Janë prezantuar më 14 korrik në ambjentet e Universitetit Europian të Tiranës përfundimet e projektit “Krijimi dhe Promovimi i Rrjetit të Kështjellave – NetCastle”. Ky projekt është një iniciativë e Qendrës UET në bashkëpunim me Institucionin e Prefektit të Qarkut Gjirokastër, Qarkun e Ishujve Jonian / Njësia Rajonale e Korfuzit dhe Njësisë Rajonale të Thesprotisë. Janë pikërisht këta partnerë të konsorciumit që po zbatojnë projektin NETCASTLE për promovimin e trashëgimisë kulturore nëpërmjet teknologjive të reja të informacionit.
Në projekt janë të përfshira 12 kala Shqiptare të zonës së Gjirokastrës dhe Tepelenës të cilat janë dhë kalatë e para në Republikën e Shqipërisë që i nënshtrohen një procedure të tillë dixhitalizimi. “Virtualizmi është kryer në formatin 3D ku para se të vizitojnë kalanë në terren, turistët shqiptarë dhe të huaj do të kenë mundësinë të njihen nga afër me pamjen aktuale dhe historikun e kalasë në fjalë.”- shpjegon Znj. Kebjana Haka, Koordinatore Projektesh pranë Qendrës UET.
“Për ata që nuk kanë mundësi t’i vizitojnë fizikisht, apo për ata që duan të kenë një informacion paraprak përpara se ti fizitojnë, është e mundur që të shohin një tur virtual 360 gradë të kalasë.” thekson Znj. Blerjana Bino, Drejtore Ekzekutive e Qendrës UET. Faqja e projektit www.netcastle.eu është lehtësisht e përdorueshme nga çdo vizitor dhe përmban informacione të detajuara si edhe udhëzime sesi të shkohet në kalanë specifike. Iniciativa të tilla janë të njohura për vendet e Europës, ndërkohë që për vendin tonë ky është projekti i parë i një kalibri të tillë.
Projekti NetCastle, i bashkëfinancuar nga Programi IPA për Bashkëpunimin Ndërkufitar “Greqi – Shqipëri 2007-2013″, synonte të zhvillonte trashëgiminë kulturore në rajonin ndërkufitar për të nxitur industrinë e turizmit me përdorimin e teknologjive të reja dhe e-turizmin. Projekti është financuar 75% nga fondet IPA të Bashkimit Europian dhe 25% nga burime lokale. Konferencën e përshëndeti dhe Znj. Entela, Sulka, Menaxhere Projekti në Delegacionin e BE-së në Shqipëri.
“Në terma të asaj çka kërkohet nga axhenda e anëtarësimit, Shqipëria pritet të përparojë më tej në sektorët e turizmit dhe kulturës”, tha Znj. Entela Sulka. Sulka theksoi sfidat kyçe të sektorit kulturor në Shqipëri, lidhur me mungesën e burimeve financiare dhe njerëzore, kapacitetet institucionale dhe ndërgjegjësimin publik për rolin e trashëgimisë kulturore.
Konferenca u përshëndet edhe nga Z. Ardit Çollaku Drejtor i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Dr. Shpend Bengu Pedagog në Komunikim në UET, Prof. Ylljet Aliçka, i cili ka përgatitur raportin e projektit, z. Papadopulos Koordinator i SPT Selanik, si dhe z. Serdenis Ekspert i Jashtëm në njësinë rajonale të Thesprotisë.