Në rubrikën e rregullt të së shtunës “Jepi Zërit”, prezantojmë krijuesen dhe studiuesen Ernestina Gjergji Halili.
Ajo studioi në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, dega Gjuhë-Letërsi, ku ndoqi edhe kursin akademik të Gazetarisë.
Gjatë kësaj kohe, Erenestina angazhohet në organet e shtypit të kohës, me krijimtari poetike e shkrime të problematikave të kohës.
Ajo gjithashtu është një nga studentët e Lëvizjes së Dhjetorit ‘91. Në vitet 1990-1991, ajo kontribuoi si menaxhere e kulturës, në MTKRS/Federata e Rinisë.Në vitin 1995, ajo emërohet gazetare dhe folëse pranë Departamentit të Informacionit në RTSH, për t’u emëruar pas disa vitesh i pari Kryeredaktor i Departamentit të Informacionit në RTSH, një nga postet më të rëndësishme ne piramidën televizive.
Nga vitet1995-1997, ajo ishte gjithashtu edhe Korrespondente për Shqipërinë- Agjencia “ROJTER”, Tiranë.
Në TVSH, si gazetare e politikës, ajo ka qenë në ndjekje te ekzekutivit shqiptar, ndjekjet e veprimtarisë së kryeministrave në Kancelaritë Evropiane e më gjerë, përfshirë edhe ngjarjet ndërkombëtare si: Samitet e NATO-s (SHBA), Shtëpi e Bardhë, Samitin e OSBE-së (Stamboll), Parlamenti Evropian (Bruksel), Këshilli i Evropës (Strasburg), etj. Në vitin 2005, nominohet në” Fjalorin Enciklopedik“ Gazetarë dhe Publiëistë Shqiptarë”
Ne vitet 2002-2004, Erenestina, emërohet Drejtor i Përgjithshëm RTV “Real”, për të vazhduar më tej në vitet 2006-2008 Drejtor Kabineti, Ministria e Shëndetësisë. Në vitet 2008-2010 ajo emërohet Drejtor i Marrëdhënieve me Publikun “IPER”, më pas ajo emërohet pedagog pranë Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, Universiteti i Tiranës si dhe mban gradën “Doktor i Shkencave Filologjike”.
Erenestina Gjergji Halili, është autore e tre librave, si dhe pjesëmarrëse e një numri konferencash kombëtare e ndërkombëtare, duke i dhënë një dimension të ri veprimtarisë kërkimore-shkencore të saj në fushë të letersisë. Dr. Erenestina Gjergji Halili është gjithashtu edhe krijuese e ‘Klubit të Dramës”, një risi në jetën universitare shqiptare, me aktivitet të pasur letrar-dramatik, brenda e jashtë Shqipërisë.
Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?
Koha fluturon mbi ne, por lë hijen e saj pas, thotë Nathaniel Hawthorne, në një farë kuptimi e me njëmijë ndjesi e pyes veten, në ngarendje për të kuptuar qëllimin e ardhjes në këtë jetë e hijen më pas, veshur me kohë…Ëndrrat janë veç humbje energjie e gjumi, nëse nuk zgjohesh e vrapon ti arrish…
Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?
Gjeografik, fizik e metafizik, herë intro e herë të tjera ekstrovers, me hapa gjithnjë të shpejtë, pasi koha na vë në start e na pret në finish.
Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?
Bibla, pastaj Bibla, më pas Bibla. Sa herë i kthehem kujtesës më del ajo. Fëmijëria ime ka shumë tituj librash në raft, mbi e nën shtrat, në tryezë, por sot kujtoj vetëm Biblën, të cilën nuk e kam lexuar në fëmijëri, por më duket se ajo më ka pritur. Është një loje kujtese ku ndërdija bën hokat e saj…
Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?
Unë shkruaj në gegnisht, sepse karakterialisht jam identitare, madje këmbëngul se identiteti është pasaporta jonë e integrimit si komb. Çdo kohë, së paku lexuar nga historia, ka krizat e saj bashkëshoqëruese sociale, kulturore, njerëzore, të cilat kanë shkaqet e tyre specifike. Kështu edhe kjo e jona kohë, nxjerr dobësitë, mungesat e nevojat shoqërore e individuale, mundësitë e pamundësitë njerëzore, por edhe veset e perversitetet. Qenia njerëzore, shpesh më duket se ndërron vetëm kostumin e disa koordinata gjeografike, thelbi nuk ndryshon, as ka ndryshuar.
Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?
Kombi e kultura, kultura e kombi, janë binom i pandashëm, janë trashëgimia jonë e përbashkët, janë vlerat e veprat tona të mira, në nderim të traditës, në përpjekje për të qenë dinjitozë përballë zhvillimit modern kulturor botëror. Ne jemi aq sa jemi e kemi aq sa kemi vlerat tona, nuk më pëlqen mellogamia, tim- tamet që vetëm shurdhojnë, ne duhet të jemi identitarë, mbi këtë vlerë të ndërtojmë vlerat e tjera lënë shenjë, që trashëgohen e japin prosperitet kulturor. Përpjekje të tilla duhet të stimulohen, si thelb i kulturës shqiptare.
Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?
Hmmm… Koha ishte, është e do të jetë me ne e pa ne…Pra është një nocion i lëvizshmërisë, e vazhdimësisë të pakufizuar, identifikuese e ngjarjeve njerëzore e natyrore. Më kujtohet Dante kur thotë: Ata bënin trazira( jetonin), në një sallë të pakohë( jeta).
Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?
Më pëlqen veçanërisht Rembrand, ruaj një kolonë albumesh me piktorët më të njohur të kohërave, por piktura më e mirë është ajo e tim biri, realizuar nga artisti Pashk Përvathi. Poezinë më të mirë e kam përsëri nga im bir në një mars të kaluar, filmi e kënga e Gladiatorit janë të preferuarat e tim biri e të miat njëkohësisht. Baza muzikore e Gladiatorit ishte edhe baza e filmit për të shfaqur në ceremoninë e një vjetorit të amshimit. Ndaj, miku im, Jeta nuk është një garë, por një udhëtim për të njohur çdo hap përgjatë rrugës. Dje është histori, nesër është mister… !
Faleminderit! (© ZËRI.INFO)