Katra(n)xhinjtë dhe hipokrizia me Mirelën!

Nga Bledi Lumani

Që prej gjestit ndaj Lindita Nikollës, ka dhjetra shkrime, emisione, dhe rrjeti është ndarë në pro dhe kundër veprimit, por dhe atë që përfaqëson Mirela Ruko.

Ajo shihet sot si viktimë e këtij sistemi që ka ndërtuar klasa jonë politike, por dhe si simboli i protestës dhe i atyre që kanë vendosur të reagojnë ndaj padrejtësisë, pabarazisë dhe pamundësisë.

Mirela është “heroina” e ditëve moderne: Vjen nga fshati dhe përballet me realitetin e vështirë të qytetit, lufton me varfërinë, paragjykimet dhe revolta e saj ndaj sistemit është e kuptueshme( edhe pse në fakt, ajo thotë se nuk veproi në shenjë revolte për jetën e saj të vështirë, por se ashtu kishte vendosur organizata politike në të cilën Mirela bën pjesë).

Në sytë e publikut ajo është një personazh i dashur, pasi me një gjest tregoi se sistemi mund të goditet dhe tronditet, edhe pse veçse simbolikisht.

Ndaj dhe kur publikohet ndonjë detaj jo shumë i pëlqyeshëm rreth së kaluarës së saj, ka një reagim kolektiv histerik në mbrojtje të ish-studentes.

E tillë ishte p.sh publikimi i dëftesës, që tregonte se Mirela nuk ka qenë ndonjë nxënëse e dalluar.

“Ky është denigrim”, “Po na ringjallni kohën e komunizmit me biografitë (ironia është se vetë Mirela lufton për të sjellë atë sistem)”, “Edhe nxënësit e dobët kanë të drejtë të protestojnë”, “Ky është një sulm i shëmtuar dhe i pështirë ndaj atyre që guxojnë të protestojnë kundër sistemit” etj etj.

Këto janë disa nga reagimet e përmbledhura, pas publikimit të dëftesës së Mirelës, me të cilat do të pajtohesha plotësisht nëse Mirela do të ishte një studente e thjeshtë, dhe jo një simbol dhe aktiviste politike.

Ajo sot është simbol i degradimit të sistemit arsimor në Shqipëri, por jo për arsyet për të cilat proteston.

Është simbol se si katraxhinjtë, studentët e patalentuar dhe që mezi merrnin klasën, kanë zaptuar dhe kanë marrë peng arsimin e lartë,dhe sot i kemi mësues, infermierë, mjekë, inxhinierë e madje politikanë.

Dhe këtë e kanë bërë pikërisht falë arsyeve për të cilat sot proteston Mirela, hapjen dhe “shqyerjen” e dyerve të Universiteteve publike për çdokënd, edhe pse shumë prej këtyre Universiteteve prej vitesh, njësoj si Vitrina dhe Kristali, thjesht shesin diploma.

Po sjell vetëm një shembull: Universitetin e Gjirokastrës.

Në këtë Universitet janë diplomuar dhjetra moshatarë të mi dhe ish-shokë klase, që në gjimnaz nuk merrnin dot as katrën.

E kanë bërë këtë duke blerë çdo provim.

Dhe sot janë mësues, infermierë, punonjës administrate apo drejtora në institucione të ndryshme shtetërore.

Rastet e tyre janë për librin Guinnes.

Një prej tyre, që thoshte se pseudonimi i këngëtarit “50 Cent”, nuk përkthehet 50 qindarka, sot është mësues anglishteje.

Një tjetër, djalë kasapi, që punonte edhe vetë si i tillë pasditeve, i cili nuk bënte dot mbledhjet dhe zbritjet më të thjeshta dhe nuk merrte dot as katrën, sot është mësues matematike.

Ndërsa një tjetër katraxhi, që fshinte qurret me mëngë deri kur ishte 18 vjeç, punonte në administratën e Tiranës dhe bënte kërdine me ryshfete, deri në momentin kur u arrestua.

Si këta janë 90% e atyre që janë diplomuar në Gjirokastër dhe që i njoh personalisht, për të mos përmendur pastaj dhjetra dhe qindra rastet e tjera që kam dëgjuar jo vetëm për Universitetin e Gjirokastrës, por edhe atë të Korçës, Elbasanit e Shkodrës.

Këto Universitete, në mos mbylljen, duhen reduktuar ndjeshëm në pranimin e studentëve, sepse kanë vite që furnizojnë shoqërinë me katraxhinj me diploma, të cilët falë tarafeve dhe militantizmit politik, përfundojnë në pozicione kyçe në shoqëri dhe që na prekin të gjithëve. Dhe pasojat e tyre tashmë po i ndjejmë çdo ditë kur na vdesin njerëzit nëpër spitale, kur na dalin fëmijët siç hyjnë nga shkollat, kur na vjedhin se do nxjerrin lekët që kanë paguar për diplomat….

Jo të hapen dhe madje të bëhen falas, siç kërkon Mirela dhe Mirelërat e tjera.

Boll katraxhinj me diploma kemi në shoqërinë tonë. Nuk ka nevojë të na shtohen të tjerë!

Debati sot, më shumë se sa për Mirelën, salcën, Linditën, Çilin, dreqin e shejtanin, duhet të bëhet si të shpëtojmë arsimin, atë publik dhe privat, nga katraxhinjtë. Jo si t’i shtojmë ata!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *