Falemnderit, po, falemnderit ngrohtësisht për këtë nderim të lartë që marr sot dhe për fjalët miqësore që po dëgjoj. Nëse do duhej ta filloja këtë fjalim me një himn letërsisë, duke treguar besimin tim tek ajo, më saktë, duke shprehur idenë se është letërsia ajo që më ka bërë njeri të lirë, rreziku do të ishte i madh, mos një deklaratë e tillë do të dukej pak e thjeshtë dhe banale nga goja e një shkrimtari që sapo ka bërë dy mijë kilometra për të ardhur tek ju. Në të vërtetë, distanca ndërmjet Tiranës, kryeqytetit të vendit tim, dhe Edinburgut, kryeqytetit të Skocisë, është pikërisht kaq. Ajo nuk pengon jo vetëm për të insistuar në këtë deklaratë, por do të shtoja, edhe pse kjo mund të dukej e çuditshme, që në raportet ndërmjet letërsisë, lirisë dhe atij që po ju flet, Skocia ka luajtur një rol nxitës. Lejomëni të përsëris këtu në formë të përmbledhur atë çfarë kam shkruar 40 vjet më parë në një nga rrëfimet e mia të para, “Kronikë në gur”, që Z. Carey me të drejtë e citoi para pak minutash, me mprehtësi.
Jam lindur dhe rritur në një qytet të thjeshtë mesjetar të Shqipërisë, në qendër të të cilit ngrihej një kështjellë me një dukje madhështore aq sa dhe kërcënuese. Në të gjitha regjimet, përfshi dhe atë komunist, ajo fshihte një burg. Dhe siç mund të shihej nga të gjitha lagjet e qytetit, kjo kështjellë që ngrihej mbi kullën-burg u rrezatonte forcë dhe kërcënim katër pikave të horizontit. Që fëmijë qeshë rritur në hijen e saj. Por, në moshën 11-12-vjeçare, në kohën e leximeve të para serioze, papritur një tjetër kështjëllë pushtoi trurin dhe imagjinatën time. Një kështjellë skoceze e ngritur pikërisht këtu, jo larg Edinburgut: kështjella e Makbethit. Magjepsja ime pas saj ishte e tillë që kështjella e largët skoceze e zbehu atë të vërtetën e qytetit tim. U zbrapsën burgu i saj, rojet dhe kërcënimi i saj. Ngjau kështu diçka e pazakonte: një adoleshent shqiptar, në fund të këtij vendi të shtypur nga zgjedha komuniste, u gjend i joshur falë Shekspirit, nga mjegullirat e një Skocie përtej imagjinatës. Duke iu shfaqur një bote tjetër, ajo e letërsisë, ky adoleshent i kishte besuar tashmë jo vetëm imagjinatën e tij, por edhe vetëdijen e tij morale kësaj bote tjetër. Ligjet e saj u bënë për të ligje të para, mbi gjithë të tjerët. Udhëheqësit e saj Homeri, Shekspiri, Dante, Kafka – u bënë padronët e saj të vërtetë.
Iu dhashë kësaj magjepsjeje siç i jepesh një feje. A nuk na kanë pyetur kaq herë, ne shkrimtarëve të ish-perandorisë komuniste: “Si e shpjegoni që ju paskeshi mundur të bëni letërsi të mirëfilltë në këtë vend dhe në atë periudhë ku kjo dukej e paarritshme”? Për këtë pyetje, përgjigjja ime në përgjithësi është kjo: “Ne kemi besuar tek letërsia. Dhe ajo, në këmbim të besnikërisë dhe të besës sonë, na dhuroi bekimin dhe mbrojtjen e saj”. Të besosh tek letërsia, do të thotë të besosh në një realitet të epërm; të besosh tek letërsia do të thotë që regjimi i tmerrshëm të cilit iu nënshtrua vendi im ishte më i dobët se madhështia e pikëlluar e letërsisë. Të besosh tek ky art, kjo do të thotë që të jesh i bindur se ai regjim të cilit ju nënshtruat, se policia që ju përgjonte, se udhëheqësit e lartë, funksionarët, gjithë ngrehina e tiranisë nuk është veçse një makth kalimtar, në krahasim me Urdhrin suprem për të cilin ju ishit bërë dishepull. Për t’i rënë shkurt, lejomëni të rikujtoj këtu një episod nga “Komedia Hyjnore”. Kur, duke udhëtuar në Ferr, Dante Aligieri i trembet idesë se një stuhi e tmerrshme po afrohet, mësuesi i tij Virgjili i thotë: “Mos kini frikë, është stuhi e vdekur”! Këto fjalë e sqarojnë mirë atë që thashë pak më parë. Nëse ti ia del mbanë ta bësh vetveten që të shohë motin e ashpër të diktaturës si një “stuhi të vdekur”, atëhere do të keni në dorë çelësin e enigmës. Dhe vetëm letërsia mund t’ia japë shkrimtarit atë çelës.
Nuk është e lehtë, për atë që shkruan, të ndihet i gjallë në mes të një regjimi të vdekur. Nën regjimet totalitare, letërsia dhe artet e tjera janë përballur me një provë mizore që s’është parë kurrë në historinë e botës. Në të gjitha kohërat njihen ndëshkimet e shkrimtarëve, censurat, dënimet, internimet, dëbimet. Por ajo për të cilën po flas nuk e përmban ndalimin e qarkullimit të veprave më të famshme, të atyre që i quajmë “katedrale” të krijimit artistik. Jo, ai u përpoq të mohojë përgjithmonë madje edhe mundësinë për të ngritur monumente të tilla. E thënë ndryshe, ai u mundua të shkatërrojë edhe lëndën me të cilën ndërtohen këto katedrale. Ai është shtrënguar të krijojë një racë të re shkrimtarësh që me duart dhe zellin e tyre, u punësuan për të shkatërruar letërsinë. Në një farë mënyre, stalinizmi ia doli mbanë. Radhët e shkrimtarëve që do të dezertonin Tempullin do të argumentonin ditë pas dite, megjithëse të tjerët, besnikët do të shihnin ditë pas dite se si radhët e tyre pakësoheshin. Ne s’ishim veçse një pakicë në një shkretëtirë pa kufij dhe pa shpresë e cila quhej Realizëm Socialist. Ne ngushëllonim njeri-tjetrin, ndërsa përpiqeshim të bënim letërsi sikur ai regjim të mos ekzistonte. Ia kemi dalë aty-këtu. Disa herë, jo. Ideja se ne do mundnim të përgatisnim ndonjë copëz ushqimi shpirtëror për popullin tonë të burgosur, na ka mbushur me gëzim. Lejomëni të insistoj: po, ky ushqim shpirtëror modest ka qenë një lloj racioni mbijetese për popullin tonë në atë vend-burg.
Dhe papritur, një ditë, duke kapërcyer natën e diktaturës, kjo bukë burgu për çudi arriti deri tek duart tuaja. Në qytetet tuaja të lira: në Paris, Londër, Nju Jork, Madrid, Vjenë, Romë, ju keni marrë në duart tuaja këtë bukë burgu dhe e keni parë me kuriozitet. Më pas e keni shijuar, e keni vlerësuar, e keni respektuar se kjo bukë ishte po aq e ngrënshme për ju, njerëzit e lirë të një bote të lirë. Një shkrimtar shqiptar nuk mund të priste vlerësim më lavdërues. Për të, ishte një mrekulli si ato që rrëfehen në shkrimet e shenjta. Shqipëria e vogël e harruar, e ndarë nga bota, thuajse e fshehur, kishte dhënë pra një shenjë se ishte ende gjallë? Ajo kishte bërë të ditur se, megjithëse diktatura e pat mbajtur këmbë e duar lidhur, ajo ende nuk e kishte skllavëruar shpirtin e saj. Është pikërisht kjo shenjë adresuar nëpërmjet letërsisë dhe e kapur në mënyrë kaq fisnike prej jush, miqtë e mi të shtrenjtë, që bëri të mundur të papërfytyrueshmen. Është kjo shenjë që bëri të mundur këtë çmim që ju më jepni sot. Është ajo që bëri të mundur ardhjen time deri tek ju, deri në tokat e Skocisë. Dhe është përsëri ajo, më në fund, që bëri të mundur vizitën që do të bëj, nesër, për herë të parë, e strukur në imagjinatën time, një strehë e cila më shumë se çdo ngrehinë tjetër, ndezi pasionin tim për letërsine: kështjella e Makbethit.
(Fjala e Ismail Kadarese me rastin e marrjes së çmimit “Man Booker International”).