“Itaka” nga Kavafis

 

Me t’marrë rrugën për n’Itakë,
uro që udha të të jetë e gjatë,
peripeci e sprova plot.
Lestrigonëve dhe Ciklopëvë
a tërbimit të Poseidonit – frikën mos ua ki.
Këso takimesh mb’udhë s’do të ndeshësh,
në munç mendjen të dëlirë ta ruash, në trup e shpirt
vetëdij’ e patundur udhën ta prin.
Me Ciklopë e Lestrigonë, jo aspak,
as me mizorin Poseidon nuk do të matesh
në munç përbrenda të mos i mbash
dhe shpirti yt shajni të mos thurë.

Uro që udha e gjatë të të jetë,
të shumta dhe mëngjeset verore
kur ndër limane – më së fundi dhe oh, me c’hare,
brigje të parrahura më parë do të shkelësh;
ndër çarshi fenikase barit e bli
sedefe e korale, abanoz e qelibare,
gjëra për merak, edhe erëzina
këndellëse larushì; sa m’shumë erëzina aromëdehëse,
dhe nëpër qytetet egjiptiane të vesh,
sa mund më shumë nga m’t’urtët të nxësh.

Por Itakën kurrë nga mendja mos e shlyej-
Pjekja me të, mendimrrënjosur qoftë në ty.
Por rrugëtimin revan mos e merr, asfare;
vite e vite le të zgjasë, dhe kur i moçëm
të shkelësh n’ishull, i kamur
me thesare mbledhur udhësh,
mos prit pasuri Itaka të të falë.

Itaka ndër rrugëtime të nisi,
Pa të, udhën e madhe s’do ta kishe marrë
ndër sy; e ç’pret më tepër ti?

E në e gjeç të varfër, Itaka zhgënjyer s’të ka,
fort i mençur dhe një barrë jetë mbi supe ke
sa të kuptosh
ç’Itaka për ty është.

© Perktheu nga italishtja: Aida Baro

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *