Ministria e Kulturës, më datë 12 dhjetor 2016, zgjodhi projektin fitues që do të prezantojë Shqipërinë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Artit, edicioni i 57-të në Venecia 2017, me projektin e titulluar ‘‘Ndodhi në kohën e tashme’’, propozuar nga Leonard Qylafi (Artist) dhe Vanessa Joan Müller (Kuratore).
Ky projekt u përzgjodh nëpërmjet një thirrjeje të hapur për projekt-propozime (5 Tetor-1 Dhjetor 2016), shpallur nga Ministria e Kulturës, në rolin e komisionerit të Pavijonit Shqiptar.
Juria Ndërkombëtare e përbërë nga: Marco Scotini, Julia Fabenyi, Flaka Haliti, Eleni Laperi, dhe Gëzim Qendro, vlerësoi me shumicë votash projektin ‘’Ndodhi në kohën e tashme’’ duke gjykuar se ky projekt përmbush kriteret e parashtruara në thirrjen e hapur të Ministrisë së Kulturës, me argumentimin si vijon:
Juria gjykoi se është e rëndësishme që Pavijoni Shqiptar të prezantohet nga një artist që ka aftësinë të risjellë historinë e së shkuarës me një këndvështrim, kërkim dhe praktikë kontemporane. Qylafi prezantohet me piktura dhe dokumente personale që sjell një kontrast midis historive individuale dhe kujtesës kolektive, në një trajtim sa politik, aq edhe poetik.
Duke e krijuar lidhjen e tij me kohën, Qylafi prodhon një ngjashmëri dhe analogji të fortë dhe të re, e cila ngre shumë pyetje, duke e bërë edhe më emocionuese potencialin e dinamikës së narrativave të paraqitura.
ARTISTI
Leonard QYLAFI (datëlindja 1980) është artist kontemporan shqiptar që punon në mediume të ndryshme si: video, fotografi, muzikë dhe pikturë. Ai ka studiuar Atelieri Pikturë, në Akademia e Arteve, Tiranë, Shqiperi. Ai punon dhe jeton në Tiranë, Shqipëri.
KURATORI
Vanessa Joan Müller Drejtore e Departamentit të Dramaturgjisë në Kunsthalle Vjenë, ka studiuar histori arti dhe teori filmi në Ruhr University Bochum dhe mban një PhD në Histori Arti. Ajo ka publikuar shumë ese dhe artikuj mbi artin bashkohor dhe teorinë e tij. Vanessa Joan Müller punon dhe jeton në Vjenë, Austri.
JURIA
Z. Marco Scotini, Kritik Arti, Kurator me aktivitet në Milano. Scotini në një bashkëpunim të vazhdueshëm me institucione të artit bashkëkohor si Flash Art. Kurator i disa projekteve. Temat e preferuara të tij janë rreth artit dhe politikës, artit dhe shoqërisë. Kurator i disa Bienaleve si Itali, Pragë, Berlin etj. Marco Scotini është drejtor i arkivit Gianni Colombo në Milano, për të cilin ka kuruar ekspozitën në “Palazzo Reale” Milano, 2006.
Z. Gëzim Qëndro, Profesor i Teorisë së Artit, kritik. Shef i Arkitekturës dhe Dizajnit
në Departamentin, Universiteti POLIS, Shqipëri. Formimi i tij përfshin diplomën B.A në
Artet Pamore. Ai ishte drejtor artistik i disa filmave të animacionit në ish-Kinostudio “Shqipëria e Re”. Drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve Tiranë (1997- 2002). Drejtor i PamorART revistës Art. (1998-2002). Bashkë drejtor dhe një prej kuratorëve të tre edicioneve të Bienales së Tiranës, kurator i ekspozitave “Surrealizmi socialist”,”Homo Socialisticus”.
Znj. Julia Fabenyi, Drejtore dhe Kuratore e Muzeut Ludwig-Budapest, Hungari. Prej 10 vitesh kryeson bordin që përzgjedh projektet përfaqësuese në Bienalen e Venecias Art Arkitekturë për Hungarinë dhe Slloveninë. Njohëse shumë e mirë e zhvillimeve më të fundit të artit pamor bashkëkohor për Shqipërinë, punë të cilën e finalizon me eskpozitën me titull “ Ideale dhe vepra arti”. Një përzgjedhje veprash nga koleksioni i Muzeut Ludwig në Budapest, hapur pranë Galerisë Kombëtare të Arteve, përgjatë datave 24 qershor- 14 gusht 2016;
Znj. Eleni Laperi, diplomuar si artiste e arteve pamore Instituti i Lartë i Arteve në Tiranë, sot Universiteti i Arteve. Studiuese arti, kritike arti, publiciste.
Znj. Flaka Haliti, Lindur më 1982 Prishtina/Kosovë jeton në Munich/Gjermani.
Bashkautore dhe autore në disa ekspozita Brenda Kosovës dhe jashtë Kosovë. (2013 – 2017)PhD in Practice Program at Academy of Fine Arts, Vienna.
Projektet e tjera aplikuese:
“Don´t know why are we dancing, but still doing it”
Genti Korini (artist)
Nathalie Hoyos dhe Rainald Schumacher (kuratorë)
“Tregtari i skeletëve”/“The Merchant Of The Skeletons”
Arbër Elezi, Lori Lako, Romeo Kodra (artistë/kuratorë)
“Kapësja e ëndrrave” / “Dreamcatcher”
Bujar Luca (artist)
Serge Plantureux (kurator)