Nga: Tobias Xhaxhiu
-Të njohësh historinë tënde është mjaft e rëndësishme, por të dish ta rrëfesh atë mbetet gjithnjë një sprovë, të cilën autori i pakohë i përmbledhjes “Të parët tanë”, Italo Calvino, ka ditur ta mbërthejë më së miri. Ky volum shënon një bashkërendim të veprave të Calvino-s të shkruara rreth viteve 50′-60′, që janë një vijimësi e qartë e vizionit të tij për ta shpalosur, në trajtë gati fabuleske, historinë e popujve italikë dhe jo vetëm. Libri vjen në gjuhen shqipe nën siglën e shtëpisë botuese “Dudaj”.
Duke e thënë si në një përrallë, ku imagjinata përthyhet porsi shami në xhepin e këtyre rrëfenjave, Calvino rrëmben pak nga struktura narrative e popujve të Lindjes, nuanca të cilat shfaqen hera-herës në këto romane si vegime të vagullta nga “Një Mijë e Një Netë”, dhe i vendos ato në gojën e një rapsodi modern, një tregimtari shpotitës që nuk druhet të shfaqë si groteskun, ashtu edhe ndjesitë më të larta përmes aventurash kalorësiake. Efekti është magjepsës. Lexuesi unifikohet me personazhet e nën mantelin e tyre të zhuritur nga pluhuri i fushëbetejës dhe nga gjaku i diç dyluftimi, ai zbulon vetveten.
Pushteti i fantastikes hetohet në prozën e Calvino-s me devotshmërinë e një shkrimtari të realizmit, ku nuk mungon vërtetësia dhe njëherësh spërkatja me një seri ngarkesash fantazie në kufijtë e surrealizmit, që zbehin vrazhdësinë e sfondit historik dhe e distancojnë veprën e tij nga vulgariteti i prekshëm, apo nga domosdoshmëria komerciale e gjërave.
Tek “Viskonti i përgjysmuar” ai vendos në peshore raportin midis së mirës dhe së keqes tek njeriu, në këtë rast tek protagonisti, Medardo i Terralbës, një fisnik i ndarë përgjysmë nga goditja e një topi të armikut, i cili mbijeton kësisoj, le të themi më së shumti moralisht, me secilën nga dy pjesët e tij përbërëse, të mirën dhe të keqen. Këtu, një lexues i ditëve tona do të vihej përballë një dileme të thellë morale, shumë herë më kapitëse sesa ajo e paraardhësve tanë, vrazhdësia e realitetit të të cilëve linte pak hapësirë për të gjykuar mbi rolin e njeriut në shoqëri e mbi peshën që kanë veprimet e tij.
“Viskonti i përgjysmuar” është një manual imagjinar për njeriun bashkëkohor, një transkriptim i mënyrës sesi individi mund t’ia dalë të mbijetojë në xhunglën moderne, pa u tjetërsuar mbi baza modelesh të gatshme. Autori ia del t’i thotë të gjitha këto pa flijuar asgjë nga supremacia estetike e gjuhës së tij.
Kështjella e estetikës së tij lartohet më tej në romanin e dytë, “Baroni rebel”. I riu Kozimo, në rebelim e sipër ndaj autoritetit prindëror, vendos të gjejë strehim tek një pemë e stërmadhe në kopshtin e shtëpisë së tij, nga ku deklaron se ai kurrë nuk do ta braktisë pemishten për pjesën e mbetur të jetës dhe kështu vepron. Ndonëse i shtyn ditët mbi pemë, Kozimo i ruan kontaktet me botën, duke u bërë tërheqës për të gjithë, sidomos për të rinjtë, por kur nis t’i rëndojë pesha e viteve, besnikëria e treguar ndaj zotimit të tij për vetizolim do të shndërrohet në përbuzje dhe harresë, duke e përafruar personazhin e tij me një relikt të harruar tek shtëpia e fëmijërisë mbi pemë.
Calvino, sheh tek personazhi i Kozimos simbolin e ndershmërisë intelektuale, të papërligjur, tharmin e së cilës shoqëria kërkon ta asgjësojë. Tashmë i plakur, Kozimo nuk pranon të zbresë nga pema dhe më pas, krejt papritur, ai befason çdokënd duke çarë qiejt, hipur në një balonë ajërnxehtë. Dëshmitarët e skenës, (ne lexuesit dhe personazhet) do ta shohin për herë të fundit Kozimon duke u tretur në horizontin e paarritshëm të detit.
Tek “Kalorësi i paqenë”, vëmendja e Calvino-s pëson metamorfozë. Si nga syri i mikroskopit që merr në studim një mostër, edhe vëmendja e Clavino-s fokusohet nga trupëzimi shoqëror, thënë ndryshe ndërgjegjja shoqërore apo shpirti i shoqërisë, tek individi.
Ylli i shfaqjes është Agilulfo, një kalorës i padukshëm për shkak të pastërtisë së shpirtit. Këtu kemi të bëjmë me një dualizëm të frikshëm, përmbajtja e substancës dhe padukshmëria e saj, që mund të mishërohen tek vetë Agilulfo dhe armatura e tij. Armatura që vesh trupin e padukshëm është dëshmia e vetme fizike që provon ekzistencën e kalorësit. Në dallim nga të tjerë kalorës me nam, Agilulfo është një karakter i rezervuar, i tërhequr, i cili nuk i bërtet arritjet e tij, jo për ndonjë arsye romantike, por sepse karakteristika e tij prej qenieje të tejdukshme do ta bënte të pamundur vërtetimin e tyre. Përtej kësaj, ai e di se ndërgjegjja e tij është e kyçur në armaturë, ndaj kalimi nga ndërgjegjja tek ajo që ndodhet përtej unit, mbetet gjithnjë një marrëdhënie e vështirë mes mëkatit moral dhe mbërritjes në portat e përsosmërisë shpirtërore.
“Të parët tanë”, ashtu siç vetë autori e cilëson, është “njëfarë arabesku i pemës gjenealogjike të njeriut bashkëkohor”, dhe si i tillë përbën një gur të çmuar në kolanën e letërsisë botërore, një epitaf i gdhendur në të shkuarën për njeriun e së ardhmes.