Nga mesi i muajit prill të këtij viti, “Samizdat” i B92-shit botoi librin e kujtimeve “E shkëlqyeshmja dhe e tmerrshmja” të Bekim Fehmiut, aktor i filmit dhe i teatrit. Krahas temës, jeta në Kosovë nga viti 1936 e deri më 1955, dhe autorit, librin e bën atraktiv edhe fakti se z. Fehmiu ka heshtur plotësisht gjatë katërmbëdhjetë vjetëve të shkuara, duke protestuar kështu për shkak të përhapjes së urrejtjes ndaj popullit shqiptar
Opinionit të ish-Jugosllavisë, Bekim Fehmiu i është bërë shumë i njohur me rolin Beli Bora në filmin “Mbledhësit e puplave” të Sasha Petroviqit dhe me rolin e Uliksit në filmin e në serialin televiziv “Odiseu”. Botuesi e prezenton si aktorin e parë shqiptar të filmit e të teatrit me akademi të kryer, i cili luajti role anekënd ish-Jugosllavisë. Kritikët dhe historianët e filmit e kanë vlerësuar si aktor që ka ndryshuar historinë e kinematografisë së ish-Jugosllavisë. Ishte i vetmi aktor i vendeve evrolindore, i cili xhiroi në Perëndim gati njëzet vjet të plota, “duke thyer perden e hekurt deri në paraqitjen e Gorbaçovit dhe deri në rënien e Murit të Berlinit”, siç vlerësoi Francesko Skardamalja, shkrimtar italian dhe producent i filmit “Fëmija me emrin e Jezusit” në regji të Franko Rosit, ku Fehmiu luajti rolin e Shën Josifit. Pati marrëveshje shumëvjeçare me producentin italian, Dino de Laurentis, bashkëpunoi me Xhon Hjustonin, me Olivia de Hevilendin, me Ava Gardnerin, me Dirk Bogartin, me Sharl Aznavurin, me Irena Papasin, me Klaudia Kardinalen, me Kendis Bergenin… Bëri jetë të yllit të madh të artistit. Nga aktrimi u tërhoq vullnetarisht dhe me vetiniciativë, më 1987. Memoaret, në të cilat përshkruan jetën e vet, që nga lindja në Sarajevë e deri sa filloi me punë ne Teatrin Popullor të Prishtinës, i përfundoi dy vjet para kësaj, pra më 1985.
Bekim Fehmiu sot pranon se është vështirë t’i adaptohet situatës së re në jetën e tij, pas publikimit të librit, ngase qe sa kohë është njeri i harruar nga opinioni. Të gjitha interesimet e menjëhershme dhe të papritura për të nga gazetarët, ia kanë shtuar problemet shumëvjeçare me zemër. Prandaj, për këtë intervistë ai pranoi vetëm pas disa thirrjesh që ia bëmë…
Vazhdimi i memoareve “E shkëlqyeshmja dhe e tmerrshmja” është shkruar. Se a do të botohet ndonjëherë, do të varet nga rezultatet e pjesës së parë të librit. Botuesi pret sukses.
Bekim Fehmiu nuk ishte në promovimin e librit, ngaqë mendon se kështu do t’i jepet shansi “çdo gazetari të interesuar që të bëjë pyetjet e veta”…
U PLOTËSUA MOZAIKU
* Librin e kujtimeve e keni përfunduar qysh më 1985. Pse po e botoni mu tash?
FEHMIU: Të gjithë katrorët e mozaikut ranë në vend të vet. Ne nuk jemi gjithmonë zot të gjithçkafit. Pse ju jeni lindur në ditën e caktuar, nga prindërit e caktuar, në vendin e caktuar?
* Publikisht jeni përshëndetur me aktrimin, në shenjë proteste për shkak të propagandës antishqiptare. Çka keni arritur me këtë?
FEHMIU: Të gjitha ato telefonata, që nga Trigllavi e deri në Gjevgjeli, pas intervistës lamtumirëse në “Politika”, në prill të vitit 1987, të gjitha ato fjalë miradie për trimëri, të gjitha ato falënderime – nuk kishin asfarë kuptimi për mua. Nuk pati kuptim as parandjenja ime, as ajo që tërhoqa vërejtjen me poezinë e Dushan Vasilevit, “Njeriu këndon pas luftës”, ku ai thotë: “Unë kam shkelur në gjak deri në gjunj dhe nuk kam më ëndrra…” dhe përfundon “Oh, më jepni vetëm një grusht ajër dhe pak vesë të bardhë mëngjesore, të tjerat i paqi në ndërgjegjien tuaj…”. Kam arritur hiçgjë, një zero absolute në atmosferën e kaluruesit të apokalipsës, duke kaluar nëpër vuajtje të mëdha shpirtërore. Kam arritur izolimin, vetminë, mu sikur Stefan Cvajgu në “Botën e djeshme”. Kjo më ka shtyrë të vazhdoj të shkruaj kujtimet e mëtejme.
* Çka mendoni, cili është shkaku i mospajtimit të popullit serb me atë shqiptar?
FEHMIU: Unë nuk jam shkencëtar. DimitrijeTucoviqi shkruante më 1912 se shqiptarët janë miqtë më të mëdhenj të serbëve. Në librin e mrekullueshëm të profesoreshës së sociologjisë dhe të filozofisë së artit, Jasmina Udovicki nga Bostoni (SHBA), “Kosova – politika e konfrontimit” dhe “Serbët e shqiptarët nëpër shekuj” të profesorit Petrit Imami, në botimet më të reja të “Samizdat”-it, mund të gjeni përgjigje në shumë pyetje.
* Në fund të librit të memoareve tuaja, djali juaj, Uliks Fehmiu, ka shkruar për ju se keni përjetuar paturpshmërinë e politikanëve ndaj familjes Fehmiu, e cila është hetuar së pari te babai juaj, njëri nga njerëzit kryesorë të kryengritjes së popullit shqiptar kundër Turqisë më 1912, dhe të cilit asnjë pushtet nuk ia ka falur atë se është angazhuar për arsimimin e popullit shqiptar. Zaten, me vendim të politikanëve, juve, në fillim të karrierës, u është marrë bursa e Teatrit Popullor të Prishtinës. Më vonë, siç ju prezenton botuesi, për shkak të suksesit në botën e jashtme, jeni bërë krenari e ish-shtetit jugosllav. Ju lusim të na e përshkruani përvojën tuaj rreth raportit individi-shteti?
FEHMIU: Vullneti dhe forca e politikanëve nuk kanë mundur kurrë të më thyejnë në qëllimin e realizimit të aspiratave të mia jetësore dhe nuk është e vërtetë se politikanët më kanë shpallur krenari të shtetit, sepse po të ishte kështu sigurisht se do të më jepnin ndonjë mirënjohje, qoftë edhe atë të Tetorit.
PRIZRENI DHE SHTËPIA KU JETOJA DO TË JENË PËRGJITHMONË NË LIBRIN TIM
* Ju, nga ekrani dhe nga skena, siç thuhet, keni përvëluar zemrat e femrave. Sa ndikon pamja fizike në karrierën e aktorit?
FEHMIU: Pamja fizike mund të ndikojë vetëm pjesërisht. Ajo që ndikon më së shumti është pasuria e brendshme e aktorit, ajo që quhet shpirtërore dhe intelektuale. Pse, a është aktor i bukur Dastin Hofmani, a? Por, çfarë bukurie dhe madhështie buron nga rolet e tij!
* Çka është besa për ju?
FEHMIU: Jo vetëm për mua, por edhe për të gjithë shqiptarët, besa është vlera më e lartë etike njerëzore. Besa ishte më e fortë se cilado qoftë marrëveshje. Për shkak të besës, shqiptarët nëpër histori kanë paguar me kokë edhe për shkak të lajthitjeve të veta. Besa ishte tipari që cilësoi shqiptarët dhe i bëri ata të çmueshëm në raport me botën që rrethonte ata…
* Në memoaret tuaja përshkruani mënyrën tradicionale të jetesës dhe familjen, me tone të respektit të jashtëzakonshëm. A është mbingarkesë tradita?
FEHMIU: Jo, nëse ajo respektohet, nëse kultivohet dhe nëse nuk i imponohet të tjerëve dhunshëm. Përkundrazi… Ajo që është më e bukura, është mu dallimi mes traditave, dhe kjo ë bën njeriun më të pasur dhe më të lumtur.
* A i vizitoni të afërmit tuaj? Si është situata në Prishtinë?
FEHMIU: I vizitoj. Posi. Pesë-gjashtë muaj i kaloj në Prizren dhe në Prishtinë. Isha atje vitin e kaluar. Nga viti 1999, ajo shtëpia përrallore e Shaip pashasë në Prizren, ku kam jetuar, nuk është më. E dogjën. Por, ajo, falë Zotit, do të jetojë përgjithmonë në librin tim, sikur edhe qyteti i Prizrenit…
* Në ç‘mënyrë flisni ju për artin? Si Eli For, të cilin e keni cituar në libër?
FEHMIU: Absolutisht. Ai thotë: “Arti është thirrje për jetë në bashkësinë shpirtërore të njerëzve…”. Më thuani, a nuk ka të drejtë Eli For kur thotë: “Artist jemi vetë ne”… /Telegrafi/
***
… Pesë vjet nuk isha në Kala. Që nga përpjekja ime për të bërë vetëvrasje. Rri afër topit të “ramazanit”.
Prizreni sërishmi shtrihet para meje me gjithë bukurinë magjepsëse. Shoh Bistricën time, që ndan qytetin në dy pjesë dhe degëzohet në vija uji që rrjedhin përskaj saj dhe që sjellin gurët e rëndë të mullinjve. Vijat e ujit kalojnë përskaj mureve të shtëpive, nën punëtori, pronarët e të cilave ftohin në to shalqinjtë dhe shishet e birrave, ato kalojnë përtej rrugëve të kalldërmta me urëza dhe, duke kaluar përskaj plepave, përskaj shkurrave, përskaj shelgjeve, shpërndahen në përronj e në përroska. E, këto vrapojnë nën shportat e gjelbra dhe tjegullat e kuqe, me bar veshi mbi to, hyjnë në çdo oborr me lule, shpejtojnë përskaj dudave, pjeshkëve, kajsive, mushmollave, dhe, duke ecur nga oborri në oborr, lidhin fqinjtë njërin me tjetrin, me qëllim që të derdhen sërishmi në vija uji, e këto në amzën e tyre.
Bistrica më duket si një dud i madh, i shtrirë, i thurur nga argjendi i lëngët… Dud i argjendtë.
Gjyshja Hilë më ka thënë moti: “Mos gabo të pështyshë në përrua, sepse goja do të të shtrembërohet!”…
(Fragment nga “E shkëlqyeshmja dhe e tmerrshmja”)
***
… Është tollovi e jashtëzakonshme para dyerve tona. Një kamion i madh, i ngarkuar me elemente të amvisnisë, tashmë është nisur, ndërsa i dyti na pret. Të gjithë fqinjtë janë tubuar për t’u përshëndetur me të gjithë ne, ngase po kthehemi në Kosovë, në Prizren. Gjyshja e stërlumtur tha: Falë Zotit, më në fund, pas dhjetë vjetësh, sërishmi po shkojmë në shtëpinë tonë!
Duke u përqafuar, me lot në sy, njëri-tjetrit i dëshirojmë çdo të mirë.
Hanka Leçe dhe fëmijët e saj qëndrojnë si buqetë dhe presin të përshëndeten të fundit.
Qëndrojnë para portës, qajnë, përshëndesin me shami të bardha. Bukuroshja ime përshëndet me dorë… Thërras me zë të lartë: Na shkruani dhe edhe unë do t’ju shkruaj.
Rri ulur në kabinën e madhe të kamionit, afër nënës. A thua, po na rrëshqasin lotët, nënës, motrave të mija dhe mua, apo po rigon shi? Edhe njëra, edhe tjetra… Tash dëgjohet vetëm zhurma e motorit dhe rënia e pikave të mëdha të shiut nëpër karoseri.
Heshtim të gjithë, të thelluar në mendime. Hetoj zbrastësinë, shqetësimin ndaj gjithë asaj me të cilën do të takohem shpejt…
(Fragment nga “E shkëlqyeshmja dhe e tmerrshmja”)