Reiner Stach, autori i një vepre trivëllimeshe mbi jetën e autorit të “Gjyqit” thotë se frika e Kafkës mbi seksualitetin ishte një “sëmundje” nga e cila vuanin miliona njerëz të klasës së mesme.
Ka qenë një lloj misteri që ka bërë për vete shumë historianë për dekada të tëra, por një biograf, që ka mundur të marrë në duar ditarët e një prej miqve më të afërt të autorit, ka zbuluar një teori të re mbi seksualitetin e Franz Kafkës.
Kafka tërhiqej nga gratë, por ai kishte neveri të dukshme të kishte me to, kontakt fizik. Për të, për vite me radhë, ka pasur teori se ka qenë asekual. Madje, shpesh është përfolur se kishte prirje homoseksuale të shtypura- e të gjitha këto kanë ngritur një lloj velloje ‘mitologjike’ rreth shkrimtarit.
Max Brod, shkrimtar dhe trashëgimtar i veprave të Kafkës, në një rast e ka përshkruar mikun e tij si të “torturuar prej dëshirave të tija seksuale”. Vetë Kafka, e ka përshkruar kështu frikën e tij mbi intimitetin, në një letër dërguar Brod në janar të vitit 1921:
“Si një njeri që nuk mundet t’i rezistojë tundimit për të notuar në det dhe është i lumtur që deti do ta marrë me vete- “tani je dikush, je notar i madh”- dhe papritmas, ky njeri sheh vetëm qiellin dhe detin. Mbi valë është vetëm koka e tij e vogël dhe atë e kap një frikë e tmerrshme. Asgjë s’ka më rëndësi, ai duhet të kthehet në breg, edhe në qoftë se mushkëritë e tij do të pëlcasin. Kjo është (ajo që ndjej)”.
Por Reiner Stach, ka nxjerrë një teori të re mbi pikëpamjet në dukje kontradiktore të Kafkës për seksin: se autori, si shumë njerëz të asaj kohe, kishte një fobi të fortë ndaj sëmundjeve seksualisht të transmetueshme.
Sipas Stach, pasi ka lexuar ditarët, ka kuptuar që edhe vetë Brod kishte frikë nga këto sëmundje. “Brod njihej dhe fliste si një burrë që kërkonte gruan ideale, kishte idenë e gruas që bëhet shpëtimtare e burrit, por në të vërtetë, kur lexon ditarët, lexon vetëm frikë: frikë nga shtatzanitë e padëshiruara, nga sifilizi, e të tjera sëmundje, në çdo faqe”.
“Ka një ide ide të vjetëruar tashmë që Kafka kishte probleme mendore, ndërsa Brod ishte i shëndetshëm. Në fakt, mendoj se Brod thjesht qe në gjendje t’i shtypte këto ide për disa orë që kalonte me të dashurat, ndërsa Kafka nuk ishte në gjendje, sepse mendja e tij nuk flinte kurrë”.
“Kafka kishte fantazi homoseksuale, por të gjithë kanë. Ai kishte një qasje të thellë në nënvetëdijen e tij, më shumë se sa kemi ne tani dhe kjo është arsyeja pse ai është një shkrimtar i madh. Ai pati fantazi homoseksuale, biseksuale, sadiste, mazokiste dhe vuajeriste dhe të gjitha këto shfaqen në veprat e tij, çka është tipike për shkrimtarët si Kafka. Por, askush nuk mund të thotë se, për shkak se i shkruante, ai ishte edhe vetë homoseksual, vuajerist, apo diçka tjetër”.
Sipas Stach, te dorëshkrimi i Kafkës në romanin “Kështjella”, botuar pas vdekjes së tij në vitin 1926, fillimisht ai e ka shkruar personazhin në vetën e parë. Më pas, kur ka mbërritur te skena e seksit – ai e ka ndryshuar duke e kthyer në vetë të tretë.
“Shkrimtari gjithmonë e ka përshkruar seksin si një lloj vetëizolimi. Ai e pati të pamundur ta përshkruar atë nga pikëpamja e tij, si një përvojë vetiake. Kështu që e distancoi veten. ”
Ndërsa shumë njerëz kanë dalë me disa teori për të shpjeguar pikëpamjet në dukje kontradiktore të Kafkës mbi seksin apo gratë, askush nuk e ka identifikuar Kafkën thjesht si një produkt të sistemit të arsimit seksual të kohës dhe shumicës së njerëzve në kohën e tij. Stach thotë, se kjo është pjesërisht për shkak të “miteve” rreth Kafkës(THE GUARDIAN-PASQYRE.AL)