Moderatori dhe kantautori i njohur, Ardit Gjebrea ishte sot i ftuar në Forumet UET, ku foli për karrierën e tij dhe tregun e muzikës sot
Nga një studio televizive në një auditor me studentë.
Ardit Gjebrea ishte sot i ftuar në Forumet UET, jo në rolin e moderatorit që bën prej aq vitesh, por në rolin e të intervistuarit nga moderatorja Belina Budini, shefe e Departamentit të Komunikimit në UET.
Para studentëve, Gjebrea foli për ëndrrat, studimet, jetën në Itali, lidhjen me muzikën e televizionin, etj..
Me këngët e tij të mesit të viteve ’90, ai ka mbetur në kujtesën e publikut dhe këngët e tij këndohen ende sot.
Po pse Gjebrea i është kushtuar kaq fort menaxhimit të muzikës me festivalin “Kënga Magjike” dhe moderimit me emisionin “E diela Shqiptare” dhe nuk po këndon më si dikur?
Në një përgjigje të sinqertë ai pranon se nuk e gjen veten tek tregu i tanishëm muzikor komercial.
“Unë shpeshherë jam më i sinqertë se ç’duhet dhe do ta ruaj sinqeritetin tim dhe sot, më ndodh që të keqkuptohem. Sot portalet e ndryshme mund të keqpkuptojnë atë që dua të them dhe nuk do të jem shumë i sinqertë në përgjigjen time. Dua të jem pak diplomat sepse nuk dua të fyej askënd. Kështu që secili bën zgjedhjen e tij në jetë, por nëse unë do të vazhdoja të bëja muzikë dhe të këndoja, nuk do të jetoja më mirë se sa jetoj sot. Kjo është përgjigja ime e sinqertë pa dhënë detaje. Unë kam kënduar në pallate sporti, në stadiume, kam kënduar në Teatrin e Operas dhe Baletit. Kam kënduar në vende ku muzika vetëm dëgjohej. Në të gjitha turnetë që kam bërë jashtë, aty ku ka shqiptarë në Gjermani, SHBA, Greqi, kam kënduar nëpër teatro. Sot rrallë këngëtarët këndojnë nëpër teatro. Unë nuk dua të humbas atë habitatin tim. Unë krijova një lloj stereotipi dhe nuk dua ta humbas. Unë jam i lidhur me atë mentalitet të muzikës dhe nuk dua që të jetë ndryshe”, tha ai.
Si u keqkuptua intervista ime me Marjan Rrokun
Intervista e Ardit Gjebresë me të dënuarin për vrasjen e një vajze të re dhe nënës së saj bëri shumë bujë vitin që shkoi.
Arditi u akuzua se u bë “avokat” i një vrasësi gjatë qëndrimit në burg 24 orë me Marjan Rrokun, i dënuar për vrasje të dyfishtë.
Por Gjebrea e ka variantin e tij për ata që e kryqëzuan mediatikisht.
Ai tha të martën në UET, ku ishte i ftuar në një bisedë me studentët, se emisioni nuk ndikoi tek vendimi i gjykatës.
“Unë e regjistrova emisionin në maj, prita te dilte vendimi i gjykatës ndaj tij dhe vendimi është dhënë në dhjetor dhe unë e kam transmetuar emisionin në shkurt. Pra emisioni im nuk pati asnjë ndikim tek verdikti i drejtësisë”, tha ai.
Më tej Gjebrea këmbënguli se intervista nuk u bë për të thithur audiencë, po ishte pjesë e një programi më të gjerë “24 orë”, ku ai më parë kishte ndenjur me një lypës, edukatore, etj.
“Më kryqëzuan sepse thashë pikërisht këtë frazë: “Tani që jam këtu, mendoj se ti duhet të dalësh”. Një gazetar i kujdesshëm shikon se çfarë thua. I thashë: Marjan, kur unë jam jashtë këtij burgu, them mirë t’ju bëhet dhe aty të kalben. Kur jam këtu brenda, them se Marjani është penduar dhe duhet të dalë. Por kur të dal prapë prej këtej, nuk e di se çfarë do të mendoj”. Askush nuk më pyeti se çfarë mendove. Nuk ka më vlerë kjo gjë pasi unë kam pasur dhe raste përdhunimesh kur kam dalë tek vetja pasi tek “E diela shqiptare” jemi live. Nuk kam bërë asgjë për audiencë, unë e kam audiencën time, nuk më duhej Marjan Rroku. Përsa kohë që ata ekzistojnë dhe janë atje, unë doja që të sillja një realitet që nuk e ka parë askush. Asnjë nga këta gazetarët që folën për këtë gjë, nuk kanë shkuar dhe të kalojnë 24 orë dhe ta sjellin këtë gjë”, u shpreh Gjebrea.
Duke sqaruar formatin e emisionit të tij ai tha se “u fol për investigim, ndërkohë që të gjithë ata gazetarë që folën për këtë gjë nuk investiguan cili ishte programi im. Unë kisha bërë dhe dy puntata të kaluara me konsullin e nderit dhe me një edukatore. Po bëja thjesht në kuadrin e programit “24 orë me… një të burgosur””.
Më tej Gjebrea shton se nuk ishte qëllimi që të ‘amnistonte’ krimin e Rrokut, përkundrazi moderatori thekson se ai është për dënim me vdekje për ata që vrasin.
“Tek Marjan Rroku unë nuk shkova për të sjellë historinë e tij, se përse është burgosur. Unë shkova aty për të parë si i kalon 24 orë një i burgosur. Sigurisht që i burgosuri është ajo pjesë, e cila mendon se sa familje ka mbrapa. Unë jam ai, i cili kur kam bërtitur dhe bërtas akoma që të rikthehet dënimi me vdekje. Kush vret, duhet të vritet. Askush nuk e tha këtë gjë. Askush nuk më pyeti, përse ti që je pro dënimit me vdekje, nuk the asnjë fjalë për këtë gjë. Thjesht sepse nuk shkova për këtë gjë. Askush nuk kërkoi, askush nuk investigoi, por të zellshmit donin të kryqëzonin. Ata që e kuptuan, e kuptuan. U përfitoi shumë audiencë nga kjo gjë. Më pas Marjan Rrokun e morën të tjerë në intervistë, por asnjë nuk foli”, theksoi Gjebrea.
Momenti më i vështirë imi
I pyetur nga një studente se cili ishte momenti kur ishte rrëzuar dhe më pas kishte gjetur forcën për t’u ringritur, Gjebrea kujtoi momentet e vështira të emigrimit në Itali, vitet ‘92-‘93.
“Ishte 31 dhjetor dhe unë me gruan dhe djalin që ishte vetëm 2 vjeç kishim gjithsej vetëm 30 mijë lireta, që janë pak a shumë 30 mijë lekë të vjetra. Ne duhet të festonim Vitin e Ri dhe të vazhdonim jetën me aq para. Nuk kishim asgjë për të ngrënë. E kishim traditë në familjen tonë, unë kisha marë gjithmonë një dhuratë… (përlotet)… dhe unë vajta i bleva djalit tim një makinë të vogël, 5 mijë lireta… Ishte një moment shumë i vështirë, por ka kaluar. Ndaj djali im është forca ime që më frymëzon gjithmonë”.
Pas këtij rrëfimi Gjebrea u dha një mesazh të rinjve studentë në sallë: që duhet të jenë mirënjohës për sakrificat e prindërve të tyre dhe t’ua shpërblejnë.