INTERVISTA/ Ismail Kadare: Pse i urrente dhe i shkatërroi Enveri kafenetë (dhe disa mendime për Parisin, Tiranën dhe Europën)

Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare është një figurë madhore e letërsisë. Librat e tij të botuar nga “Fayard” janë epope të mrekullueshme në zemër të tragjedive bashkëkohore. Takim me këtë trashëgimtar të rrëfimtarëve orientalë.

Libri juaj i ri është një rapsodi mbi lavdinë e qytetërimit të kafeneve. A ka një lidhje midis kafeneve dhe vitalitetit të letërsisë? A është kjo afri një nga veçantitë e Europës?

Natyrisht, dhe komunistët e dinin. Nga buron edhe armiqë- sia e tyre e vazhdueshme për këtë aspekt, tashmë të vjetër, për identitetin e kontinentit të vjetër. Stalinistët dhe idhtarët e tyre i kanë urryer instinktivisht të gjitha vendet që lidheshin me shkëmbimin e lirë të ideve. Kanë tmerr nga “përzierja” e opinionit publik.

 Vendlindja ime, e cila ishte një joshje mesjetare, u quajt Gjirokastër. Popullsia ishte shumë armiqësore ndaj komunizmit dhe frekuentimi i kafeneve ishte shumë i përhapur.

Për mua dhe shokët e mi në klasën tonë të shkollës së mesme – duhet të kemi qenë 12 apo 13-vjeçarë – një nga shenjat më të dukshme të lirisë ishte të kishe mundësi të shkoje në kafene. Më kujtohet gjithashtu Tirana e fëmijërisë dhe rinisë sime, e cila ishte mjaft “snobe”. Atje gjeje kafene me emra të huazuar nga qytete të mëdhenj të Europës, si Flora, Bella Venezia etj. Ky lulëzim e indinjoi thellësisht regjimin komunist, i cili u instalua në vitin 1945. Një nga obsesionet më konstante të Enver Hoxhës [lider i diktaturës shqiptare në mes të 1944 dhe 1985] ishte të mbyste këtë jetë kafenesh.

Me rënien e Murit të Berlinit, shqiptarët psherëtinë të çliruar dhe iu kthyen me gëzim kafeneve. Është logjike, që tek e fundit: kur sundon një ideologji e hekurt, nuk ka më vend për lojën e lirë të mendimeve.

Në nëntor 2015, në Paris, xhihadistët e Daech (ISIS) shënjestruan tarracat e kafeneve. Çfarë domethënieje zbuloni ju në këtë gjest? Bëhet fjalë për një atentat të ndërgjegjshëm ndaj më së mirës së qytetërimit tonë?

Të ndërgjegjshëm, nuk e di. Por sulmet në Paris kanë treguar se ajo që të gjithë e mendonim të pamundur, u bë e mundur. Dhe kjo është e tmerrshme. Terroristët pa dyshim që kanë synuar thelbin e Europës. Dhe më tej, ata kanë riaktualizuar fantazmën e lashtë të shkatërrimit, tek përgjon në thellësitë më të errëta të pavetëdijes.

Ekziston, këmbëngulni ju, një lidhje e ngushtë mes tregut të ideve dhe vendit të shoqërizimit, mishëruar në kafene. A mendoni se “ideokracitë” komuniste, duke penguar këtë lloj shkëmbimi, arritën më në fund të shkatërrojnë jetën letrare? A arritën të thajnë frymëzimin e shkrimtarëve?

Për fat të keq po, në pjesën dërrmuese! Sepse regjimet e llojit të Enver Hoxhës kanë shkëlqyer në krijimin e artificeve qesharake dhe për të ardhur keq, të cilat, me lejen e tyre, ishin të destinuara për të zënë vendin e gjithçkaje që kishte ekzistuar para tyre.

Si mbërritët te shkrimtaria?  Si shpërtheu vokacioni juaj?

Prej leximit, si shumë të tjerëve, mendoj.

Keni qenë një lexues i hershëm?

Kam lexuar “Makbethin” në moshën 10-vjeçare. Ka qenë një magjepsje: E kam kopjuar të gjithin me dorë. Në mesin e shkrimtarëve, Shakespeare është më i madhi. Ishte pas këtij leximi që zbulova tragjeditë e Eskilit, që reflektonin gjendjen time prej shkrimtari disident përballë një shteti totalitar. Dhe në ditët e rinisë sime, letërsia franceze ishte shumë popullore në Shqipëri. Shqipëria, me Greqinë dhe Rumaninë, ka qenë prej kohësh “selia” e një elite shumë të rëndësishme frankofile.

Në fund të viteve 1950, studimet për letërsi ju drejtuan fillimisht në Tiranë e pastaj në Moskë. A ishte gjatë këtij qëndrimi në Institutin “Gorki” që u zgjua vokacioni juaj?

Kur shkova në Moskë, isha tashmë i ndërgjegjshëm që isha tërësisht një shkrimtar. Kisha publikuar përmbledhje me poezi që kishin njohur një sukses të madh popullor. Dija më shumë për letërsinë sesa profesorët e mi të Moskës. Vizioni im për letërsinë ishte shumë më i thellë se ai i kampionëve të realizmit socialist. Dhe ka qenë pa dyshim dëshira për të sfiduar këtë konformizëm të ri që fillova të shkruaja “Qyteti pa reklama”, pastaj pas kthimit nga Moska, “Muzgu i perëndive të stepës”.

Pjesa më e madhe e veprës suaj është ajo e një disidenti, me një vetëdije antitotalitare. Çfarë mbijetoi nën zgjedhën staliniste, nga shpirti i kafeneve?

Poeti sovjetik Iossip Brodsky ka thënë se regjimi sovjetik ka kryer aktin më të rëndë kundër letërsisë. Nuk ka bërë përpjekje për të shkatërruar letërsinë frontalisht, por më tepër për të minuar themelet e saj, të komprometonte kushtet e krijimit të saj, duke synuar thelbësoren, që do të thotë shkrimtarët.

Pikërisht, këtë periudhë ju e keni evokuar shpesh, në fund të viteve 1970, kur ju dukej e pamundur të jetonit më në Shqipëri…

Po, në atë kohë, ime shoqe dhe unë kishim vendosur të linim vendin; por me ankth pyesnim veten se si t’ia arrinim. Pikërisht në atë moment, miku im botues, Claude Durand, më ka ndihmuar shumë për të më nxjerrë dhe për të më dhënë mundësinë të emigroj në Paris. Atëherë kam pasur një përvojë të çuditshme. Zbulova një Perëndim jo dhe aq të etur për të na mirëpritur. Në shumë aspekte, qarqet kulturore të Francës së asaj kohe ngjanin si një lloj “gjysmë-Lindje”. Në kohën e tij, Sartri, për shembull, nuk e kishte dashur të takonte disidentë. Duke ndjekur shembullin e tij, shumë intelektualë ishin shumë ngurrues të bënin publike pikëpamjen e tyre mbi realitetin komunist.

Libri juaj i ri është një mundësi për reflektim të thellë mbi gjendjen e emigrimit. Ju i shihni në mënyra të ndryshme të dy qytetet e jetës suaj, Paris dhe Tiranë…

Po, ju i referoheni pasazhit ku unë shkruaj se një ditë, Parisi m’u shfaq “pa dijeninë e Francës”?

Pikërisht. Çfarë do të thotë kjo formulë?

Kryeqyteti i Francës erdhi tek unë kështu, mos kërkoni kuptimin e fshehtë të kësaj gjetjeje! [Qesh] Qyteti i dytë, nëse guxoj ta them, i pashmangshëm në jetën time, ka qenë Parisi; i pari ishte Tirana. Kam frikë se do të vdes një ditë pa e parë qytetin e rinisë sime. Dhe më tej, duhet të përmend gjithashtu Mosk ën, e cila mbetet tepër tërheqëse dhe madje magjepsëse. Gratë atje janë shumë të bukura. Gjithashtu kam përshkruar kthimin tim emocionues në Moskë, pas rënies së komunizmit.

Ndjenja e brishtësisë përshkon gjithashtu “Mëngjeset tuaja në Café Rostand”. Nuk bëhet fjalë për brishtësinë e shkrimtarit, por dobësinë e vendit të tij. Ju jeni si një mjek në shtratin e vuajtjeve të thella të Shqipërisë, që, siç shkruani ju, “e ka humbur Europën dy herë në shekullin e njëzetë”. Shqipëria është ajo që Milan Kundera, në një artikull të famshëm (“Një perëndim i marrë peng”), e quajti një “komb të vogël”?

Po, kjo do të thotë një komb në rrezik, i cili mund të zhbëhet dhe të zhduket… Kjo është ajo që do të thotë miku im Milan. Mund t’ju them të vërtetën? [Duke qeshur.] E pra, kur arrita në Moskë, një zotëri më pyeti pse kisha zgjedhur Rusinë. Ai shtoi se ne ishim, ne, shqiptarët, i vetmi “shtet fashist” që iu bashkuam familjes socialiste… Më kujtohen lavdet që Musolini kishte marrë nga shumë bashkatdhetarë. E gjithë kjo për të thënë se Shqipëria nuk është e sigurt nga një fatkeqësi, ose një përvojë jodemokratike. Rikthimi mund të ndodhë, sidomos në një Europë ku përparon nacionalizmi ksenofob.

Ju keni qenë gjithmonë një avokat shumë i përkushtuar i Europës. Çfarë mendoni mbi fuqizimin në rritje të Rusisë së Vladimir Putin, përballë Shteteve të Bashkuara të qeverisura nga Donald Trump?

Jam i tronditur! Këto çështje, ende kritike, janë katandisur në një ndeshje boksi të dominuar nga vulgariteti më klithës. Megjithatë, unë nuk jam tepër pesimist për të ardhmen e kontinentit tonë – kjo është pa dyshim një tipar i personalitetit tim, rezultat i edukimit tim…

Marrë nga “L’Express”- Përktheu Panorama

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *