjë formë tjetër bullizmi nuk ekzistoka! Pikërisht mes atyre adoleshentëve që nuk duan vajzat e shëndosha. Por që nuk duan as vajzat e dobëta dhe pa forma. Mes adoleshentëve që nuk të pranojnë për shoqe nëse ke hundë të madhe apo ato shenja në fytyrë. Apo edhe nëse nuk di të kombinohesh. Ka bullizëm në shkolla për djemtë që nuk dinë të luajnë me top apo me vajzat që duan të luajnë me top dhe jo me kukulla.

Bota e fëmijëve ndonjëherë është e tmerrshme, e të rriturve po aq. Bullizëm ka në rrjet, ka ndaj personazheve të televizionit, por edhe ndaj të thjeshtëve që bëjnë një koment. Bullizëm ka dhe në lagjen time të “tironsave” ndaj ne jabanxhinjve, por ka dhe të të gjithëve ne banorëve bashkë, jabanxhinj e vendalinj, ndaj tropojanit që ka lokalin ngjitur, sepse përveçse jabanxhi, ai është dhe me qira…! Ne që nuk kemi minimumin e ndjeshmërisë për ta vënë veten nën lëkurën e atij tjetrit, që nuk e pranojmë sepse është i ndryshëm nga ne, në këtë rast e kemi kapur alarmin vetëm me komunitetin “gay”, dy përfaqësues të të cilit na qenkan më të shkathët se gjithë “të shtypurit” e tjerë, sa ta futin axhendën e tyre nëpër kurrikula shkollash. Ndërkohë që ata vetë ushtrojnë bullizëm më shumë se gjithë të tjerët, ngrenë zërin dhe vënë me shpatulla për muri këdo që thotë diçka ndryshe nga ata, këdo që nuk është si ata. Pikërisht Pinderi dhe Karaj, që duhet ta dinë më mirë se kushdo tjetër ç’do të thotë të jesh e mendosh ndryshe, janë dhe më jotolerantët. Jo se nuk dinë, por kështu ua do puna: vetëm në këtë mënyrë arrijnë që të shpien përpara shoqatën e tyre, duke ndërtuar përpara donatorëve imazhin e një kominiteti që e ka kapur veç me ta. Dhe komuniteti bie në grackën e tyre: i merr seriozisht gjithmonë, në çdo provokim, duke shtuar bullizmin.

Vitin tjetër me siguri do kemi të njëjtin debat, me të njëjtët personazhe. Ndërkohë që nxënësit në shkolla do vijojnë betejat e tyre të përditshme kundër shokëve të klasës, për njëmijë arsye, siç kemi bërë dhe ne, që, në fund të fundit, nuk na bënin seminare as këta të LGBTI-së dhe as ata që duhet t’i bëjnë vërtet. Dhe, pa merak, nuk ka asnjë rrezik që “sensibilizimi” apo “propoganda e gay-ve”, siç duan ta quajnë prindërit, t’u bëjë dëm fëmijëve të tyre, sepse jo vetëm që homoseksual nuk bëhesh po dëgjove një rrëfim, por edhe sepse këta të sotmit janë brez aq i mençur, sa të dinë gjithçka, madje edhe  të tallin e vënë në lojë dhe nuk e kupton fare. Janë një brez që e kuptojnë shumë mirë se çfarë janë marrëdhëniet homoseksuale dhe se gay në të vërtetë janë njerëz si George Michael dhe Elton John. Kurse Kristi dhe Xheni janë…  Epo janë ata që këtë e kanë punë dhe marrin fonde.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *