Nga Albana M. Lifschin
Kohët e fundit në protestat kundër kandidatit për president Donald Trump pati raste të djegies së flamurit amerikan. Nuk është hera e para që ndodh ky veprim, por a është e drejte djegia e flamurit në shenjë proteste? A duhen arrestuar qytetarët për denigrimin e këtij simboli?
Po e filloj me opinione të një grupi qytetarësh amerikanë. Ja si iu përgjigjën ata pyetjes” A jeni dakort me djegien e flamurit?”
-Jam dakort nëse ai që djeg flamurin të digjet edhe vetë bashkë me të!
-Megjithëse është një akt që më fyen së tepërmi e kuptoj të drejtën e një tjetri të më fyejë në këtë lloj mënyre. Dhe e mbroj. Sepse ndoshta një ditë do të veproj edhe unë si ai. Po ia hoqa këtë të drejtë atij, ja kam hequr edhe vetes time. Bëjeni flamurin pronë të qeverisë dhe atëhere s’ka për të qënë më flamuri i ynë.
-Arrestimi i dikuj sepse dogji flamurin është diçka që s’ka për t’u përkrahur kurrë nga njerëzit.
-Djegia e flamurit mbrohet nga amendamenti i parë Kushtetutës. Eshte liria e shprehjes, liria e fjalës. Megjithatë mendoj që njerëzit nuk duhet ta djegin flamurin.
-Flamuri digjet vetëm nëse është vjetëruar shumë, dhe grisur. Por ka një mënyrë të përshtaçme për ta hequr atë nga qarkullimi “.
Djegia e flamurit prek e fyen ndjenjat e e qytetarëve sepse nderimi ndaj flamurit kombëtar brumoset që në fëmijëri, madje nuk konceptohet as që flamuri të lëshohet përdhe. Flamuri është simboli më i lartë dhe hymni itij ngjall emocione të fuqishme në zemrat e tyre. Në një artikull të saj gazeta ‘Nju Jork Tajms’ jep këtë përcaktim për flamurin amerikan:
“Ç’është flamuri? Ç’është dashuria për vëndin që ai përfaqëson?
…Janë mijra e mijra pilgrimë, njerëz të zakonshëm që mbajnë në zemër një shpresë të jashtëzakonshme për një jetë më të mirë në një botë të re të panjohur, një shpresë të paimagjinueshme për liri dhe drejtësi; Flamuri është Shpresë dhe Kurajo që e bëri burrin të durojë çdo sakrifice e dhimbje e të qëndrojë pa u përkulur.
Toka, Populli dhe Flamuri. Toka-një kontinent, populli- njerëz të çdo race, Flamuri -simbol i aspiratave njerëzore dhe frymëzimit. Secilës nga këto, gjeneratat duhet tu dedikohen, të japin edhe jetën po të jetë nevoja”.
Lind pyetja po përse djegia e flamurit amerikan është bërë e ligjshme?
Në 1984 në një protestë politike në Teksas, ndërkohë që zhvillohej Kuvendi Kombëtar Republikan, Gregori Xhonson u arrestua për djegien e flamurit dhe u dënua me një vit burg dhe $2000 dollarë gjobë.
Në 21 qershor 1989 në çeshtjen gjysore Texas vs . Johnson, Gjykata Supreme e SHBA e ktheu dënimin e Gregori Xhonson, duke argumentuar se Flamuri përfaqson tokën e njeriut të lirë, dhe liria përfshin edhe mundësinë ta përdorë flamurin (ose keqpërdorë atë) në shenjë proteste.
Menjëherë pas këtij vendimi të gjykatës, presidenti i atëhershëm i SHBA( George H. W. Bush), propozoi të shtohej një amendament në kushtetutë për mbrojtjen e flamurit amerikan nga denigrimi. Në 1989 Kongresi kaloi aktin për Mbrojtjen e Flamurit që e konsideronte krim denigrimin e flamurit amerikan pavarësisht nga motivi . Protestuesit u përgjigjën menjëherë me djegie flamujsh në disa shtete njëherësh me qëllim që ta dërgonin çështjen sërish në Gjykatën Supreme. Pothuaj një vit më pas, në 11 qershor 1990, në rastin e United States v. Eichman, Gjykata Supreme e SHBA doli me vendimin se ligji për mbrojtjen e flamurit ndaj vandalizmit ndaj tij ishte antikushtetues, ishte në shkelje të së drejtës kushtetuese së lirisë së shprehjes.
Janë bërë përpjekje të tjera për ta mbrojtur flamurin amerikan duke shtuar një amendament në Kushtetutë, por nuk kanë qenë të suksesshme.. Ja pse është e lejueshme djegia e flamuri amerikan.