Kemi vorfëni letrare?!

Një artikull i shkruar në vitin 1932 nga STERJO SPASSE, kur ishte 18 vjeç, në gjuhën standarde të kohës, në standardin e elbasanishtes, i botuar në të përkohshmen “Normalisti” që dilte në Elbasan.

Po, kemi me të vërtetë vorfëni letrare, se na mungojnë libra shkollore, romanca, novela. drama përshkrime dhe studime të ndryshme krejt origjinale. Rrallë, fort rrallë shofim aty, këtu nji botim të vogël. nji libër mikroskopik origjinal; shum rrallë lexuesi shqiptar shijon ndonji novelë shqipe, por nuk ka pamun fare këto vitet e fundit ndonji romancë ( Ah. Foqion Postoli, ku je, qi t’i jipshe letërsis shqipe edhe nj’a dy, tri romanca tërheqëse?!..)
Nëpër fletoret kombëtare (të na ndiejnë se po i zâmë në gojë) gjithnji po shofiin si nënfletë të fletores të shkrueme këto fjalë; “Letratyrë Frânge ose Ruse. etj.. .” edhe na ka marrë malli të shofim të shkrueme aty fjalët: “Letratyrë Shqipe„ . . .. Ku janë novelistët shqiptarë?!
Mos nuk ndjen aspak zemra e ndonjij novelisti të ri shqiptar, nga shkaku se Shqipnis i kanë hymë drethkat (nazet) evropjane (!!), qi na i kanë përziem zakonet t’ona të shejta, a po mos nuk frymëzohet fantazia e tij nga malet, nga fushat, nga shqembet. nga liqejt, nga vashat dhe nga bukurit e tjera natyrore të tokavet të Skënderbeut dhe i pëlqen të jetojë në monotonín shekullore?”/ Marre nga: BETI NJUMA dhe Biblioteka e Librave të Harruar

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *