Michel Poiccard, grabitës automjetesh në arrati dergjet në një nga rrugët e Parisit, pasi ka qëlluar për vdekje një officer policie, i bindur se është spiunuar nga e dashura e tij, gazetashitësja amerikane, Patricia. Ajo përkulet mbi Michel-in e shtrirë në një pellg gjaku. A do të jenë fjalët e tij të fundit të rëndësishme? Në fakt, krejt e kundërta ndodh. Teksa lufton me agoninë e plagëve, Michel-i vetëm sa shtrembëron fytyrën, duke imituar në mënyrë qesharake klithmën e heshtur “faire la tete,” të cilën ishte përpjekur ta spiegonte më herët gjatë filmit. Çfarë më shumë se kaq janë aktrimi dhe jeta, veçse tragjedi, komedi, shprehi fytyre, fjalë?
Gjesti i çuditshëm dhe që s’mund të harrohet lehtë, i barazvlefshmi i shprehjes së njohur të Humphrey Bogart, “Kjo është për ty, vogëlushe,” e ktheu aktorin Jean-Paul Belmondo në një sensacion botëror në vitin 1960. Ai ishte aktori me fytyrë simpatike e njëkohësisht të ashpër, ç’ka e bënte edhe më të vërtetë. Belmondo kishte thyer hundën gjatë periudhës së ndeshjeve si boksier amator, buzët disi të deformuara, mbi të cilat kalonte gishti i madh i dorës në një gjest sa meditues aq edhe provokues. Belmondo dhe personazhi i tij, Michel i dhanë famë njëri tjetrit në botën e kinemasë. Michel është njeriu pa rrënjë, krimineli që grabit automjete dhe vret një polic, vetëm e vetëm sepse gjen rastësisht një revolver në kroskotin e makinës. Megjithatë, pavarësisht karakterit të tij në dukje të cekët, Michel-i është në gjendje të mendojë në mënyrë thuajse poetike për jetën.
Jean-Paul Belmondo luajti role banditësh edhe në të tjerë filma të njohur nga regjizori Jean-Pierre Melville, i cili do ta kthente aktorin në legjendë të kinemasë. Ai luajti rolin e banditit të pavarur, që ka siguruar mjaftueshëm para për një jetë të qetë në filmat “Le Doulos” dhe “Stoolpigeon” në 1963-shin, ndërsa po të njëjtit personazh i duhej të ndreqte punët me pjesën tjetër të bandës, të cilët dyshonin se ai i kishte tradhëtuar duke i spiunuar në polici.
Megjithatë, një nga rolet e tij më interesante por edhe më pak të njohura është ai i filmit “Prifti Leon Morin.” Në të ai luan për herë të parë në një rol me seriozitet absolut, si ai i priftit. Është kohë lufte dhe Emmanuelle Riva luan rolin e Barny-t, një vajzë e re me prirje komuniste, e cila shkon në kishë jo për t’u rrëfyer, por për të zënë ngushtë priftin me anti-klerikalizmin e saj. Prifti megjithatë përfshihet qetësisht në bisedë. Ai është i qetë, inteligjent dhe i bindur në besimin e tij. Natyrisht, Barny bie ne dashuri me të, por prifti i Belmondo-së nuk tundohet. Qëndrueshmëria e tij emocionale shpaloset në formën e historive të fëmijërisë dhe nënës së tij të dhunshme. Prifti Leon Morin shfaqet gjithashtu i dashur me vajzën e e Barny-t, çka e shtyn këtë të fundit që ta dashurojë edhe më tepër, e natyrisht të ëndërrojë për të fjetur me të. Por, prifti Leon Morin refuzon i zhgënjyer dhe i mërzitur, ndërsa i kërkon Barny-t që të kthehet sërish për t’u rrëfyer. Në një moment gjatë filmit ai hyn në dhomën e saj të gjumit për t’u kujdesur për vajzën e sëmurë të Barny-t, ndërsa kjo e fundit dëshmon një çast hyjnor. Në film, Belmondo ka luajtur një nga rolet e tij më të arrira, aq sa të shtyn të mendosh se do të duhej dikur të luante rolin e Krishtit në një tjetër film.
Ndërkaq, ndërsa epokat e kinemasë së viteve ’60-të, 70-të dhe ’80 do t’i linin vendin njëra tjetrës, Belmondo do të rikthehej në vëmendje përmes të tjerë filmash, më pak të guximshëm dhe më komercialë. Kritikat e vazhdueshme se kishte braktisur filmat e regjizorëve seriozë si, Godard, Melville dhe De Sicca do ta ndiqnin thuajse gjatë gjithë kohës. Megjithatë, Belmondo fitoi çmimin Cesar për rolin e tij në filmin “Udhëtimi i një fëmije të përkëdhelur” (1988) me regji të Claude Lelouch. Romantiku i përjetshëm Belmondo do të mbetet pjesë thelbësore e historisë së kinemasë franceze, por edhe e vetë Francës./Përshtati nga The Guardian, Bjorn Runa/ GazetaPasqyre.al