ALDA BARDHYLI
“Në fund ata bëjnë zgjedhjet që unë do bëja…”. Doriss Lessing do ta kuptonte herët që s’mund ta shmangte jetën e saj nga librat qëdo shkruante. Në një formë a një tjetër, burrat që e kishin lënduar, idetë që kishin përshkruar mendjen e saj, që kur sërish më vitin 1943 vendos të divorcohet dhe t’i bashkohet partisë komuniste, ku u njoh me gjermanin Gottfried Lessing (mbiemrin e së cilit e mbajti gjithë jetën), mund t’i gjeje të shpërndarë në jetë personazhesh, skena ngjarjesh në mbi 20 librat që do të shkruante. Ajo do të ishtee ndjeshme dhe shpesh kokëfortë, mbrojtëse e madhe e feminizmit, dhe një grua që beson tek përparimi, ashtu si në jetë. “Një ditë aido të kthehet, dhe unë e ndjej këtë”, do të shprehej duke pirë çaj diku në vitet 60-të , në një bar në Londër, e bindur se pas botimittë një tregimi në një revistë letrare, i kishte çuar dikujt mesazhin e duhur. “Unë doja që personazhi im të ishte i fortë, të ecte përpara, por rruga që përshkroi tregoi se ajo nuk mund të ishte ndryshe nga unë”, do të shprehej shkrimtarja… Për Lessing, ajo ka fshehur një sekret tek çdo libër. Ndikimi i jetës së shkrimtarit në librat që shkruan, është një nga diskutimet me të cilat përballen shpesh kritikët e letërsisë. Analizat më të mira letrare, gjejnë zgjidhjen në gjërat e vogla që janë thënë padashur në shkrimet e bëra, që i çojnë kritikët gjithnjë në një zonë, që ka lidhje me realitetin e shkruesit. Tashmë francezët pranojnë se Mersoja ishte vetë Albert Kamy. Heroi i absurdit në letërsi, ishte personifikimi më i mirë i shkrimtarit të mbërthyer nga idetë ekzistenciale, dhe gjithnjë të kapur nga filozofia. Merso nuk mund të ishte ndryshe, veçse një personazh që kërkont’i kundërvihet sistemit, dhe të jetë i akullt përballë çdo ndëshkimi, apo humbjeje. Ai është i ftohtë kur dashuron, ashtu si ish e dashura e Kamy-së Yvonne Ducailar, do të shkruante në kujtimet me të.Që me shkrimet e para letërsia nuk ishte gjë tjetër veçse një formë tjetër e jetës. Të shkruarit shpesh janë orë takimi me kujtesën për të nxjerrë prej saj, njerëz dhe ngjarje që nuk do të donim t’ia besonim harresës. Ata mund të kenë një jetë tjetër, ndoshta atë që mund të kishin dashur në faqet e një libri. Ose mund të mbeten përgjithmonë në germa, të qeshur, apo të hutuar teksa përpiqen të largohen nga diku. “Nëse të merr malli për dikë, ti mund ta gjesh në një libër”, shprehet Haruki Murakami. Kjo, pasi jetët e personazheve kanë një copëz të jetës sonë. Lidhja mes letërsisë dhe kujtesës është një nga lidhjet më të forta. Nuk është vetëm një lidhje për të ruajtur fort raportet njerëzore, por dhe ato historike, apo politike. Shpesh letërsia ka qenë më e fortë në reflektimin e periudhave të tranzicionit. Nëse i rikthehemi letërsisë së re shqipe të shkruar pas viteve 90-të, ajo nuk është gjë tjetër veçse një rikthim në të shkuarën, për të shpjeguar komunizmin, apo pasojat me të cilat u përball vendi pas hapjes së kufijve. E njëjta gjë ndodh me letërsinë e vendit fqinj Italinë. Fashizmi ndjehet në pjesën më të madhe të letërsisë së shkruar para luftës, ashtu siç ndjehen përpjekjet për të drejtat e njeriut në SHBA- në e pas viteve 50-60-të, liria seksuale në Francën e shekullit të 19-të, apo censura në letërsinë e vendeve të ish Bllokut të Lindjes, që ashtu si në jetë e fshehën komunizmin…Kjo pasi letërsia nuk mund të jetë ndryshe nga jeta. Shpesh ajo është udhëtimi më i bukur që mund të bëjmë në të, e shpesh pasqyra më e trishtë ku mund të shohim reflektimin e realitetit…Apo ashtu siç, Dostojevski shkroi, “letërsia nuk qe gjë tjetër veçse një udhëtim në jetën time”.