Kallmeti, fshati që jeton me verë dhe gojëdhëna

Kazanët e rakisë dhe paisjet e prodhimit të verës gjenden në çdo oborr shtëpie në Kallmet të Lezhës, fshat nga i cili ka marrë emrin rrushi autokton. Zona, ndër më të begatat në Shqipëri prodhon edhe vajin e ullirit apo fasulen e kuqe, por është vera e markës Kallmet ajo që mban gjallë krenarinë e banorëve.

“Papa Klementi XI e pëlqente verën tonë. Ai ishte organizator i kuvendit të Arbrit në janar 1703 në kishën e Shën Gjon Kryepremit në Mërqi ” thotë studiuesi Evaristo Coli.

Coli, autor i librit “Kallmeti, fakte dhe  gojëdhëna” ngulmon se ky varietet rrushi ka qenë i njohur që në shekullin I pas lindjes së Krishtit. Gjokë Gjini, pronar i të vetmes kantinë vere në fshat që prodhon verën “Kallmet” e përforcon këtë gojëdhënë.

“Kallmeti është padyshim më i miri dhe më i hershmi varietet shqiptar i rrushit për verë cilësore. Vera e prodhuar në këto treva ka qenë e eksportuar deri në Venedik dhe Vatikan,” thotë Gjokë Gjini.

Fshati i Kallmetit shtrihet rrëzë malit të Velës, rreth 4 kilometra larg rrugës kryesore që lidh Lezhën me Shkodrën. Shtëpitë e vjetra janë zëvendësuar nga vilat e reja moderne. Banorët e zonës mbahen për punëtorë-ata merren me vreshtari, bujqësi e blegtori. Megjithatë, në ndihmë u kanë ardhur edhe paratë e dërguara nga emigrantët, të cilët zënë 25-30 për qind të popullsisë.

Petrit Marku, ish-kryetar i komunës shpjegon se ndër vite, fshati është bërë pjesë e disa programeve të qeverisë dhe donatorëve të tjerë në mbjelljen e hardhive dhe ullinjve. Falë edhe këtyre përpjekjeve, komuna trashëgon sot rreth 25 hektarë vreshta.

Në Kallmet ekziston megjithatë vetëm një kantinë e mirëfilltë vere, për të cilën i zoti thotë se i vjen në ndihmë komunitetit të zonës. Gjokë Gjini shpjegon se rrushin e blen nga 50 fermerë të fshatit, ndërsa numëron 7 të punësuar me kohë të plotë dhe disa të tjerë sezonalë.

Nikolla Zeka, një 60 vjeçar nga Trashani që punon në bazën prodhuese të misionit françeskan është një prej furnitorëve të rinj të Gjokë Gjinit. Për vite me radhë ai ka prodhuar vetë verë për shitje, por vitin e fundit nuk ishte në gjendje të mirë ekonomike.

“Me vreshtat kam shkolluar tre fëmijë dhe me ndihmën e djalit kam ndërtuar shtëpinë e re,” thotë Nikolla.

Në shtëpinë e re, ende të pambaruar, Nikolla ka bërë edhe bodrumin për ruajtjen e verës. Aty kanë mbetur vetëm 2 shishe liker dhe zahiretë e dimrit. Në të vjetrën, Nikolla planifikon të prodhojë verë sërish. Dy vjet më parë, ai ka prodhuar 3000 litra verë me dy dynymë vreshtë; një punë me leverdi kjo për familjen e tij.

Në kantinën e verës Kallmet

Në Zallin e Raboshtës, aty ku shtrihen hektarë të tërë me vreshta, prodhimi i këtij viti sapo ka nisur të skuqet. Procesi i pjekjes ende s’ka përfunduar, por rrushi vjen shumë i ëmbël në gojë.

Evaristo Coli, i cili na shoqëron në këtë rrugëtim kujton një konkurs në Francë në vitin 1983, ku vera “Kallmet” u vlerësua ndër tre më të mirat. Gjatë regjimit komunist, kjo verë servirej në të gjitha njësitë e Albturizmit-i vetmi operator turistik i kontrolluar nga shteti si ndër më të zgjedhurat.

Në kantinën e Gjokë Gjinit, të afërmit e tij kujdesen çdo ditë për të rifituar famën e venitur të verës “Kallmet”.

Lekë Gjini shpjegon se prodhimi i verës cilësore nuk është një punë e lehtë. Fillimisht vilet dhe seleksionohet rrushi, pasi për verë duhet të jetë sa më i pastër. Më pas shtrydhet në makineri, ku ndahet veç vilja nga rrushi dhe futet në cisternë.

Çdo ditë bëhet matja e lëngut me mushtometër, pasi sasia e sheqerit ka raste që arrin nga 22-30 për qind. “Kur sheqeri ulet në zero, vera është bërë,” shpjegon Leka.

Kallmeti nuk është rrush me shumë lëng dhe zakonisht e ka 2/1 raportin e prodhimit, por ëmbëlsia dhe cilësitë biologjike të tokës ku rritet, e bëjnë të veçantë këtë verë, përqindja e alkoolit të së cilës shkon nga 13-15.

Në vitet e fundit është vënë re një rritje e interesit për verën “Kallmet” dhe në kantinë është shumëfishuar prodhimi.

Kantina “Kallmeti” e ka nisur punën në vitin 2007 me 5 mijë litra prodhim-afërsisht 7 mijë shishe. Vitin pasardhës e ka dyfishuar prodhimin, i cili në 2014 arriti në 40 mijë litra ose 55 mijë shishe verë.

Megjithatë, vera e prodhuar nga kantina e Gjokë Gjinit dhe të ngjashmet si ajo zënë ende një pjesë fare të vogël të konsumit në vend.

Vështirësitë e prodhuesve

“Kallmeti” në Lezhë është një prej 81 kantina të licensuara në Shqipëri; të cilat prodhojnë së bashku rreth 4.5 milionë shishe verë në vit. Po kaq llogaritet të prodhojnë edhe tregtarët e palicensuar apo ata familjarë.

Sipas llogarive të Gjokë Gjinit, konsumi vjetor i verës në Shqipëri nga vendasit apo turistët e huaj llogaritet se shkon në 50 milionë shishe.

“Të gjithë ne, prodhuesit e licensuar arrijmë të mbajmë vetëm 10 për qind të këtij tregu,” thotë Gjoka.

Lauresha Grezda, drejtoreshë e linjës në Ministrinë e Bujqësisë thotë se prodhimi dhe shpërndarja e verërave cilësore dhe goditja e tregtimit të paligjshëm janë prioritete të ministrisë. Ajo shpjegon megjithatë se ky sektor ka nevojë për investime në përmirësimin e kantinave dhe projekte që integrojnë prodhimin e rrushit me përpunimin e tij.

Vreshtat me rrushin autokton “Kallmeti” në fshatin me të njëjtin emër. Foto: R.Delisula

Prodhuesit e verës këmbëngulin se kanë nevojë për shumë më tepër vëmendje se kaq. Tregu vendës duket i pasigurtë, ndërsa eksporti i verës mbetet një sfidë më vete. Mbështetja nga shteti konsiderohet e dobët-në subvencione dhe lehtësira fiskale për prodhimin vendës.

Gjokë Gjini ankohet se shteti nuk lufton sa duhet prodhuesit ilegalë dhe nuk ka një tarifim të diferencuar me verërat e importit që dominojnë tregun. “Ndjehemi të rrezikuar sidomos nga importi, por edhe nga prodhimi i palicencuar vendas”, thotë administratori i kantinës.

Eksporti i verërave shqiptare mbetet në shifra të ulëta. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit raporton se gjatë vitit 2014 janë eksportuar 28.25 hektolitra verë shqiptare. Vendi që duket se e preferon më shumë verën shqiptare është Spanja, e cila ka marrë 21 hektolitra nga 28 të eksportuarat gjithsej.

Gjokë Gjini po eksploron megjithatë mundësi të tjera për verën e tij “Kallmet”, dikur të preferuar brenda dhe jashtë vendit.

“Deri tani kam mundur të eksportoj një sasi modeste në Zvicër. Por po kërkoj edhe rrugë të tjera,” përfundon ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *