Ishte Gërdec…

“E ç’thonë zogjtë? Gjithë ç’mund të thuash rreth një masakre, gjëra si: “Pu-ti-uiiit?”
“Slaughterhouse-Five”, Kurt Vonnegut, në librin kushtuar bombardimit të Dresdenit

Vladimir Karaj

Buzë gjerdheve të ngritura rishtazi pas shpërthimit, kumbullat kanë çelur në Gërdec. Si sot një vit më parë, ne që na binte të kalonim këtejpari, duke numëruar predhat e shpërthyera e të pashpërthyera, as që na shkonte në mend se këtu mund të çelnin sërish lule. Atë ditë kur mësuam për herë të parë emrin e këtij fshati, ishim të bindur se këtu gjithçka mund të ndodhte, veçse lulet nuk mund të çelnin më. Ajo ditë ishte ndarje epokash. Ishte epoka “Para-Gërdec” dhe ajo “Pas-Gërdec”. E para mund të kishte pasur edhe lule. E dyta nuk mund të kishte më. Pemët ishin rrëzuar përmbys, degët ishin thyer dhe në vend të sythave kishte mbirë barut e vendi mbante erë mort…

Paraditen e 15 marsit 2008 gjerbnim kafe në një lokal pranë “Medresesë”. Ishte e shtunë pushimi, me një qiell të turbullt, që herë e lëshonte e herë e fshihte diellin. Asnjë nga ne nuk dinte gjë për fshatin që i bie të jetë 17 kilometra në vijë ajrore nga kafeneja. Gjithçka për aq sa dinim, shkonte mirë. Deri në çastin, kur një “erë e fortë”, e shoqëruar nga zhurma e një gjëmimi, hapi me përdhunë dyert e kafenesë dhe ne fillimisht duke kërkuar me sy, e më vonë në celularë e titra televizionesh, mësuam për Gërdecin. Pesë minuta më vonë, emrin e dinim të gjithë në lokal, të gjithë në Shqipëri dhe aty për aty ne mendonim se e gjithë bota mund ta kishte marrë vesh. Në Gërdec kishin shpërthyer depot. Thuhej se ishin vrarë 300, se mund të vdisnin më shumë, se do të shpërthenin të tjera. Në 30 minuta gjithçka që thuhej kishte fjalët “shpërthim” dhe “Gërdec”. Një orë më vonë, sirena ambulancash mbushën Tiranën, ndërsa makina jonë kërkonte shtigje për të shkuar në Gërdec. Nuk ishte më e shtunë, nuk ishte më pushim, ishte “Gërdec”…

Policia Ushtarake është ende aty edhe pas një viti, por postblloku është diku me thellë në rrugën që të çon për te depot. “Nuk mund të kaloni zotëri”, – thotë ushtaraku dhe na ndalon makinën. Vendi është akoma zonë e rrezikshme për këmbësorët e thjeshtë dhe askush nuk mund të shkojë atje, të paktën jo pa iu fshehur disi ushtarëve të mërzitur nga shërbimi i gjatë. Anës rrugës i kanë hequr copat e skrapit. Nuk ka më flamurka të kuqe që shënojnë vendndodhje predhash, por janë tabelat e mëdha me numrat e ndihmës, në rast se ndodh të hasësh ndonjë të tillë.

Në fakt, nuk do të ishte gjë e çuditshme, se ishte pikërisht ajo që ne prisnim. Pasi e vetmja foto që na vjen në mendje kur shqiptojmë fjalën Gërdec, është lumi i predhave dhe i njerëzve që vrapojnë, i atyre që qajnë, i atyre që vuajnë. Por krejt ndryshe prej asaj dite, fshati duket i qetë. Askush nuk vrapon në drejtim të asgjësë dhe nuk ka asnjë sirenë shpuese apo rrahje pafund helikash e shpërthime të thata predhash. Të vetmet zhurma janë ato të makinave të betonit dhe çekanët e muratorëve që ngrenë muret e shtëpive të reja, diku mbi themelet e të vjetrave, diku krejt larg tyre. Në një moment na duket se lulet e kumbullës kanë çelur enkas për të na prishur pritshmëritë, edhe kajsitë e kuqërremta, edhe zogjtë që e kanë mposhtur frikën dhe kanë ngritur sërish foletë atypari, prej nga edhe i dëgjojmë të cicërijnë.

Por, mos është kjo vetëm dukje?! Njësoj siç ishte atë ditë, kur Erison Durdaj, 6 vjeç, bashkë me kushërinjtë e tij luanin në fushën aty rrotull, duke iu kënaqur diellit, që herë humbte pas reve dhe herë binte mbi ta, dhe magazinat kur ruante vdekja.

Djali i xhaxhait, Roxhersi, 11 vjeç, i kishte çuar bukën së ëmës që punonte diku në fabrikë dhe Erisoni me të tjerët luanin në rrugën aty afër. Pak minuta më vonë, të dy ata ishin të plagosur. 18 ditë prej 15 marsit, Erison Durdaj nuk ishte më. Ai dha frymë në një spital në Itali, i mbytur nga plagët, ndërsa i ati, Feruzani, e ndiqte nga përtej xhamave të dhomës së spitalit e përgjërohej të shihte qoftë edhe një shenjë jete prej tij. Rigon Durdaj, babai i Roxhersit, thotë se kurrë nuk ka mundur të nxjerrë prej djalit historinë e asaj dite. “Nëse ia përmend, ai fillon të qajë dhe duhet orë që të qetësohet sërish”, – thotë burri dhe ndërsa flet, sytë i zbuten dhe ai kthen kokën mënjanë.

Përballë vendit ku jemi ulur e flasim, punëtorët po ngrenë tullë pas tulle shtëpinë e tij të re, mbi themelet e së vjetrës. Nuk ka qenë i bindur nëse do të kthehej një ditë dhe shtëpinë ka filluar ta ndërtojë vetëm së fundmi. “Fëmijët e duan”, – thotë. Prej nga jemi, e gjithë lagja duket një kantier i vogël ndërtimi, me njerëz që punojnë, hedhin romuze e jetojnë. Veç në sytë e Rigonit gjërat janë krejt ndryshe. Mjaft të gërvishtësh pak aty dhe burri çon mëngën dhe e heq fort mbi ta, sikur të donte t’i fshinte të gjitha kujtimet. Një vit më parë e shoqja kishte lënë fëmijët në shtëpi dhe ndodhej në magazinat ku derdhej barut prej predhash. Ajo nuk i pa më fëmijët e saj dhe as ata nuk e panë më kurrë atë. Momenti i fundit duhet të ketë qenë ai kur merrte bukën prej të birit. Kristina, 14 vjeçe dhe Roxhersi, 12 vjeç, e dinë. “E vogla tani ka filluar të kuptojë”, – thotë Rigoni. “Kur më pyet, i them që mamin e ka marrë Zoti. Më thotë: “Po kur do ta kthejë?”

Atë ditë, Agim Allën, i vetmi që kishte mundur të mbijetonte, duke qëndruar gjatë gjithë kohës as 200 metra larg kraterit, e takuam ndërsa ndizte njëra pas tjetrës cigare të dredhura dhe kërkonte të birin, punëtor të fabrikës. Në fytyrën e zymtë si peizazhi i shkretë me kafshë të gjymtuara kishte ende shpresë se ai mund të ishte gjallë, ndër të afërm.

“Përcolla fëmijët dhe kur u nisa të dal, ndodhi shpërthimi i madh që më preu këmbët dhe më rrëzoi në tokë. Kur u ngrita, nuk kisha më ku të shkoja, prandaj u ula aty dhe qëndrova”, – na tregoi atëherë Agimi. Sot e gjejmë mbi çatinë e shtëpisë së re, pak metra mbi të vjetrën, rrënojat e së cilës janë aty të paprekura. “Ikni, më lini në hallin tim”, – thotë ai, pa na u afruar dhe thith fort cigaren e dredhur. Neve na duket se ky njeri ka një vit që thith të njëjtën cigare, si atë ditë kur e gjetëm të rrethuar nga predhat. Veçse mollëzat i janë futur ndër nofulla, ashtu siç mblidhen mollëzat kur pi cigaren. Sot ai e di që Rolandi nuk i mbijetoi tragjedisë. Pak metra më tutje Gërdeci tjetër, ai që ne kemi të gjallë në kujtime është i paprekur. Agimi s’ka dashur të heqë shtëpinë e vjetër, çatia e saj e rrënuar nga predhat, trarët e thyer gjithçka është aty për të kujtuar.

Nikolini ka probleme me dëgjimin. “Prej ditës së shpërthimit më kanë lënë pak veshët”, thotë ai, ndërsa pimë një cigare në ballkonin e shtëpisë së rindërtuar, si për të na kujtuar që duhet ta përsërisim sa thamë, me zë më të lartë. Shtëpia është ende bosh, e zbrazët dhe ai ka vetëm pak stola plastikë, në të cilët na fton të ulemi. Përballë nga ballkoni duket krateri. Pjesa më e madhe e predhave është hequr dhe prej këtu duken ekskavatorët dhe ushtarakët që vazhdojnë të punojnë në pastrim. Ndërsa flasim, ai herë pas here i hedh sytë andej.

Atë ditë, Nikolin Hazizaj ka qenë në punishte, me të vëllanë, të shoqen, motrën e saj, nusen e vëllait dhe babanë. Ata dolën, babai mbeti atje. Nikolini la atje edhe një pjesë të lëkurës së tij, një pjesë të dëgjimit dhe për orë të tëra besonte se kishte humbur gjithçka. “Vrapova deri në një farë vendi, por pashë që nusja nuk kishte dalë. U ktheva pas… I gjeta të tria, nusen të motrën dhe nusen e vëllait. U thashë të vraponin, po nusja kishte vënë duart në kokë dhe bërtiste “këtu mbaroi jeta ime”, ishte e gjitha në flakë”, – kujton ai. E shoqja shpëtoi. Të dy ata kanë plagë nga shpërthimi dhe si shumë të tjerë, një njeri i dashur u ka mbetur pas në rrënoja e predha.

Teposhtë në ara, dikush ka hapur gropa për të mbjellë pemë, ndërsa prej nga jemi, mund të shquajmë ustallarët dhe të dëgjojmë mjetet e tyre që rrahin mbi tulla apo dërrasa. Ballkoni i shtëpisë së Hazizajt në atë orë bie nën diell dhe një mëllagë që sapo ka çelur, duket se u gëzohet rrezeve që bien mbi të. Po të mos kishim folur me Agimin, të mos kishim parë sytë Feruzanit dhe të Rigonit që mezi i mbajnë lotët, do të mund të thoshim se në Gërdec ishte një ditë e qetë dhe zogjtë kishin filluar të cicërojnë.

Botuar më 15 mars 09


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *