Lorenc Vangjeli
Një kryq komik nga SHBA ku secili është edhe viktima që gozhdohet, edhe gozhda që mbërthen viktimën
Nëse nuk do të gjykohej nga qëndrimi në këmbë në plate dhe me fytyrë nga skena, gjithkush do të betohej se Inis Gjoni po luante rolin e një vajze të zemëruar. Veshur me pantallona të zeza lëkure dhe pulovër të bardhë, me një gotë kartoni kafeje bosh në njërën dorë dhe me një palë syze optike që i përdorte si baketë dirigjenti në dorën tjetër, ajo dukej se shfrynte shumë mërzi e protestë.
Syzet me skelet të kuq ishin zgjatim delikat i gjesteve të saj të prera, ndërsa zëri i ngritur me të cilin po ju fliste me shumë pasion “çunave” të skenës, plotësonte rolin e saj në plate. Dhe ata, njëlloj sikur të ishin në shfaqje, në rolin e burrave robër të një gruaje – ashtu siç do të duhej të ishte në jetë – e dëgjonin me vëmendje, me sy pothuaj përdhe dhe me duar të shtrira në tegelin anash pantallonave, me një gjest të përgjithshëm që tregonte një lloj përvuajtmërie gjysëm të shtirë e tearale, përballë të cilës, monologu i Gjonit ngjante edhe më përvëlues. Megjithatë, ndoshta për kontrast, edhe mënyra sesi dëgjuesit reagonin me heshtje, kishte po të njëjtën temperaturë vlimi.
Ervin Bejleri teshtin papritur në skenë, por nuk lëviz.
“A mund t’i them shëndet”, pyet Gentjan Zenelaj.
“Duhet marrë leje gjithmnë edhe për të qenë i sjellshëm”, thotë pa ju drejtuar askujt Romir Zalla, ndërsa Annais Lika dhe Rozana Radi vazhdojnë të qëndrojnë serioze. Dy portretet e tyre të ngurta bëjnë të shpërthejë në një të qeshur të fortë në fillim Mehmet Xhelilin dhe pastaj edhe Bes Bitrakun që ndodhej në prapaskenë. Inisi e ndjek të qeshurën e tyre instiktivisht dhe ajri i Teatrit Kombëtar që ndjehej i rëndë, papritur shkrihet për të gjithë. Të vetmet serioze, Radi e Lila ngulmojnë të mos e pranojnë këtë shndërrim të rrufeshëm të situatës, që shtyhet edhe më tej me Ervinin që thotë me një pamje përbetuese se nuk ishte qenë ai që kishte teshtirë.
E gjithë kjo rrjedhë ngjarjesh të vogla u zhvillua në harkun e pak sekondave. Dhe në të vërtetë ishte një truk që trupa e aktorëve të komedisë “Çifti i çuditshëm”, luajti me tensionin e regjizores së shfaqjes. Që gjithashtu e dorëzuar ndaj momentit i afron trupës pak pushim: “Pauzë vetëm sa për të ndezur dhe jo për të pirë një cigare deri në fund”, paralajmëron ajo pa ju drejtuar askujt.
Vetëm pesë minuta më pas, ekzaktësisht pesë minuta më pas, trupa e aktorëve të talentuar, ndër më të mirët e llojit të tyre në xhiro, rinisën dhe njëherë kalvarin e tyre të mundimshëm për të vënë në skenë shfajen kult të autorit amerikan Neil Simon.
“Çifti i çuditshëm” u ngjit për herë të parë në skenë në vitin e largët 1965 dhe ende konsiderohet si një nga komeditë më të famshme amerikane duke hyrë përfundimisht në repertorin klasik të komedisë moderne. Fillimisht ajo pati jetën e pazakontë të një shfaqjeje në Broadway, por mbas tre vjetësh të njëpasnjëshëm përpara spektatorit që e ndiqte pas, ajo u shndërua dhe në një film televiziv me 14 pjesë. Një rekord i jashtëzakonshëm për kohën, që njohu për protagonistë aktorët më të famshëm të Hollyvood-it, të asaj kohe. Më pas, siç ndodh me suksesin në art, ky fenomen i rrallë kulturor, njohu “seri” të tjera të jetës së vet, duke u bërë film me kartona dhe duke u kthyer sërish në skenë në 2002-shin dhe duke u bërë sërish film për ekranin e madh.
Regjizorja Inis Gjoni shpjegon se thelbi i suksesit të shfaqjes ndoshta qëndron tek thjeshtësia dhe tek mënyra e jashtëzakonshme e dhënies së një mesazhi universal dhe njerëzor. Që është i ngjashëm edhe për SHBA-në e viteve 60′, të viteve 90′ apo dhe për Shqipërinë e sotme dhe të nesërme. Komunikimi, toleranca, harmonia edhe mes të ndryshmish, respekti dhe pranimi i diferencave, janë disa nga këshillat që një gjuhë artisti i jep nëpërmjet situatave të humorit serioz. Pikërisht atij lloj humori inteligjent që në vend të të qeshurës së zhurmshme të birrarive me tym, kushtëzon buzëqeshjen e menduar. Në një kohë të ashpër si e sotmja, kur shpesh dialogu bëhet mes tytave të armëve, kur dhe prekja dhe ngjethja janë dixhitalizuar, kur dashuria është vetëm një adresë në instagram, kur në vend të barit të lagur mbijnë lule artificiale, kur njerëzia shtrihen të ngurtësuar në ekrane smartphone-sh, kur dhembshuria është një numër në llogari bankare dhe malli e mungesa dërgohen me email, pra, në një kohë të tillë, ky grup fantastik aktorësh të mbledhur nga Gjoni, afron të këshillojë se shpesh e nesërmja ndodhet tek e djeshmja, se e madhërishmja ndodh të jetë tek e thjeshta e komplikuar dhe se tek dialogu mund të gjendet dhe heshtja që ndan njerëzit sot, me gjithë zhurmën e televizorëve të ndezur në mes.
Ngjarjet e vendosura në Shtetet e Bashkuara kanë pothuaj të njëjtin kuptim dhe në Tiranë. Pesë shokë i bën bashkë pasioni për pokerin. Luajnë në shtëpinë e njërit prej tyre që jeton në lirinë e divorcit, deri në momentin që në divorc përfundon dhe një tjetër nga grupi, por që vazhdon të jetë ende i dashuruar me të shoqen. Të dy “fatkeqët”, tërësisht të ndryshëm nga njëri-tjetri, vendosin të jetojnë bashkë lirinë e të qenurit vetëm, deri sa kuptojnë se kjo botë është interesante pikërisht se është e mbushur plot me kontraste e dritë hije të forta. Nëse njëri nga ta donte rrëmujën, tjetri adhuronte rregullin, nëse njëri kërkonte të jetonte aventurën, si një akullore që shkrihet në një gotë brenda natës, tjetri ëndërronte romancë plazhesh me perëndim dielli. Dhe vazhdon kjo lojë mes tyre deri në momentin që edhe spektatori më indiferent do të kuptonte se shumë nga marrëdhëniet njerëzore, bashkëjetesa, martesa apo dhe vetë dashuria, janë kryqi dhe udhëkryqi ku secili është në të njëjtën kohë edhe viktima që gozhdohet, edhe gozhda që përdhunon viktimën.
Inisi Gjoni si regjisozre dhe aktorët që ajo zgjodhi për të vënë në skenë këtë komedi të pazakontë vazhdojnë të qëndrojnë përballë njëri-tjetrit. Të dytët, aktorët janë ata që e lejuan me mirësjellje të jenë plastelina e mendimit të saj dhe e para, regjizorja, që i morri gjithë pasion për të nxjerrë më të mirën prej tyre, në role që së bashku, do t’i kujtojnë shumë gjatë. Pushtues dhe të pushtuar, ata shkelin në hapësirat e njëri-tjetrit dhe presin me emocion dhe frymëmarrje, por indiferentë në dukje, të enjten e premierës së tyre. Thellë-thellë të bindur se çdo spektator i tyre do të ngjitet në heshtje në skenë, ndërkohë që ata recitojnë komedinë njerëzore të Neil Simon. Të bindur se përtej tekstit dhe gjestikulacionit të tyre, çdo spektator do të luajë bashke me ta me mënyrën sesi i flet bashkëshortit, fëmijës apo prindit, si i drejtohet eprorit dhe vartësit, si i lutet të panjohurit dhe i bie në gjunjë dashurisë. Sepse të gjithë, e ndjejnë edhe nëse nuk e dinë, se jeta është një lojë pokeri dhe shpesh varet nga mënyra sesi dikush tjetër i ndan letrat.
Inis Gjoni, në shfaqjen e saj të nëntë në Teatrin Kombëtar ka gjetur dhe ka shpërndarë letrat e duhura. Ndoshta pikërisht se e di një gjë të tillë, vajza e bukur e skenës, baletit, teatrit, njeriu që si pakkush tjetër di që të bëjë edhe indiferencën e Tiranës të flasë për të, ndjehet e pushtetshme deri në momentin që ajo do ti nënshtrohet gjithashtu, pushtetit të emocionit në premierë. Atëherë kur me siguri, ndërkohë që do të bëjë gjithë kryeqytetin të qeshë, do të gjejë momentin e saj të vetmisë për të qarë pak. Fare pak. Me lotë të heshtur, të trishtuar e të padukshëm.