Intervista/ Igli Zarka: Equus, një perëndi xheloze, por unë dua të jem i lirë

Koncepti i lirisë është ndryshe për çdo individ. Por është e rrezikshme të jesh i lirë. Të bësh atë që vërtet ndjen pa pasur frikën nga paragjykimet e shoqërisë. Roli Alanit më ka ndihmuar në këtë aspekt pasi kam kuptuar se lumturia ime ka rëndësi më shumë se opinioni i çdo njeriu”.

 

Igli Zarka interpreton rolin e Alan Strang në “EQUUS”-in e Peter Shafer- një pjesë me regji të Dino Mustafic që shfaqet në Teatrin Kombëtar prej datës 17 mars.

Ai është një i ri verbon gjashtë kuaj- dhe psikiatri Martin Dysard interpretuar nga Timo Flloko, udhëton bashkë me Alanin në një botë tjetër, vibrimesh të gjalla, ku anormalja e normalja nuk kanë vlerë, e ku liria është ajo që vlen më shumë, më shumë se adhurimi, më shumë se paragjykimi, më shumë se besimi, ku perënditë greke edhe pse të vdekura janë më të gjalla të se gjallët, ku pyetja “a po jetoj unë” nuk shtrohet më për diskutim për bëhet kryefjalë.

 

Në intervistën e tij për “Pasqyrë.al” Igli Zarka tregon se si ka ndikuar shfaqja te ai, puna e bërë me regjisorin dhe thotë se “jam i sigurt që shumë meshkuj nuk i duan gratë e tyre aq shumë sa Alan dashuron ‘Equus”.

I pyetur për çka duket se po bën bujë, lakuriqësia e tij në skenë, Zarka rikujton se “trupi im është kostumi im në ato çaste”.

 

“Pyetja thelb e shfaqjes sonë është: Çfarë është normale e çfarë jo?”, thotë Zarka, i cili debuton me një rol të madh në TK.

Ndërsa Alani bëhet normal si bora hipokrite, “dua të jem aty ku lahem perënditë” thotë Dysard. Alan kalëron natën i zhveshur, zbulohet nga i ati, bën që e ëma të ndjehet në faj, gjen në kinema të atin që sheh filma erotikë, nuk arrin t’i jepet një femre, dhe e vret perëndinë e tij.

“Një mjek është i aftë ta shkatërrojë një pasion, por jo ta ndërtojë atë”.

Shfaqja rivjen në skenë nga e mërkura deri të dielën, në datat 29, 30, 31 mars dhe 1, 2 prill, ora 19:0 me interpretimin e Timo Fllokos, Ema Andreas, Lulzim Zeqjes, Erjona Kakelit, Igli Zarkës, Luli Bitrit, Arben Derhemit, Jonkës dhe Kristi Lleshit

Kostumet Berina Kokona, koreograf Gjergj Prevazi, muzika Endri Sina.

-Equus vijon të mbetet një nga shfaqjet më mediatike të momentit. Cilat kanë qenë përjetimet e tua gjatë kësaj kohe?

Jam i lumtur që “Equus” u prit kaq mirë nga publiku dhe mediat. Më shkruajnë njerëz jo vetëm nga Shqipëria dhe unë kam mirënjohje për secilin …

-Sa ka ndryshuar Alan Strang në këto dy javë?

ALAN rritet çdo natë e më shumë …

-Po Igli sa ka ndryshuar?

Në thellësi jam po i njëjti si më parë veç rrethanat kanë ndryshuar për mua. 

-Si ka depërtuar tek ty personazhi?

Është merita e Dino Mustafiç. Kemi punuar intensivisht me anën fizike, mendore dhe shpirtërore. Qasja ime me karakterin e Alan ndodhi krejt natyrshëm. Nuk e harroj një moment pasi mbaruam provat kur Dino më tha: Ky është Alan …

Çfarë ndjesie të jep ty Alan, mëshirim apo frike ?

Nuk dua të flas për këtë …

-Kush duhet pasur frikë, Alan apo sistemi në të cilin ai është rritur?

Shoqëria ku ne lindim e jetojmë përherë kërkon që t’u përmbahemi disa rregullave të shkruara apo të pashkruara vetëm sepse kjo për disa është normale. Pyetja thelb e shfaqjes sonë është: Çfarë është normale e çfarë jo?

Koncepti i lirisë është ndryshe për çdo individ. Por është e rrezikshme të jesh i lirë. Të bësh atë që vërtet ndjen pa pasur frikën nga paragjykimet e shoqërisë. Roli Alanit më ka ndihmuar në këtë aspekt pasi kam kuptuar se lumturia ime ka rëndësi më shumë se opinioni i çdo njeriu.

-Duke zbërthyer traumën dhe turbullimin e Alanit, i cili ngatërron adhurimin për zotin e tij Equus me tërheqjen seksuale, cili mendon se duhet të jetë qëndrimi i shoqërisë së sotme ndaj seksit?

Nuk është tërheqje seksuale ajo që Alan ka ndaj “Equus”. Është dashuri, adhurim … jam i sigurt që shumë meshkuj nuk i duan gratë e tyre aq shumë sa Alan dashuron “Equus”.

-Beson se mosnjohja e vetes sonë si qenie seksuale, mund të na çojë në çoroditje të atilla ekzistenciale edhe si ato të Alan?

Po.

-Cili ka qenë momenti më i vështirë për ty gjatë rolit?

 Sigurisht, momenti i nudos. Por i mbrojtur nga dramaturgjia e Peter Shaffer dhe pas një pune kolosale me Dinon çdo dyshim e frikë u zhdukën. Trupi im është kostumi im në ato çaste.

-Kur Alan thotë: Perëndia të shikon Alan … duke iu referuar Zotit. Cila mendon ti se është frika e Alan, që Zoti mund të shoh deri në fshehtësitë më të mëdha, apo qortimi prej tij?

 “Equus” është një perëndi xheloze … ai më do vetëm për vete …  por unë dua të jem i lirë … i lirë / Intervistoi: J.H Pasqyrë.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *