Ish-ambasadori ynë në Kubë: Fidel Kastro pëlqente bakllavanë e rakinë e Skraparit

Ish-ambasadori shqiptar në Kubë, Çlirim Çepani, rrëfen marrëdhëniet e tij me Fidel Kastron, takimet me të, dhe bisedat për çështje të ndryshme. I ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, Çepani zbulon momente nga bisedat me Fidel Kastron, mënyrën sesi ai e njihte Shqipërinë, dhe vizionin e tij për botën.

Çepani thotë se Fidel Castro ishte një person pa komplekse, i cili kishte marrëdhënie me të gjitha shtetet e botës, me përjashtim të ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike me SHBA pas problemit me Karaibet.

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kubë thotë se Kastro gëzonte një popullaritet të madh, duke qenë se kishte ëndrrat e veta si idealist që ishte. Edhe pse një diktator për 50 vjet në Kubë, ai ka pasur edhe pikëpamje liberale brenda vendit dhe në raportet me ndërkombëtarët.

Duke rrëfyer një moment nga një nga takimet me Fidel Kastron, Çepani tregon se çfarë i ka thënë ai për Nënë Terezën.

“Ju keni Nënë Terezën. Unë Nënë Terezën e kam mike. E kam pritur dy-tre herë në Havanë dhe i kam krijuar kushte për të realizuar misionin e saj”, është shprehur Kastro.

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kubë tregon edhe një moment tjetër ku gjatë një takimi, i ka ofruar Fidel Kastros bakllava shqiptare dhe raki Skrapari.

Si ishte Fidel Kastro nga afër? Sa herë mund ta takonte ambasadori i Shqipërisë në Havana Fidelin? Ne kemi foto që është në internet vizita e ministrit të Jashtëm në atë kohë, dhjetori i vitit ’90, pikërisht në momentin kur në Shqipëri po binte regjimi. Ju ishit atje ambasador. Fidel Kastro ka ardhur në ambasadën tonë apo jo?
Ka ardhur në 12 dhjetor 1990 në rezidencën tonë në Havanë dhe ka qëndruar mbi tre orë. Unë gjatë kohës time 5-vjeçare në Havanë kam pasur marrëdhënie të vazhdueshme me liderët kryesore, por në veçanti me Fidelin jam takuar disa herë. Por takimi më interesant dhe më i gjatë ka qenë kur erdhi në rezidencën tonë ku biseduam gjerë e gjatë për shumë gjëra.

Për çfarë për shembull? Mund të na zbuloni për çfarë biseduat? Si ishte ai në biseda të tilla?
Ai u interesua për Shqipërinë. Pyeti për turizmin, energjinë, bujqësinë. Kishte njohuri për historinë, shprehte respekt për popullin shqiptar si popull i vogël, por trim, që ka luftuar për liri e pavarësi. Nuk u fut farë në çështje ideologjike, për çështje të marksizëm-leninizmit, apo çështje të partive, pasi nuk kishte marrëdhënie të dy partive, në atë kohë. Në kohën e ndërhyrjes në Afrikë të trupave të Fidelit, mbi 100 mijë ushtarë, atëherë Enver Hoxha e akuzoi si mercenar të Rusëve, në fakt ai tha “unë nuk kam të bëj fare me rusët, unë kam të bëj me përkrahjen e njerëzve me ngjyrë, me përkrahjen e gjithë popujve afrikanë”. Kastro foli për Nënë Terezën. Tha “ju keni një personalitet të madh që shpreh karakteristikat e popullit shqiptar, Nënë Terezën, të cilën unë e kam mike. E kam pritur tre herë në Havanë dhe i kam hapur të tëra dyert i kam krijuar të gjitha lehtësitë për misionin e saj”.

Ka qëndruar tre orë në këtë takim…
Jo vetëm ka qëndruar 3 orë, por jashtë çdo protokolli. Kjo nuk kishte bërë vaki në asnjë ambasadë të huaj në Havanë. Ai piu edhe dy gota raki, dhe një bakllava shqiptare të ofruar nga ana ime. Ma kishte derguar babai nga Skrapari, një shishe raki, e pahapur, dhe kur u ulëm unë i thashë bashkëshortes të na e sillte. Ai e provoi dhe më pyeti se çfarë është. I shpjegova që bëhet nga rrushi dhe është shumë e mirë. Më tha “kemi bërë edhe ne një lloj rakie në Spanjë, kjo qenka akoma më e mirë”. Kastro kishte humor, dhe ishte shumë i kujdesshëm në veprimet që bënte. Ai doktori dhe shoqëruesi që rrinte nga pas bëri sikur fshiu tavolinën dhe hoqi shishen, për ta kontrolluar, pasi atij i ishin bërë rreth 600 atentate të dështuara, dhe nuk pinte asnjë lloj pije nëpër pritje. Ai bëri sikur nuk e pa, por pas 2-3 minutash u tha silleni atë shishen. Dhe më tha mbushe edhe nga njëherë, për të vërtetuar se kam ardhur vërtet në mënyrë miqësore.

Pra rakia jonë i pëlqeu. Po bakllavaja?
Bakllavaja i pëlqeu akoma më shumë, pasi ata si popull i kanë shumë qejf ëmbëlsirat. Plus që prodhojnë sheqerin. Në këtë takim ai kishte prurë pjesën dërrmuese të qeverisë, ministri i Jashtëm, i Tregtisë, i Financave, etj. Ishte i interesuar të kishte një zhvillim të marrëdhënieve në fushat specifike. Ç’është e vërteta në këto aspekte Kuba ka patur një zhvillim dhe një impenjim të madh. Personalisht Fideli ishte i impenjuar për turizmin, shëndetësinë, bio-teknologjinë, dhe fusha të tjera, dhe kërkojnë zhvillim. E pëlqeu bakllavanë dhe ua ofroi edhe ministrave. U detyruam të merrnim edhe një bakllava tjetër të nesërmen. I tha bashkëshortes sime, “jam i interesuar ta di si është bërë kjo ëmbëlsirë se qenka shumë e mirë. Do më dërgosh nesër recetën e gatimit”. Ai tregoi një nga hobet e veta, duke thënë “Unë gatuaj vetë në shtëpi”. Ia treguam edhe recetën pastaj. E gjithë biseda ishte shumë e ngrohtë dhe miqësore. Pati jehonë në gjithë trupin diplomatik, pasi Havana është një nga vendet ku ka ambasada më shumë se në çdo vend tjetër të botës, afër Uashingtonit, Moskës, apo vendeve të mëdha. Sepse vetë politika e tij ishte shumë e hapur, nuk kishte konture. Ishte pragmatik në këtë aspekt. Ai vetëm pushtetin politik, atë kishte të rëndësishëm që mos t’i prekej, po në anët e tjera kishte të gjitha llojet e marrëdhënieve.

Sa herë e keni takuar Fidel Kastron?
Unë e kam takuar shumë herë, mbi 10 herë, në pritje të ndryshme. Por edhe një rast tjetër ka qenë shumë interesant kur dha një darkë në Pallatin e Revolucionit me rastin e vizitës së Mandelës në Havanë. Kur doli nga burgu Mandela, vizitën e parë jashtë vendit e bëri në Havanë, për t’i dhënë falënderimet për ndihmë e madhe të dhënë në pavarësinë e Afrikës së Jugut, në përmbysjen e Apartejdit. Ai dha një pritje për këtë, dhe unë isha një nga diplomatët me të vjetër në Havanë në atë kohë. U takuam dhe më mbajti afër. Fideli i tha Mandelës: “E njeh Shqipërinë? Ky është ambasadori i Shqipërisë”. Kam dëgjuar tha ai, është një vend i vogël, trim. Pastaj tha “Shqipëria është Kuba e Adriatikut”. Dhe Fideli i tha “Edhe ne Jemi Shqipëria e Karaibeve”. Ai ishte një figurë që kontaktonte edhe me trupin diplomatik, me gazetarët e huaj, edhe me miqtë, pavarësisht pikëpamjeve të tij. Ai kishte miqësi me shkrimtarët, me Markezin, me gazetarë, diplomatë, udhëheqës të shteteve. Kishte miqësi të ngushtë edhe me Karterin, ish-presidentin amerikan. Ai kishte një kulturë perëndimore dhe kishte një rreth të gjerë miqsh. Kishte pikëpamje që nuk mund të shpjegohen nga ana ideologjike, ai kur erdhi për herë të parë në Europë, pati një sukses të jashtëzakonshëm. Ishte mik me Miterranin. Ai ishte komunist në pikëpamjet e veta, por u zgjodh President Nderi i shoqatës së pronarëve më të mëdhenj të shampanjës në Francë. Ishte një figurë tepër interesante.

A kishte shfaqur ai ndonjëherë interes për ta parë nga afër këtë Shqipërinë e vogël, por trime?
Gjatë kësaj vizite që bëri në Europë e hodhi indirekt idenë, por ngjarjet e ndodhura e bënë të pamundur.

Ju kishit informacion se çfarë po ndodhte në Tiranë?
Ne çdo ditë informoheshim për të gjitha zhvillimet. Por Fideli e kishte marrë lajmin para nesh. Ministri i Jashtëm në atë kohë, dy ditë përpara ishte nisur nga Tirana, dhe nuk kishte dijeni për shpalljen e pluralizmit. Ai e kishte marrë para nesh njoftimin, dhe kishte ambasadorë specialë që për ngjarje të rëndësishme i çonte në vende të ndryshëm të botës, taktikë që ne nuk e përdorim. Këtë taktikë e përdor Amerika, të gjithë shtetet e fuqishme, që për çështje konkrete, informacion, analize, dërgojnë përfaqësuesit e tyre në këto vende.

Jua tha Fidel Kastro këtë që ishte shpallur pluralizmi në Shqipëri
?
Jo nuk na e tha, ishte shumë i kujdesshëm. Ai ishte jurist, i specializuar, ishte njeri me kulturë. Ai kishte një praktikë kontaktesh ndërkombëtare tepër të pasur me të gjitha vendet e botës, si të pasura, në zhvillim, apo vende të botës së tretë. Ai foli vetëm për çështje të zhvillimit të marrëdhënieve bilaterale midis dy vendeve, dhe në çështje të zhvillimit të historisë.(balkanweb)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *