Joshësi melankolik, Kierkegaard!

Nga Didier Raymond

Bashkautor i veprës kolektive: Kierkegaard ose Don Zhuani i krishterë (1989)

“Jam një eroticien i pazakonshëm”, i thoshte Kierkegaardi mikut të vet Emil Boesen, në kohën kur shkruante Ditari i joshësit dhe i mvishte heroit të vet, Johannes, vetë ndjenjat e tij mbi femrën. Tiparet e karakterit të Kierkegaardit njihen menjëherë në tiparet e karakterit të personazhit të tij, dhe historia e lidhjes së tij me Reginën është pak a shumë historia e këtij personazhi me Cordelian. Intriga është e njohur. Një vajzë fare e re, Cordelia, takon njëfarë Johannes, një estet që është në kërkim aventurash të forta. Ai kënaqet me arritjet e tij pranë vajzës së re së cilës ia ka vjedhur zemrën. Shënon ditë për ditë ecurinë e joshjes që i bën kësaj vajze. Pasi shtyn tutje të fejuarin Eduard, e braktis Cordelian me ta zotëruar. Gjatë gjithë kësaj historie, ai është i zoti i lojës. Njëlloj si Kierkegaardi me Reginën : « Eh, sikur ta zbulonte ajo, i shkruan Kierkegaardi mikut të vet Emile Boesen, se me çfarë zgjuarsie kam rregulluar gjithçka, sepse në fakt ajo është bindur se gjithçka shkon si në vaj. » Ky Johannes i cili e magjeps Cordelian, e që pastaj e braktis pasi e ka joshur, është vetë Kierkegaardi me Reginën (Eduardi është Schlegeli, pretendenti i parë i Reginës që Kierkegaardi e kishte mënjanuar). « E megjithatë, ti ke luajtur me mua një lojë të pashpirt », do t’i thotë Regina në çastin e prishjes, ndërkohë që ai e përdor tërë artin e vet për të dalë sa më i zi në sytë e saj, sepse në atë çast, kështu ka vendosur të veprojë taktikisht. « Raportet e mia me të kanë qenë gjithmonë aq të pasigurta, saqë interpretimi që do t’iu jepej atyre, varej vetëm nga unë. »

Disa faqe të Ditari i joshësit janë të frymëzuara nga kujtimet e Ditarit, ose të marra nga disa letra të dërguara. Për shembull ky pasazhi i Ditarit i joshësit që ne e gjejmë fjalë për fjalë në letrën e 14 dhjetor 1841, të dërguar ndaj Boesenit : « Sidoqoftë, dashuria ka dialektikën e vet. Dikur isha i çmendur pas një vajze të re. Verën e kaluar në Drezden, kam parë një aktore që i ngjante aq shumë sa mund t’i ngatërroje me njëra-tjetrën. Desha pra të njihem me të, ia arrita më në fund dhe atëherë pashë që s’ngjanin dhe aq. Sot kam takuar në rrugë një zonjë që ma kujton këtë aktore. Historia mund të rifillojë pafundësisht. » Gjithashtu, letra e prishjes, e shkruar nga Kierkegaardi për Reginën, është e riprodhuar në Fajtor jo fajtor : « Megjithatë, duhej këputur fija. Ia ktheva mbrapsht unazën, bashkë me një letër të riprodhuar tekstualisht në Fajtor jo fajtor. » Ditari i Joshësit ka të bëjë pra si me Kierkegaardin, ashtu dhe me Reginën, sepse ditari është shkruar, sipas Kierkegaardit, pas prishjes së tyre, « për shkak të saj, për ta pështirosur ». Kierkegaardi e dinte se Regina do të dinte të lexonte aty rrëfimin e historisë së tyre. Mjaft tipare psikologjike të Johannésit janë tipare të Kierkegaardit, mizoria, njëfarë sadizmi : « Vetë jeta ime mbart mizorinë kundrejt së dashurës », thotë Kierkegaardi, ose dhe : « Çdo dashuri që digjet brenda meje, shprehet nëpërmjet mizorisë. »

Ka shumë anekdota në lidhje me këtë mizori të Kierkegaardit. Fare i ri, « ai tallet me të gjithë ». « Jam tallur gjithmonë me njerëzit », i thotë ai Emil Boesenit. Në shkollë, të tjerët ia kanë frikën « gojës së tij të fëlliqur », iu tremben fjalëve të tij pickuese. Botuesi Hertz kujtohet për vajzën e re dhe të bukur Zj. Olsen (e cila mban të veshur një pallto jeshile si Cordelia) « të cilën ai pothuaj e kishte vrarë me teprimet e tij ». Tregojnë se Kierkegaardi erdhi një ditë ta marrë vajzën e re në pajton, për ta çuar në fshat dhe ajo qe mjaft e lumtur. Por me të mbërritur në kryqëzimin Versterbrol, ai e urdhëroi karrocierin të kthehet mbrapsht, duke qeshur me fytyrën e thartuar të vajzës së re. Pas prishjes së tij, ai e bezdisi disa herë vjehrrin kur e takonte në rrugë për « të llafosur si burrat, njëherë e mirë ». Përballë refuzimit të plakut për ta dëgjuar, ai i bërtiti : « Ju mbaj përgjegjës për mosdëshirën tuaj për të më dëgjuar. » E zinte ngushtë Schlegelin, bashkëshortin e Regine Olsen, duke i bërë të ditur se ai [Kierkegaardi] kishte një të drejtë përparësie mbi vajzën e re, dhe se do të kujdesej gjithmonë për të. Ai rrëfen se raporti dashuror është për të një raport lufte : « Sapo të më bëjë përshtypje një vajzë e re, unë shpall luftën. Vetëm atëherë ndihem mirë, vetëm lufta është kënaqësia ime. » Ky erotizëm cerebral është erotizmi i Kierkegaardit i cili i futet punës për ta joshur Regine Olsenin, duke shpalosur kështu të gjitha aftësitë e mendjes së vet : « Të tundoj një vajzë të re, t’i bëj përshtypje, për këtë jam i aftë dhe madje shumë », i thotë Kierkegaardi mikut të vet Boesen. Po ashtu, Johannes deklaron : « Dhuntitë e tij mendore bëjnë që ai mund të tundonte një vajzë të re, dhe ta tërhiqte tek vetja pa kurrfarë synimi për ta shtënë në dorë vërtet. »

Kleçka e kësaj është që të zotërosh vetveten, dhe Kierkegaardi pohon : « Kjo ftohtësi që unë do ta quaja të pasionuar, me të cilën i urdhëroj të gjitha gjendjet e mia shpirtërore, pra secilën prej tyre në shfaqjet e saj të jashtme. » Por ajo ç’kërkon Johannes para së gjithash, është që të shmangë realitetin e Cordelias. Ajo çka frymëzon ndërmarrjen e joshësit, është një pështirosje e femrës dhe kërkimi i një rrugëzgjidhjeje për këtë realitet angështues i cili ta « rizgjon gjembin në mish ». Rrugëzgjidhje e cila shfaqet në një rrjet tejet dinak hilesh dhe kleçkash. Personazhi i Johannesit që është vetë Kierkegaardi, futet tek histerikja (të joshësh dhe të ikësh) dhe tek perversja (ta manipulosh tjetrin, « ta kthesh në një send »). Ai është një lloj prifti melankolik, i frymëzuar nga hakmarrja dhe neveria, metafizicien i pakënaqur (flet papushim për Platonin) me lirizëm pervers. Ai luan me Cordelian si macja me miun, ia dikton vajzës së re dëshirat, mendimet, veprimet. Kierkegaardi vë dhe vihet papushim në skenë (e përsërit shpesh në Ditarin e tij se do të kishte dashur të ishte aktor).

« Virtuoziteti im për ta fshehur melankolinë… Sa më e thellë të jetë sëmundja ime, aq më e spërdredhur është hilja që përdor. Le të jetë një çfarëdo para meje, dhe unë s’jam më vërtet vetja ime. Nëse në një çast hutimi më kapin në befasi, në më pak se gjysmë ore, unë mund t’ia fshij përshtypjen personit përballë duke i shfaqur tërë artin tim. » Diku tjetër, ai e shpreh ndryshe këtë : « Nuk e kam njohur kurrë lirshmërinë, në të vërtetë jam një përfaqësim kryekëput i jetës sime. »

Leximet e Kierkegaardit janë të njëjtat me të Johannesit. Që të dy, kanë një shije të theksuar për idealistët, veçanërisht për Platonin. Johannesi thotë : « Platoni merrte vesh në erotizëm », dhe Kierkegaardi i shkruan Reginës : « Kam lexuar shumë nga Platoni kur flet për dashurinë. » Në ditar, Kierkegaardi pohon shijen e tij për botën e ideve dhe të mendjes : « Tek unë, mund të vihet re shumë lehtë se jetoj në botën e mendjes » dhe Johannesi thotë gjithashtu me fjalë pak a shumë të njëjta : « Përmes një tisi të lehtë, shohim një botë të avullt, më të hollë, më ajrore, me një cilësi tjetër nga bota reale. Mjaft njerëz kanë aty atdheun e tyre, ndonëse ata janë të gjallë mes nesh. » Nga ku vjen dhe shija e Kierkegaardit për atmosferat, për vështrimet e përvjedhura në pasqyra, për vëzhgimin pa rënë në sy, për « të famshmin vështrim vjedhurazi » të rrëshqitur mbi tjetrin. Shkurt, për të shmangur me çdo kusht kontaktin me një realitet tepër të vështirë që të rizgjon « gjembin në mish », dhe të shkakton angështinë. Natyra dhe shkaku i sëmundjes që e pengonte Kierkegaardin për t’u futur tek realja, mbase nuk do të zbulohen asnjëherë deri në fund. Megjithëse disa ngjarje, të zbuluara nga vetë Kierkegaardi – fajësia e babait, ca gabime rinie të Kierkegaardit – kanë luajtur një rol në skicimin e kësaj melankolie, për të cilën ai dukej madje i paracaktuar.

Këtë melankoli, Kierkegaardi e sheh nganjëherë në mënyrën e njëfarë shëndeti : « Përveç rrethit të miqve të mi të shumtë, unë kam dhe një të besuar intim, melankolinë time. Gjatë kënaqësive të mia, në orën e punës, ajo më bën shenjë t’i qasem. Më thërret t’i avitem në krah, pavarësisht se trupi im s’lëviz. Melankolia ime është dashnorja më besnike që kam njohur. E çfarë ka këtu të habitshme, që unë ta dua atë ? », e nganjëherë në mënyrën e sëmundjes, gjatë periudhave të dobësisë së tij të skajshme kur shkon të takojë mjekun : « Kam folur pra me mjekun tim dhe e kam pyetur nëse ishte e mundur që ta zhdukte këtë mospërputhje ndërmjet anës fizike dhe psikike të strukturës sime, në mënyrë që kështu të mund të martohesha ; dhe ai ka pasur ca dyshime për këtë. » Melankoli e cila është e jetuar pra herë si shëndet, e herë si sëmundje, por gjithmonë në një mënyrë të dhimbshme : « Në të gjitha drejtimet, melankolia ime kërkon të tmerrshmen. Tani, ajo më mbërthen me tërë tmerrin e saj. Nuk mundem, dhe as nuk dua t’i iki […]. Idetë e çuditshme të melankolisë sime […] janë për mua huadhënës që s’më shqiten asnjëherë. » Melankoli e cila qe motori i çdo krijimi dhe çdo përvoje : « Më duket se jam i destinuar t’i vuaj të gjitha gjendjet shpirtërore, të kem përvoja të gjithfarëllojshme. » Në këtë kuptim, Ditari i Joshësit është një përvojë e Kierkegaardit, një pjesë e vetanalizës në të cilën futet përballë nesh. Melankolia ka qenë në zanafillë të të gjitha të mundshmeve, dhe të të gjitha pseudonimeve që ai na ka rrëfyer : « Melankolia ime, për vite të tëra, ka bërë që nuk arrija t’i thoja “ti” vetes sime në kuptimin më të thellë. Ndërmjet melankolisë dhe kësaj “ti”, kishte një botë të tërë imagjinare. Është kjo botë ajo që e kam vënë pjesërisht në pseudonimet e mia. Ashtu si një njeri, i cili nuk ka një shtëpi të lumtur të vetën, që është gjithmonë në udhë e sipër, dhe do të donte kështu të ishte më mirë pa çati, ashtu dhe melankolia ime më ka mbajtur larg meje, atëherë kur në zbulimin dhe përvojën poetike kam përshkuar një botë të tërë imagjinare. Ashtu si një trashëgimtar pronash të mëdha që s’mbaron kurrë së paturi prona të reja, ashtu dhe unë, nga melankolia, kam qenë përballë së mundshmes. »

Kjo melankoli ka prodhuar mekanizma mbrojtës njëkohësisht histerikë dhe perversë kundrejt Reginës e cila qe viktima e pafajshme (histerikja kuptohet në ngazëllimet kalimtare, në premtimet pa të ardhme ; kurse perversja shihet në mënyrën e tij për ta bërë tjetrin të ecë drejt një rruge ku ai e di që vetë nuk do ta ndjekë). Kierkegaardi ka qenë pra njeriu i këtyre të mundshmeve : joshës, por dhe bashkëshort dhe pastor. Në mungesë për t’i mishëruar, i ka bërë që të jetojnë në veprën e tij. Ky art i zhvendosjes tek të mundshmet, nga personazhi në personazh që ishin ai, por pa qenë plotësisht ai (sepse nuk ndalej kurrë aty), ishte shenja e një mjeshtërie dhe lëvizshmërie të madhe, dhe shenja e një natyre artiste e cila na ka dorëzuar në veprën e tij të gjitha maskat dhe pseudonimet e veta. Le të sjellim ndërmend atë çfarë i thoshte Kierkegaardi mikut të vet të madh P. L. Möller, dhe që i shkon aq mirë : « Hapat e tij përmes jetës nuk linin gjurmë, këmbët i kishte në atë mënyrë që t’i merrnin gjurmët me vete. »

Ai ka qenë pra të gjitha këto mundësi, orvatje apo tundime të shumta, dhe do të na përvidhet gjithmonë. /Pasqyre.al

Magazine Littéraire, n° 463, prill 2007

Përkthyer nga origjinali (frëngjisht): Urim Nerguti

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *