Vepra ndër vite e piktorit të mirënjohur korçar Pandi Mele është përmbledhur në një katalog , i cili vjen më afër për publikun artdashës. Bashkëpunimi i disa institucioneve si Ministria e Kulturës, Bashkia e qytetit të Korçës, apo dhe individëve si koleksionisti i veprave të piktorit, Maksim Mitrojorgji, kanë sjellë në dritë këtë botim me përmbledhje të artit pamor të piktorit ndër vite. Pandi Mele u nda nga jeta një vit më parë në SHBA, duke lënë pas tij punime të panumërta, si grafika, ikona e piktura të vlerësuara nga ente të mëdha të artit por pak të njohura për bashkëkombësit e tij.
Një artist i cili i është përshtatur çdo periudhe kohore ku ka jetuar edhe pse mjaft të ndryshme për nga karakteri i lirisë artistike, Mele ka ditur të pasqyrojë nëpërmjet veprave të tij realitetin e kohës por dhe risjelljen në jetë të figurave që kanë shënjuar në historinë e vendit. Nuk lihen pa përmendur dhe figurat ndërkombëtare si ajo e ilustrimit të presidentit të SHBA-ve Barck Obama, i cili personalisht e ka falenderuar dhe vlerësuar piktorin. Tashmë në katalogun e botuar nga shtëpia botuese MediaPrint mund të shohim disa pika kyçe të punës së tij.
Aty gjejmë grafikat dhe ilustrimet e periudhës diktatoriale që shpesh sillen nga piktori me gjithë problematikat e vërteta të shoqërisë së asaj kohe, portretet e ndryshme ku me ngjyrat e forta të përdorura theksojnë vuajtjen e personazheve të Meles, ikonizimi i disa veprave të artistëve nga bota e letërsisë që kanë ndikuar te piktori si Migjeni e Kadare si dhe pikturat në akuarel, tush apo bojë kine. Ajo që vihet re në këtë përmbledhje është lëvrimi i gjerë që ka bërë piktori në disa rryma duke treguar ndikimin e figurave të mëdha të artit pamor.
Mund të shohim portrete realiste por dhe ikona surrealiste. Konvertimi i veprave letrare është një pikë kulmore e artistit i cili sjell në syrin e tij atë që jepet nëpërmjet fjalëve. Vuajtjen e personazheve të Migjenit apo groteskun e personazheve të Kadaresë. Mele luan me artin figurativ për të sjellë realitetin dhe historinë ashtu siç ai e sheh dhe për ta prezantuar me publikun e gjerë. Ndër vite piktori është vlerësuar me disa çmime si ai i piktorit të merituar në ’84 apo urdhri Naim Frashëri, gjithashtu ka marrë pjesë në disa ekspozita brenda dhe jashtë vendit. Nëpëmjet këtij katalogu vjen një galeri e madhe për publikun e gjerë. Një përmbledhje e pasurive të Pandi Meles si pasuri e shtuar për bibliotekat shqiptare./Citynews.al