Enrik Mehmeti-GSH
Vjen i pari reagim zyrtar për çështjen e Parkut Arkeologjik të Amantias. Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Vlorë kërkon ringritjen e Muzeut Arkeologjik të Amantias, por kjo nismë ka hasur në vështirësi, pasi banorët që jetojnë në këtë zonë e kanë kthyer ish- godinën e muzeut në kasolle për bagëtitë e tyre.
Sipas drejtorit të DRKK Vlorë, Agim Haxhiraj, kërkohet ndërhyrja e shtetit për të larguar bagëtitë nga ky objekt, dhe më pas të fillojë puna për të rikthyer muzeun arkeologjik në funksion.
Muzeu Arkeologjik i Amantias u vodh dhe dëmtua në trazirat e vitit 1997. Pas afro 20 vitesh, synohet që të rikthehet ky muze, dhe disa prej objekteve të gjetura në Parkun Kombëtar Arkeologjik të Amantias të ekspozohen.
Në zonën e Akropolit të Amantias jetojnë 4 familje, të cilat mbarështojnë bagëti në godinën e ish-muzeut. Largimi i tyre do t’i hapte rrugën investimit për të rikthyer muzeun, që do të futet në axhendën e turistëve që vizitojnë këtë zonë.
Parku, debati e historia
Dy ditë më parë, Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë publikoi disa imazhe, duke denoncuar gjendjen në të cilën ndodhet Parku Arkeologjik Kombëtar, ndërkaq, nga Ministria e Kulturës, Amantia bashkë me Orikun paraqiten si një ndër investimet dhe arritjet e vitit 2015.
Historia: emri i saj u përmend për herë të parë në shekullin IV para Krishtit. Amantia u themelua në fund të shekullit V para Krishtit. Ajo ndodhet në një kodër dhe është e fortifikuar me mure. Në shekullin III para Krishtit, qyteti u forcua ekonomikisht dhe nxori monedhat e tij të para. Në vitin 268 para Krishtit, qyteti preu monedhën e vet. Ka ende gjurmë të tempullit të Afërditës, teatrit dhe stadiumit.
Arkeologët që zbuluan Amantian ishin Frano Prendi, Hasan Ceka e Skënder Anamali. Ata udhëhoqën gërmimet që nisën në vitin 1949 deri në 1956. Gërmimet zbuluan gjurmët e një prej qyteteve të rëndësishme të Antikitetit. Përveç mureve rrethuese të Akropolit dhe portave të qytetit, janë zbuluar edhe stadiumi, tempulli i Afërditës, nekropoli me varret monumentale, kisha e ndërtuar në shekullin I pas Krishtit etj. Stadiumi është i përbërë nga 17 shkallë në pjesën ballore, 8 shkallë në pjesën lindore dhe 4-6 shkallë në atë jugore. Ky objekt (stadiumi) është ndërtuar në shekullin III para Krishtit.