Nga Edon Qesari
Cilido shtetas shqiptar që ka pasur mundësinë (apo ogurin, për të thënë më saktë) të jetojë jashtë vendit – e sidomos atje ku prania e emigracionit shqiptar ka qenë e është më e ngjeshur, si në Itali, Greqi, Angli e Gjermani – e ka të shkruar në përvojën e vet përballjen me paragjykimet e diktuara nga mendimi i përgjithësuar se “shqiptarët janë të hurit e të litarit”.
Ka mes tyre nga ata që, edhe duke mos e vuajtur personalisht stigmën raciste – sepse, për arsye estetike apo rastësie trajtash somatike mbase, u thoshin se “nuk ngjajnë si shqiptarë” – kanë qenë dëshmitarë valësh opinioni llahtarisëse, që shqiptarëve të kapërcyellit mes dy shekujve u bashkëngjisnin tipare gjenetike nga më ulëritëset: nga bishti i supozuar apo gomonia e lidhur mbas trupit, e deri tek cilësi sociale të lindura dhe të ngërthyera në mënyrë të pazgjidhshme me çdonjërin prej tyre, edhe më qelibari për sa i përket dosjes penale (prostitucioni, halabakëria, vjedhja, barbaria, dhuna e tekskajshme, etj.).
Pastaj ka dhe nga ata që, për arsye private ose publike, kanë pasur rast të vëzhgojnë – disa madje të jenë të pranishëm në bisedime – e të dinë se si karta e “kriminalitetit me ngjyrë etnike” nxirret gjithë herët që dikush me përgjegjësi, brenda Bashkimit Evropian, përligj refuzimin e vendit të vet për hyrjen e Shqipërisë në strukturat e BE-së. Në këtë rast “mafia shqiptare”, term i barazvlefshëm me një thes ku futet brenda cilido zotërues i pasaportës shqiptare, gjykohet se vlen si kartë e leverdisshme elektorale në ndonjë vend evropian – e kësodore kurrkujt nuk ia mban të tregohet shumë bujar me aspiratat e një vendi si Shqipëria.
Njerëz si këta të fundit nuk mendojnë vërtet se shqiptarët lindin me hanxhar mes dhëmbëve e as me kallash pas zverkut por… ku i dihet! edhe nëse s’lindin si të këtillë, mund të jenë të lezetshëm të paraqiten si të atillë, se mbase një figuracion i këtij lloji rezulton me leverdi për vendasit e lemerisur nga të huajt në përgjithësi dhe nga “mafia shqiptare” në veçanti. Sepse kur kriza ekonomike vlon si majasëll është e ditur se fajin e ka i huaji. Akoma më mirë nëse ky i huaj është mjeran, me ngjyrë të dyshimtë lëkure dhe vjen nga një vend i ndrydhur.
Me pak fjalë, janë disa – mbase nuk janë shumë por sidoqoftë janë disa – sektorë të shoqërisë shqiptare që e dinë mirë se ç’është emigracioni, cila është pesha e rëndë e këtij në jetën individuale dhe kolektive të njerëzve të përfshirë; por mbi të gjitha dijnë se ç’mallkim është, kur jeta të ka detyruar të marrësh rrugët (për studim, punë apo shpresë për më mirë), të gjendesh pjesë e një paragjykimi masiv, i cili mbase me ty personalisht nuk ka asnjë problem; por se qenia jote pjesë e një kolektiviteti (bie fjala, pjesë e shqiptarëve) të njollos dhe të çvlerëson qoftë edhe pa pasur fare faj ti vetë; por vetëm sepse dikush nga “tribuja”/“tufa”/“bagëtia” jote ka kryer ndonjë të pabërë. Dhe dihet se kjo e fundit, që të marrë dheun si nam, nuk ka dhe aq nevojë të jetë kryer vërtet dhe konkretisht. Lajmet, edhe kur janë të supozuara, nuk lodhen shumë për të molepsur opinionin publik të një vendi që pret – me dëshirë apo paragjykim apo mospërfillje – ca që vijnë nga larg; e që nuk vijnë si turistë por si kallaballëk.
Ndaj, është ca si fyese, e njëkohësisht shpotitëse por edhe qesharake, të shohësh sot shqiptarë të bindur apo propagandues të tezave se afganët do të vijnë të bastisin shtëpitë tona, dhunojnë gratë tona, e bashkë me bingo-bongot e Bangladeshit, makar, të rrëmbejnë punët dhe tregjet tona të mirëqenies.
Nuk është e ndershme, kupton, të jesh i përballur me një opinion sharlatan gjithë-evropian sipas të cilit treçereku i trupave femërorë që rrethojnë semaforët e Evropës janë bija, motra e bashkëshorte shqiptarësh – mundësisht të çuara serbes-serbes nga këta vetë – e sot të kesh namuzin e lartë e të vësh kujën se do të vijnë afganët të të çnderojnë gjakun kreshnik e pellazg.
Të vjen natyrshëm të thuash “Aman ‘re ac, edhe shqiptar je, edhe dhi e zgjebosur, edhe bishtin përpjetë!”. Të mos ishte tragjike, e e turpshme për gjithë ata që themelojnë populizmin e tyre mbi teza të huazuara nga Agimi i Artë në Greqi, Lega në Itali apo AFD-ja në Gjermani, gjithë kjo valë opinioni e shqetësuar në prapanicë për “hordhitë afgane” do të ishte thjesht gajasëse. Gajasëse dhe plandosëse, e kurrsesi serioze.
E vetmja gjë serioze në gjithë këtë mysybet frikacakësh dhe oportunistësh – që mendojnë se duke lyer penën me maskarallëqe raciste dhe ksenofobe, të nxjerra nga kushedi ç’ibrik fashistësh e antisemitësh, po dëmtojnë shumë Ramën apo apo Amerikën (!?) – është deviza e Umberto Eco-s:
“Të bësh thirrje në emër të popullit do të thotë të ngresh një trill: duke qenë se populli, si i tillë, nuk ekziston, populist është ai që sajon një shëmbëlltyrë virtuale të vullnetit popullor.”