Nga Dorian Koçi
Veshjet popullore shqiptare gjithnjë kanë tërhequr vëmendjen e udhëtarëve të huaj. Koloriti dhe ornamentet e tyre shpesh herë u kthyen në objekt studimi dhe admirimi në shënimet e udhëtimit dhe veprat e botuara në Evropë.
Revolucioni industrial, përparparimet teknologjike dhe përmirësimi i mjeteve të komunikimit nga gjysma e dytë e shekullit të XIX, bënë të mundur që udhëtimet edhe në distanca më të largëta të botës të mos ishin më të gjatë, të lodhshëm dhe të vështirë. Si rezultat i këtyre zhvillimeve, numri i udhëtarëve evropianë që vizitonin Shqipërinë vazhdoi të rritej ndjeshëm. Për herë të parë në këtë kohë, vendin tonë e vizitojnë edhe udhëtare femra si është rasti i udhëtares dhe antropologes Mery Edith Durham, e cila ka lënë disa shënime interesante dhe kostume popullore që sot ruhen dhe ekspozohen në muzeumet e Britanisë së Madhe.
Edith Durham (1863-1944) ishte 37 vjeç, kur ndërmori udhëtimin e saj të parë në Ballkan më 1900. Ky udhëtim do të kishte një efekt të dyfishtë: në jetën e saj dhe për antropologjinë dhe etnografinë e rajonit.
Së pari, që nga zbulimi i Malit të Zi, Serbisë dhe Shqipërisë dhe për 14 vjet me radhë ajo do të kalonte pjesën më të madhe të kohës dhe të angazhimit të saj intelektual dhe politik në udhëtimet nëpër Ballkan. Edith Durham shkroi dhe botoi një sërë veprash monumentale dhe artikujsh për historinë, etnografinë, intrigat politike dhe antropologjinë e Ballkanit. Historianët e mëvonshëm të Ballkanit kanë përdorur rregullisht citime nga veprat e saj ku sipas historianit të njohur të Ballkanit, Noel Malcom, ajo ishte “një nga vëzhguesit e huaj me perceptimin më të mirë të ngjarjeve”. Veprat e saj sipas rendit kronologjik janë: “Through the Lands of the Serb” (1904), “The burden of the Balkans “(1905) ,”High Albania“(1909) ,”The struggle for Scutari” (1914) ,”Twenty Years of Balkan Tangle “(1920) ,”The Sarajevo Crime (1925) dhe “Some Tribal Origins, Laws and Customs of the Balkans” (1928).
Së dyti, përvoja dhe materiali i mbledhur gjatë këtyre udhëtimeve përbëjnë ndoshta koleksionin më të pasur të kulturës popullore dhe sociale të mbledhur nga ndonjë udhëtar i huaj gjatë kësaj kohe. Një pjesë e madhe e këtij koleksioni shumë të çmuar për kulturën shqiptare ndodhet në British Museum dhe në koleksionin Durham në Bankfield Museum në Halifax. Pjesa më e madhe e tyre janë veshje popullore të blera gjatë udhëtimeve të saj në Shqipëri. Ashtu si dhe udhëtarë të mëparshëm britanikë që kishin shprehur admirimin për veshjet shqiptare, edhe ajo do të shprehej: “qëndisjet me ar nuk mund t’i gjesh asgjëkundi, dyqanet e rrobaqepsave janë një shkëlqim i mahnitshëm i ngjyrave dhe modeleve. Nëse nuk do të kisha vështirësi me transportin e tyre , do të kisha blerë aq shumë sa do të kisha mbetur pa asnjë dysh”.(Edith Durham 1909 / 1985, High Albania: 272).
Një pjesë e tyre janë dhurata mirënjohje që shqiptarët i dhuruan mikeshës së tyre që kish bërë aq shumë në arenën ndërkombëtare për të mbrojtur kauzat e tyre.
Kështu, një nga veshjet popullore më të bukura është ajo që ruhet në Bankfield Museum në Halifax, një jelek gruaje i qëndisur me ar, dhuratë e popullit të Beratit në 1918. Kjo dhuratë ishte një shprehje e mirënjohjes së shqiptarëve ndaj asaj zonje , e cila vazhdonte të punonte në favor të Shqipërisë. E prekur nga ky gjest fisnik, ajo kujtonte: “Kalërova tre ditë maleve e mbërrita në Berat herët në mëngjes, dhe hartova një telegram për Këshillin e Ambasadorëve në Londër , si petecion nga banorët e Korçës, që thonin se dëshironin të mbeteshin shqiptarë dhe Korça të mbetej shqiptare.” (Afrim Karagjozi, Mery Edith Durham: Dituria: 102).
Jeleku dëshmon një nivel të lartë të mjeshtërive artizanale të Shqipërisë së asaj kohe dhe të qytetit të Beratit si një nga qytetet më të zhvilluara të Shqipërisë së jugut. Jeleku pa mëngë dhe i qendisur me ar ishte një veshje e aristrokracisë së lartë beratase dhe dëshmon për një nivel mirëqënie të shtresave shoqërore që e vishnin. Në të bie në sy sasia e madhe e arit e përdorur për të realizuar ornamentet e ndryshme.
Kjo cilësi e veshjeve popullore shqiptare nuk ishte një gjë e re. Edhe poeti i madh romantik, Lord Bajron rreth 100 e ca vjet më parë, kur kish blerë kostumin e famshëm me të cilin ka pozuar për piktorin Thomas Philips, i kish shkruar së ëmës: “kam blerë disa petka shqiptare madhështore, e vetmja plaçkë e shtrenjtë në këtë vend. Kushtojnë 50 ginea secila, dhe kanë aq flori të qëndisur sa në Angli mund të kushtojnë 200 ginea”. (Afrim Karagjozit “ Miti Shqiptar për Bajronin”:23).
Qyteti i Beratit, ashtu si dhe qytetet e tjera shqiptare në periudhën osmane, kishin një artizanat të zhvilluar, të organizuar në esnafe që trashëgonin mjeshtëritë brenda familjeve brez pas brezi. Brenda një harku kohor zejtaria në qytetin e Beratit kishte shënuar një përparim të dukshëm,çka shihet jo vetëm në shtimin e numrit të zejtarëve por edhe të zejeve. Në defterin e vitit 1583, janë regjistruar 638 zejtarë. Edhe pse nga numri i zejeve që ushtroheshin në këtë kohë(23), qyteti i Beratit vinte pas qyteteve të tilla si Elbasani(45 zeje), Prizreni(45), Shkodra e Prishtina (me nga 28 zeje secila), për nga numri i zejtarëve që punonin këtu, Berati zinte vendin e parë mes qyteteve shqiptare. (Ferit Duka, Berati në kohën osmane (shek. XVI – XVIII):79).
Mes zejtarive që ushtroheshin vend të posaçëm zinin zejet që kishin të bënin me prodhimin e veshjeve dhe të sendeve të ndryshme të zbukurimit. Zhvillimi i disa veprimtarive zejtare ndikohej drejtë për së drejti prej shtimit të vazhdueshëm të kërkesave të shtresës së pasur të qytetit për veshje luksi dhe artikuj të çmuar zbukurimi.
Sot, për fat të keq, këto mjeshtëri artizanale kanë humbur dhe ringjallja e tyre përbën një sfidë për zhvillimin e një turizmi kulturor të qendrueshëm. Një hap i rëndësishëm në këtë drejtim do të ishte sjellja dhe ekspozimi i këtyre objekteve të çmuar muzealë në Shqipëri, për tu studiuar nga etnografët tanë, dhe përpjekja për ta rigjallëruar sërish traditën e qepjes dhe përgatitjes së veshjeve popullore që dikur mahnisnin europianët e paktë që vizitonin Shqipërinë.