Një sërë pohimesh tregojnë se plot meshkuj të pushtetshëm në media, politikë dhe teknologji kanë abuzuar me pushtetin e tyre, si dhe kanë përfituar nga ata që gjendeshin në pozita më të larta se ata. Personalitete të njohur, si Harvey Weinstein, Kevin Spacey, Matt Lauer, Roy Moore, Senator Al Franken dhe presidenti Donald Trump janë akuzuar për shumë gjëra negative, që nga ekspozimi ndaj punonjësve dhe kolegëve, ambicia e tepërt, e deri tek abuzimet seksuale.
Njerëzit shpesh pyesin: Mos vallë ekziston diçka lidhur me nxitimin e këtyre personave për të qenë të pushtetshëm, që i bën ata të kalojnë në veprime kaq të neveritshme?
Shkenca pohon se në trurin e personave të pushtetshëm ndodhin fenomene të pazakonta. Dekada të tëra studimesh thonë se psikologjia dhe fiziologjia e njerëzve të fuqishëm janë paksa të ndryshme nga ato të personave të zakonshëm: bazuar këto tek arkitektura e korteksit prefrontal dhe mënyrës se si zemra pompon gjak. Ja çfarë i bën trurit dhe trupit tuaj ndjesia e pushtetit, sipas shkencës:
Pushteti mund të dëmtojë aftësinë tuaj për të dashur të tjerët
Dacher Keltner, profesor psikologjie në UC Berkeley ka studiuar me dekada të tëra mënyrën se si funksionon truri i të pushtetshmëve. Ai gjithashtu ka publikuar ekspertizën e tij mbi emocionet në Pixar “Inside Out”. Kërkimet e Keltnerit kanë treguar se të qenurit të pushtetshëm mund të dëmtojë korteksin tonë prefrontal – pjesën e trurit që na ndihmon të kuptojmë se si ndihen të tjerët. “Pushteti e bën të vështirë t’i kuptojmë të tjerët”, thotë Keltner për Business Insider.
Personat e pushtetshëm e kanë më të vështirë të imitojnë njerëzit, me të cilët hyjnë në komunikim apo thjesht i shohin.
“Efekti pasqyrë” i personave të famshëm nuk është aq i fuqishëm sa i personave të tjerë. Kjo do të thotë se ata janë më pak të aftë të imitojnë një person, me të cilin kanë bërë një bisedë.Një studim i vitit 2014, në të cilin u testua hedhja e një topi nga personat e pushtetshëm dhe personat e thjeshtë, nxori në pah se në trurin e personave të pushtetshëm aktivizoheshin më pak zona për të imituar lëvizjet e personave jo të pushtetshëm. Sa më shumë pushtet të ketë dikush, aq më pak i aftë do të jetë ai për të imituar të tjerët.
Liderët mund ta gjejnë të vështirë shprehjen e dhembshurisë
Nervi vagus që del që nga fillesa e palcës kurrizore dhe përfundon në stomak, mendohet se është përgjegjës për shprehjen e mëshirës, falenderimit dhe vlerësimit. Studimet e Keltnerit tregojnë se ky nerv “çaktivizohet në personat e pushtetshëm. Ai thotë se kjo shpjegon më së miri shprehjen “Është e vështirë t’i kuptosh të tjerët se si ndihen, kur vetë ndihesh i fuqishëm”.
Disa studime kanë treguar se pushteti i bën personat më të predispozuar për të thyer rregullat dhe më pak të gatshëm për t’i ndarë gjërat me të tjerët.
Një studim i vitit 2011 tregoi se personat me makinat më të shtrenjta i pushonin më shpesh shoferët e tyre dhe ishin më të ekspozuar ndaj kryerjes së aksidenteve me këmbësorët. (Disa thonë se kjo gjë lidhet me faktin se ata janë më të prirur të ndërmarrin rreziqe). Të njëjtat studime kanë vëshguar gjithashtu edhe situata ku personave të pushtetshëm u është paraqitur një shportë me karamele dhe u është thënë që ato do t’u jepen fëmijëve. U pa se ata u treguan më tepër lakmitarë duke marrë më shumë karamele nga shporta.
Të ardhurat më të larta i bëjnë të pasurit më pak bujarë
Një studim me 2000 amerikanë tregoi se personat me të ardhura më të larta, ishin më pak bujarë me të tjerët. Ndërkohë që kjo nuk ndodhte në personat të cilët ishin pasuruar me kalimin e kohës, por që vinin prej familjeve të varfëra. Ata ishin po njësoj bujarë, si personat e varfër. Kjo gjë nuk pohon se të gjithë personat e pasur janë më pak bujarë, por një pjesë e mirë e tyre janë të tillë.
Pushteti mund të reduktojë nivelet e stresit
Për shumë vite me radhë janë hedhur hipoteza se personat e pasur mund të kenë aftësinë ta menaxhojnë më mirë stresin, si dhe të shfaqin nivele më të ulëta të tij. Ata kanë nivele të ulëta të hormonit kortizol, hormonit të stresit, dhe nivele të larta të testosteronit që siguron mbrojtje nga frikërat. Kjo varet edhe nga gjinia, pasi femrat kanë rreth 1/6 e sasisë së testosteronit që kanë meshkujt. Nga ana tjetër, jo çdo person me nivele të ulëta të kortizolit dhe nivele të larta të testosteronit është i destinuar të jetë i pushtetshëm në të ardhmen.
Pushteti ndikon edhe në efektet e trurit në organizëm
Është vënë re se personat e fuqishëm kanë rrahje më të forta të zemrës, si dhe pompim të një sasie më të madhe gjaku nga zemra në çdo rrahje. Kjo gjë bën që një sasi më e lartë gjaku me oksigjen të shkojë në tru. Me fjalë të tjera, personat e fuqishëm mund të jetojnë më të shëndetshëm dhe të mos zhvillojnë lehtësisht sëmundje kardiovaskulare.
Njerëzit e pushtetshëm që bëjnë lekë, jetojnë më gjatë, më shëndetshëm dhe kanë nivele më të ulëta stresi.
Është vënë re që amerikanët e pasur mund të jetojnë rreth 6 vite më tepër se sa ata që jetojnë në kushte të mjerueshme, sepse kanë më tepër mundësi të jetojnë në lagje të pastra, të hanë shëndetshëm, si dhe të sigurojnë kujdes më të mirë shëndetësor për veten e tyre. Por kjo gjë varet edhe nga perceptimi i secilit. Nëse dikujt i duken të mjaftueshme të ardhurat që fiton, atëherë jetesa e tij do të jetë më e mirë. Kjo do të thotë se në vendet ku pabarazia midis rrogave është më e lartë, vihen re më shumë dallimet e mësipërme.
Ne jemi më të prirur që t’ua japim pushtetin personave më të paraqitshëm
Studimet e vitit 2016 tregojnë se personat që ne i konsiderojmë më të paraqitshëm, kanë më shumë aftësi për punë drejtuese dhe lidershipi. Por kjo gjë nuk është gjithnjë e vërtetë. Ka raste kur meshkuj apo femra të paraqitshme, nuk kanë lidhje me pushtetin dhe nuk kanë aftësi drejtuese.
Ata që vishen me pamje pushtetari, mund të kenë efekt pozitiv edhe në pulsin personave rreth tyre.
Kërkmet kanë vënë re që personat e veshur mirë, me kostume dhe kollare, kishin mundësi që t’i nxisnin edhe të tjerët rreth tyre të vishin po njësoj. Ata gjithashtu kishin impakt pozitiv në reduktimin e rrahjeve të zemrës në personat e tjerë me puls të shtuar.
Por pushteti jo gjithmonë e ndihmon shëndetin tuaj
Kur një person i pushtetshëm ndihet se po i rrezikohet pushteti, niveli i kortizolit në gjak i kap nivele stratosferike. Kjo gjë mund të ndodhë psh me një politikan gjatë zgjedhjeve elektorale. E kundërta ndodh me personat e varfër që nëse mendojnë se po avancojnë dhe do të avancojnë më tepër në jetë, do të ndiejnë nivele më të ulëta stresi.
Jo çdo gjë që lidhet me pushtetarët, është e keqe
Jo çdo gjë që thuhet me personat e pasur dhe të pushtetshëm, është e keqe. Nëse këta persona kanë më tepër kontakt me të tjerët që janë më të afërt, ata mund të rrisin mundësitë për marrëdhënie të mira edhe me kolegët e tyre. Nëse ata e kuptojnë rëndësinë e pozitës së tyre sociale, ata vihen më tepër në kontakt me nevojat dhe dëshirat e personave të tjerë.
Është e rëndësishme që njerëzit në pushtet të mos e harrojnë origjinën e tyre
Indra Nooyi, drejtoresha e Pepsit, e pëlqen shumë ditën kur u bë drejtoreshë dhe sërish e ëma e urdhëroi të shkonte të blinte qumësht. Ajo u kthye e zemëruar nga dyqani dhe e ëma i bëri të kuptonte se jashtë shtëpisë ajo mund të ishte gjithçka, por brenda ishte vajza e tyre dhe duhet të jepte kontributin e saj në punët e shtëpisë. Shkencëtarët që merren me çështjet sociale, thonë se të kujtosh rrënjët dhe origjinën tënde, të bën që të lidhesh më shumë me nevojat e të tjerëve që varen nga pushteti yt.
Dhe mos ndaloni së dëgjuari
Drejtuesit që kujtojnë se fuqia e tyre është po aq e mirë sa respekti që kanë të tjerët për ta, e kanë më të lehtë të jenë me këmbë në tokë. Keltner thotë se sa herë i duhet të përdorë pushtetin e tij, ai kujton Abraham Lincolnin, që thuhej se dëgjonte këdo që i fliste. “Ajo është një cilësi e drejtuesve të mëdhenj. Ata mahniten dhe përqendrohen në ato që të tjerët u thonë” u shpreh Keltner. Burimi: Business Insider / Përgatiti: f.a. / Bota.al