Intervista/ Robert Elsie: Studimet shqiptare, një “temë Hirusheje”

Intervistë me Robert Elsie, studiues i njohur i gjuhës shqipe dhe një nga përkthyesit më të mirë të letërsisë shqipe në anglisht.


Intervistoi Lura Limani

Nëse ju ka rastisur të lexoni një tregim, një poezi ose një novelë nga një autor shqiptar në anglisht, ka mundësi që përkthimi i Robert Elsie-t e ka bërë këtë të mundur. Elsie, një ndër pak përkthyes të letërsisë shqipe në anglisht, dhe studiues i studimeve shqiptare, punoi si përkthyes në Tribunalin Ndërkombëtar të Krimeve për Jugosllavinë. Ai është autor i mbi 60 librave dhe artikujve të panumërt, shumica prej të cilëve mbi letërsinë, gjuhën dhe kulturën shqiptare. Puna e Elsie mund të qaset lehtë përmes uebfaqeve të tij të shumta për letërsinë, artin, historinë, gjuhën dhe fotografinë shqiptare. Një fans i flaktë dhe studiues i Lady Edith Durham – nga njerëzit e parë që shkruan kujtime udhëtimesh për territoret shqiptare – Elsie po mban një prezantim me një pjesë të koleksionit të fotografisë së Durham të mërkurën në Hotel Sirius në Prishtinë. Prezantimi hapet në 19:00.

Lura Limani nga Prishtina Insight bisedoi me Elsie-n për projektet e tij të tashme dhe të ardhme në Tiranë, ku Elsie po fliste në një seminar të historisë gojore të organizuar nga Iniciativa e Historisë Gojore të Kosovës.

Për çfarë po punoni tani?

Unë dola në pension dy vite më parë, isha duke punuar në Hagë [Tribunalin]. Vitin e kaluar unë publikova 15 libra – që janë goxha shumë. E kam tepruar disi. Kam publikuar dy libra me përralla popullore shqiptare në anglisht, dhe tani kam një koleksion në gjermanisht që po punoj në të [u publikua së voni]. Dhe jam gjithashtu duke punuar në një varg epik shqip, një projekt përkthimi, dhe gjithashtu, kam vendosur një koleksion të madh të dialekteve shqiptare në internet – kur të përfundojë e gjitha do të përmbajë mbi 200 regjistrime dialektesh.


A po përktheni ndonjë gjë në veçanti nga letërsia bashkëkohore shqiptare
?

Jo për momentin, por kam bërë disa përpjekje dhe nuk jam shumë i mirë në atë aspekt, mendoj që kam humbur aftësinë. Është shumë e vështirë të përkthesh letërsi në përgjithësi dhe ndoshta nuk jam personi më i duhur për të përkthyer letërsi, edhe pse nuk ka njerëz të tjerë që po e bëjnë.

A e dini që nuk ka përkthyes në anglisht përveç John Hodgson, ai po punon me libra të Ismail Kadaresë, por nuk njoh askënd që po përkthen letërsi shqipe në anglisht.

Është shumë e trishtë, por është tmerrësisht e vështirë të arrish diçka në anglisht që është e lexueshme dhe interesante për lexuesin anglisht-folës, dhe që në të njëjtën kohë të jetë besnike ndaj origjinalit shqip. Unë jam i frustruar me veten që nuk mund ta bëj, por çka kam bërë është që kam përkthyer shumë poezi në vitet ‘90 dhe përkthimet e poezive janë të mira dhe disa ishin më të vështira si [poeti i epikës Gjergj] Fishta, të cilit ia kam përkthyer Lahutën e Malcisë. Mendoj që ishte një arritje e madhe dhe kur e shikoj prapë përkthimin tim të Lahutës së Malcisë jam shumë i kënaqur me të, mendoj që ka dalë mirë.

A është kjo për shkak të preferencës suaj për vargjet epike?

Jam i interesuar në letërsinë që ka ndonjë lidhje me historinë. Është gjithashtu më e lehtë të përkthesh kur ke diçka më konkrete. Ndërkohë kur ke letërsi që nuk ka një bazë narracioni, është shumë e vështirë për t’u përkthyer. Është e thjeshtë, e di poezinë për shkak të poezisë, dhe shumë shqiptarë shkruajnë edhe poezi dhe prozë që nuk kanë lidhje me asgjë. Është e bukur në shqip, por nuk mund ta përkthesh.

Në shqip siç e dini, ne nuk kemi një fjalë për “Nonfiction”. [“Nonfiction” = ‘jo-fiktive’ – pra që nuk bazohet mbi situata artistike apo të trilluara, por bazohet mbi zhvillime, përsiatje dhe ndodhi që i përkasin realitetit të jetuar.] Çka ju do të përshkruanit si “nonfiction” në anglisht quhet publicistikë, që shumicën e kohës përfshin gjëra si pamfleta, propagandë, libra

Është një tragjedi e madhe për kombin shqiptar, që nuk ka traditë të “nonfiction”, të shkrimit të historisë si histori neutrale. Më së shumti, të gjithë librat që botohen në Shqipëri janë me opinionet e njerëzve për historinë. Jo çka ndodhur, por opinioni im se çka ka ndodhur dhe quhet publicistikë siç thua ti, në një mënyrë.

Çka i vlen shqiptarëve të lexojnë opinionet e të tjerëve pa ditur se çka ndodhur në fakt? Të njëjtat gjëra ndodhin në lajmet e botës shqiptare, nëse dëgjoni lajmet në TV, në radio, shpesh dëgjoni komentime për çka ka ndodhur në vend që të të tregojnë vërtet se çka ndodhur.

Ju jeni shumë prodhues jo vetëm si përkthyes por edhe si redaktor. A e ndjeni presionin sepse jeni një nga pak njerëz që përkthejnë vepra në anglisht?

Pa dyshim. Marr emaile çdo javë, njerëz që më thonë ‘Oh sapo e kam publikuar këtë volum të poezisë, që është pranuar mirë në publik. A mund ta përktheni?’ Shpesh janë autorë të njohur, shpesh janë të panjohur. Shumë njerëz duan që të përkthej publikimet e tyre dhe unë nuk kam as kohë e as energji për ta bërë.

Përkthimi i një libri është punë e madhe, dhe rezultati është botimi i një libri në gjuhën angleze që nuk shitet – shet rreth 10 kopje. Dhe kaq. Është shumë e vështirë të prezantosh letërsi të huaj në tregun anglez. Bota anglisht-folëse është aq e madhe sa ka mjaftueshëm letërsi të shkruar mirëfilli në anglisht. Dhe të promovosh letërsi nga shtetet tjera është shumë e vështirë. Është ndryshe nga Franca apo Gjermania, ku ka shumë interes për autorë në gjuhë të huaja. Por bota anglisht-folëse ka shumë pak interes dhe të gjesh një botues është e vështirë.

Ju jetoni në Gjermani, ku ka universitete që merren me studime të Evropës Juglindore. A ka ndonjë interes në Gjermani për letërsinë shqipe?

Nuk mendoj që ka ndonjë interes shumë të madh. Mund të shfaqet nga koha në kohë kur Shqipëria është në lajme, por nuk mendoj që ka. Në Gjermani kemi, ekziston një katedër për Studime Shqiptare në Mynih, është e vetmja në Gjermani dhe po mbijeton. Por universitetet mendojnë financiarisht dhe mendojnë për tema që janë të mira për ekonominë e tyre, dhe Studimet Shqiptare nuk janë një nga këto tema. Është një nga këto ‘temat e Hirushes’ siç e quajnë ata, që janë komplet të panevojshme por është mirë që janë aty. Jam i lumtur që katedra në Mynih ka mbijetuar deri më sot dhe që me sa duket po ecën mirë tani, ka shumë studentë. Gjithashtu, në Poloni ka shumë interes për Shqipërinë.


Në Poloni?

Isha në Torun para disa vitesh dhe u mahnita nga numri i studentëve polakë që studionin gjuhën shqipe – më shumë se ç’kam parë në Gjermani, në Angli apo diku tjetër. U befasova shumë.

Ju keni goxha shumë uebfaqe që merren me disa pjesë të ndryshme të kulturës shqiptare. Por cili është qëllimi i këtyre projekteve?

Nëse gjej një dokument interesant, ose një dokument historik që mund ta përkthej, për të cilin mendoj se ka interes, atëherë e vendos në internet në uebfaqen e historisë, albanianhistory.net. Uebfaqja e gjuhës shqipe ka regjistrimet e dialekteve, uebfaqja e letërsisë shqipe ka shumë përkthime. Kam një për artin shqiptar, por nuk është shumë e përpunuar.

Fotografia shqiptare, kjo është diçka me shumë interes për mua, sidomos koleksionet e fotografive të vjetra dhe unë kam 15-20 koleksione të vjetra të fotografisë shqiptare në internet. Tani po punoj në një koleksion fotografish të Edith Durham [që do të prezantohet në Prishtinë të mërkurën në ora 19:00].

Shumica e punimeve të saj më të hershme ishin të pabotuara. Por tani janë të qasshme, dhe në të njëjtën kohë ajo kishte një koleksion fotografish. Në shkurt unë isha në Londër dhe prezantova koleksionin e saj të fotografisë për herë të parë në 100 vite në Institutin Mbretëror të Antropologjisë, i njëjti institut ku vetë Edith Durham kishte prezantuar fotografitë e saj para 100 vitesh.

Çfarë fotografish janë ato?

Ato në fakt janë fotografi turistësh, ajo kishte një Kodak të vogël portativ me vete, që sapo kishte dalë në treg në atë kohë. Ajo e mori kamerën me vete dhe bëri foto të Shqipërisë, Malit të Zi, dhe kudo që ka vizituar. Disa janë fotografi tipike të turbullta, por disa të tjera janë shumë të mira, dhe kanë vlerë historike.

Një tjetër projekt i imi do të jenë ditarët e saj, që janë shumë magjepsës, ditarë të udhëtimeve të saj. Pra ajo është një person tepër interesant.

Cila është rëndësia e saj sot, sidomos për shqiptarët?

Ajo ishte një nga të parët që jo vetëm e bënë Shqipërinë të njohur, por gjithashtu e mbështetën kauzën e shqiptarëve. Kur ajo fillimisht shkoi në Ballkan ajo mësoi serbisht, dhe kurrë nuk e diti mirë shqipen.

Pra udhëtimet e saj të para ishin në Mal të Zi, dhe pastaj ajo shkoi në Serbi dhe në një pikë marrëdhëniet e saj me Serbinë u bënë shumë të ftohta, ajo e mori vesh që Serbia kishte qëllime të këqija, qëllime zgjerimi në territorin shqiptar, dhe filloi t’i pëlqente shqiptarët, filloi t’i pëlqente Malsorët.

Ajo i admironte ata, ajo udhëtoi shumë në malet e Shqipërisë veriore, pastaj në Kosovë dhe Mal të Zi dhe u bë shumë e lidhur me shqiptarët. Dhe ndërkohë, siç e thashë, ajo kurrë nuk e mësoi mirë shqipen, ajo shpenzoi shumë nga koha e saj në udhëtime në Shqipëri dhe më vonë kur ishte më e vjetër, shtëpia e saj në Londër u bë qendër e mbështetjes për kauzën shqiptare deri sa ajo vdiq.

Besoj që ka më shumë detaje të tilla të qasshme në ditarët e saj…

Shumë informata janë në ditarët e saj, por siç kam thënë ato nuk janë publikuar ende. Unë nuk I kam lexuar të gjitha ato, i kam në duart e mia, në muajin e kaluar, 12-13 fletore të ditarëve të saj – të lexueshme, të qarta dhe besoj se do t’u kthehem atyre.

Kjo intervistë është shkurtuar dhe redaktuar. (Marrë nga Kallxo.com)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *