Brigitte Bardot ka lindur më 28 shtator, 1934, në Paris, Francë. Babai i saj kishte një diplomë inxhinieri, por ka punuar me babain e tij në biznesin e familjes. Nëna e saj ishte 14 vjet më e re se babai i Brigitte. Ata u martuan në vitin 1933 dhe vetëm një vit më pas lindi Brigitte. Nëna e Brigitte e inkurajoi vajzën e saj për t’u marrë me muzikë dhe valle, ku Brigitte ishte shumë e aftë. Deri në kohën që ishte 15 vjeç, Brigitte po bënte përpjekje për karrierë në fushën e modelimit, dhe e gjeti veten në faqet e revistës “Elle”. Bukuria e saj e pabesueshme ishte lehtësisht e dukshme. Në 1952 ajo u shfaq në ekran për herë të parë si Javotte Lemoine në filmin “ Të çmendur për dashuri” (1952). Pas dy filmash ku fitoi një famë të shpejtë, po në vitin 1952 ajo u martua me Roger Vadim. Të dy kishin njohur njëri- tjetrin prej shumë kohësh dhe ajo donte të martohej me të kur ishte vetëm 17 vjeç, por prindërit e saj i prishin planet për çdo martesë deri sa ajo të mbushte 18 vjeç. Nisur nga suksesi i saj në filmat franceze, ajo bëri për herë të parë një prodhim filmik të saj në SHBA në vitin 1953, “Act of Love” (1953) me Kirk Douglas. E megjithatë ajo vazhdoi të bëjë filma në Francë. Seksualiteti shpërthyes i Brigitte e mori famën në SHBA, një stuhi e vërtet, ku efekti që ajo kishte ccmendi miliona meshkuj amerikan, të cilët nuk kishin parë një grua si ajo për një kohë të gjatë. Bardot, në Amerikë u njoh si një “kotele seksi” dhe magjepse dhe kjo magji verboi revistat dhe fotografët. Filmat e saj tërhoqën audiencën maksimale, kryesisht të burrave. Ajo vazhdimisht ndiqej nga paparacët me kamerat e tyre. Brigitte ishte një femër aq zemër-butë, aq sa disa njerëz madje kanë përfituar nga bujaria e saj. Kur vendosi “të dalë në pension” në vitin 1973, ishte vetëm 39 vjeçe, por me 50 filma në karrierë. Ajo u tërhoq në shtëpinë e saj në San Trope dhe iu kushtua me kohë të plotë borës dhe mbrojtjes së të drejtave të kafshëve. Këtë vend do ta linte vetëm kur i duhej të protestonte për mbrojtjen e kafshëve nëpër vende të ndryshme të botës. Gjatë gjithë jetës dhe sidomos pasi u tërhoq nga kinemaja, ajo ka qenë vetvetja, madje edhe në paraq-itjen e jashtme, duke mos u munduar që t‘i shtojë fytyrës apo trupit të saj asgjë të tepërt përveç atyre që ia kishte dhënë natyra. Nuk ka kryer asnjë operacion plastik, ndërkohë që shumë bashkë-moshatare të saj të botës së kinemasë e kanë “ndrequr” fytyrën me bisturi që hershëm. Bardot është ndër të rrallat aktore që vazhdon t‘i mbetet besnike autenticitetit të saj, fytyrës që ia ka falur Zoti, edhe pse ajo me kalimin e viteve është rrudhur dhe është tkurrur. Ajo ka refuzuar njëherazi jo vetëm ndryshimet fizike, por edhe hipokrizinë njerëzore dhe shpesh thotë se po aq të pavlera janë edhe kujdesi, përllogaritja dhe parapër-gatitja për diçka. Kur doli për herë të parë në publik në vitet ‘50, Franca dhe bota nuk ishin të përgatitura për të. “Gratë e brezit tim e mbajnë fare mirë mend foton time të parë në kopertinën e revistës ‘Elle‘”, thotë Bardot. Ajo është fotoja e një biondeje shumë elegante dhe sharmante, që kishte pozuar si të ishte një kërcimtare e vërtetë. Por në këtë foto një sy i vëmendshëm do të vinte re diçka që nuk ishte shfaqur më parë në shoqëri, qoftë edhe në botën e modës. Kjo ishte diçka vajzërore dhe e pastër. Para Bardot, adoleshentet nuk përfshiheshin në jetën publike, madje as në botën e modës. Me të ndodhi një ndryshim i madh, që u pasua nga të tjera aktore e modele të moshës së hershme. Sipas specialistëve, Bardot krijoi një modë të sajën dhe bashkë me të një stil të ri jetese. Më në fund adoleshentet nuk do të visheshin më si gra apo fëmijë, por si vajza në prag të rinisë. Dhe kur Bardot u bë grua, bota u çmend fare. Në moshën 18-vjeçare ajo u martua me Roger Vadim, regjisorin me të cilin luajti edhe të përdalën në filmin “Dhe Zoti krijoi gruan”. Në vitet që pasuan dhe që u “sunduan” nga James Dean dhe Elvis Presley, format dhe vështrimi i saj shkaktuan një revolucion të papritur e me përmasa të paparashikuara dhe me filmin e mësipërm ky revolucion arriti pikun e tij. Bardot interpretonte Juliete, një grua me një oreks të jashtëzakonshëm për seks. Skena kur ajo kërcen me flokë të lëshuar, zbathur dhe me fustan të shkurtër, është një nga skenat që përcaktuan kinemanë e atyre viteve dhe përbën një gur kilometrik edhe në vetë historinë e kinemasë. Një kritik i një të përditshmeje amerikane shkruante: “Për sa i përket Bardot, ajo çka i çmend meshkujt nuk është performanca e saj në shtrat, por ajo çfarë mund të bëjë. Ajo është një fenomen i pabesueshëm që mund të arrish ta kuptosh vetëm kur e ke përballë”. Filmi “Dhe Zoti krijoi gruan” ishte një film që skandalizoi Amerikën dhe suksesi e kundërshtitë që ai krijoi shkaktuan një boomerang të vërtetë në Europë. Në vitin 1958, botuesi i asaj kohe i revistës së famshme parisiene, “Paris Match”, i dedikoi një artikull 8-faqësh çështjes “Bardot”. Ai e konsideroi një fenomen për t‘u studiuar, në të cilin duhet të bëheshin bashkë sociologë, antropologë, psikologë, për të dhënë shpjegimet e duhura në lidhje me rrënjët dhe ndikimin e fenomenit “Bardot”. Ai analizoi veçanërisht ngjarjet në Shtetet e Bashkuara, që në disa raste kishin shkuar në ekstrem. Kështu, kishte raste kur pronarët e kinemave ishin arrestuar për shkak të shfaqjes së filmit. Pas shfaqjes së filmit madje pritej që transmetimi i tij të ndalohej. Ndërsa për sa i përket artikullit të “Paris Match”, në fund të tij shkruesi konkludon: “Bardot është një imorale nga koka te këmbët”. Madje në të thuhet se Bardot duhet të ndalohet nga ekranet e kinemave. Ndërkohë, intelektualët francezë, të përballur me këtë reagim të ashpër të shtresave borgjeze, e kuptuan se këtë herë bëhej fjala për shumë më tepër se disa linja femërore të shfaqura me tepri në kinema. Në një ese të shkruar në vitin 1959, me titull “Sindromi i Lolitës”, e famshmja Simone de Beauvoir e cilësoi Bardot si “lokomotivën e historisë së grave” dhe e krahasoi hyrjen e saj në shoqërinë franceze me vetë ekzistencializmin. Sipas saj, aktorja bukuroshe dhe seksi përfaqësonte femrën më të çliruar të racës së pasluftës. De Beauvoir shkruante: Dhe të mendosh që ajo vinte nga një familje borgjeze. Bardot jetonte siç i pëlqente asaj, vishej sipas tekave të saj, dhe bënte atë që donte. Në këtë sens, sipas disa të tjerëve, liria e saj ishte shumë provokuese. Provokative, por kurrë e ndyrë. “Një grua e çliruar është e kundërta e një gruaje mendjelehtë dhe të pavlerë”, shkruante më poshtë në artikullin saj De Beauvoir. Për të, sensi që kishte Bardot për lirinë ishte absolut, thuajse ekzistencial. “Natyrshmëria e Bardot duket më perverse se çdo lloj sofistikimi. Ajo e vlerëson dhe e ndjen veten të barabartë me meshkujt për nga dëshirat dhe përcjell idenë se mes femrave dhe meshkujve ka vetëm dëshirë dhe kënaqësi të ndërsjellët. Kjo është arsyeja përse në sytë e shoqërisë ajo duket një qenie e rrezikshme”, shkruante De Beauvoir. Sikundër vetë filozofja e madhe e parashikoi në shkrimet e saj, Bardot do të refuzonte që hershëm të ishte një “nënë e mirë” dhe një “bashkëshorte e mirë”. Ajo dashurohej, braktiste e dashurohej sërish me meshkuj të ndryshëm. U martua 4 herë rresht, theu qindra zemra, lindi një djalë i cili u rrit nga i ati dhe pati marrëdhënie shumë të këqija me të ëmën. Për filozofen, Bardot nuk ishte as rebele, as imorale, por një qenie njerëzore e lënë në gjendje të lirë. Bardot nuk donte të provokonte, nuk kishte kërkesa, nuk e kishte idenë se çfarë gjëje ishte e drejtë, apo cilat ishin detyrat e saj. Ndërsa një shkrimtar francez, Paul Fournel, ka shkruar: “Bardot ishte indiferente për pushtetin që kishte. Ajo nuk ka dashur që të bëhej aktore, këngëtare apo seks-simbol, por ja që ndodhi kështu dhe ajo nuk refuzoi. Ajo kishte një mënyrë shumë origjinale të të menaxhuarit të bukurisë së saj, që ishte një mënyrë shumë përparimtare. Ishte shumë moderne dhe avangardë. Ajo ecte zbathur e shpengueshëm, pa e çarë kokën se çfarë thoshin të tjerët në një botë të mbushur me paragjykime, keqgjykime e analiza të tepruara nga njerëz të paguximshëm. E gjithë sjellja e saj ishte tipike dhe anti-franceze njëherazi”. Mënyra e saj indiferente e të jetuarit dhe të parit të realitetit, e bërë bashkë me bukurinë dhe sinqeritetin e qenies së saj, e bënë atë armiqësore me shumë njerëz, mentalitete e mënyra jetese. Madje kjo u agravua deri në atë pikë, saqë konservatorët francezë dhe moralistët do ta tregonin me gisht atë dhe filmat e saj si mishërime të një shoqërie të degraduar. Sipas disave, ajo ishte shkaktarja e destabilizimit të shoqërisë franceze, me një ndikim në këtë shoqëri, më të madh nga një program partiak. Mënyra se si ajo jetonte, me një indiferencë e vetëbraktisje, ishte shumë e rrezikshme për disa dhe mund të korruptonte dhe shtrembëronte vetë rininë franceze, ndaj nga këta njerëz ajo u konsiderua një “kurvë”, ndërkohë që për të tjerët ishte një “revolucionare”.